Studentet rrefehen — “Curriculum”
Posted by kolektiviza on Qershor 13, 2007
Ekspozita
Studentët rrëfehen
Në vijim të ciklit “Curriculum”, sot në galerinë pranë Fakultetit të Arteve Pamore do të hapet ekspozita “Multimedia atelier 06-07″ e udhëhequr nga prof. Vladimir Myrtezai dhe as. Edison Çeraj. E përqendruar në katër tema si “ëndrra, mbrapa, autoportreti, periferia si qendër”, kjo ekspozitë do të sjellë punët e studentëve gjatë një viti.
Miliada Hysenaj, Brerina Kulneku, Ermela Shima, Morena Musaku, Elda Katiaj, Alban Ziu, Dorian Hoxha, Ervis Kosova etj., do të përcjellin nëpërmjet këtyre punëve ndjesitë e tyre të provokuara nga këto tema. Gjithnjë është interesante mënyra se si studentët përftojnë realitetin, se si periferitë apo dashuritë dhe ëndrrat konceptohen nga këta të rinj.

kolektiviza thënë
Pacientët e ideve
Atelieri i multimedias. Kur arti provokohet nga studentët
“I love you….”. Një vajzë me flokët kafe që i bien mbi qafë, i përsërit pareshtur vetes në dy dimensione këtë fjalë. Nëse diku në rrugë një vajze tjetër që nxiton të kapë orarin e punës, do të preferonte që këtë fjalë t‘ia thoshte një mashkull, kjo femër që e shohim përmes një video-projeksioni kërkon t‘ia thotë vetes këtë shprehje pambarimisht. Kjo është mënyra se si një studente e ateliesë së pikturës në Akademinë e Arteve Pamore e sheh narcizmin. Pak më tej në muret e galerisë FAP, ku dje në mbrëmje u hap ekspozita “Multimedia atelier 06-07″, një video-projeksion na rrëfen fytyrat e një djali dhe një vajze që orvasin në mendjet e tyre skena erotike. Sigurisht që mendime të tilla janë të vështira të pranohen nga ne, por përfytyrimin asnjëherë nuk mund ta ndalim. Janë aq afër njëri-tjetrit dhe vetëm me një lëvizje mund t‘i bëjnë realitet ato çfarë u orvaten në mendje. Por jo, dy studentët e gjejnë një zgjedhje tjetër për të justifikuar mendimet. “Është Salvador Dali”, i përgjigjen pyetjes së njëri-tjetrit se “çfarë ndodhi”. Klodian Alldervishi, një nga autorët e kësaj videoje prej afro tri minutash, thotë se nëpërmjet kësaj pune ata donin të tregonin se “imagjinata kalon çdo kufi”. Gjithçka ishte një surrealizëm sipas atij dhe këtë mund ta shpjegonte thjesht emri i përfaqësuesit të njohur të kësaj lëvizjeje, Dalisë. Klodian përgjigjet kur e pyet se përse zgjodhën surrealizmin për të shpëtuar nga ajo situatë, duke argumentuar se “këto janë gjërat që i mendojmë dhe nuk i bëjmë dot”.
Ky djalë që vjen nga periferia e Tiranës është dhe një nga studentët më interesantë të kësaj atelie. Video nuk është stacioni i vetëm ku Klodiani është ndalur për të shtjelluar mënyrën se si ai e percepton realitetin. Në fotot e vendosura pak më tej, na shfaqen imazhe tepër befasuese e të thjeshta, të cilat i ka shkëputur nga vendi ku ai jeton. Teksa sheh ato punë, kupton sesi e kaluara është një nga gjërat që di gjithnjë të shpjegosh më mirë në të gjitha format. Klodiani beson se në atë vend ku natyra është aq pranë, ku ai kalon orët pas Akademisë ka ende shumë gjëra, të cilat kërkon t‘i shndërrojë në art, duke besuar se arti ndodhet gjithnjë në mënyrën se si trajton ato gjërat e thjeshta. “Vendlindja është ajo ku kam shumë gjëra për të marrë akoma, ajo është gjithçka për mua, është e dashura ime”, shpjegon ai.
Ndërsa Ermela Shima, një tjetër studente befasuese në mënyrën e shtjellimit të punëve në këtë ekspozitë, rrëfen se te të dyja punët ka dashur të shtjellojë atë çfarë në vetvete mbart ëndrra.
Në një dhomë të mbuluar me çarçafë të bardhë, një vajzë e gjen veten të shndërruar. Janë vetëm disa sekonda teksa ajo përjeton transformimin, ndërsa më pas zgjohet për të kuptuar se gjithçka ishte një ëndërr. Në fakt, hulumtimi i këtyre studentëve për të shpjeguar në mënyrat e tyre ëndrrat mbart shumë të vërteta në mënyrën tonë të lidhjes me to, apo ne mënyrën se si i perceptojmë. Teksa ajo mbulon duart me çarçaf e kërkon të struket thellë në shtrat, ato pak sekonda të atij trasformimi nuk mund të zhduken aq lehtë. “Ëndrra e parë ishte pak më realiste, pasi e mora nga një ëndërr e imja personale. Ishte thjesht një frikë, pasi deformimi i një femre është gjithnjë diçka tepër e frikshme. Ndërsa në videon tjetër kam kapur konceptin e ëndrrës për jetëshkurtësinë e saj. Një ëndërr nuk zgjat më shumë se një minutë, kështu e bëra në mënyrë simbolike formimin dhe shkatërrimin e saj brenda pak sekondash”, thotë ajo.
Kjo ekspozitë e ngjizur në një atelie ku mësohen format e artit, apo mënyra se si mund të operosh në të, nuk dallon aspak nga ekspozitat e artit bashkëkohor që hapen sot. Nëse këto punë do të vendoseshin në një galeri tjetër, qoftë edhe të huaj, pakkush do ta besonte se këto janë bërë nga studentët. Mund t‘i shohësh e ndiesh këto punë, duke ndier rrugët e jetës tënde, edhe pse këto janë bërë nga të rinj që sapo kanë kaluar të 20-at.
Në atelie
“Pacientë të idesë”. Vladimir Myrtezai, profesori dhe artisti i njohur i arteve pamore, kurues i kësaj ekspozite bashkë me Edison Çeraj, i pëlqen t‘i quajë kështu të gjithë ata që futen në një atelie për të dalë prej asaj me një vepër arti. Është disi e çuditshme, por fuqia që ka ajo hapësirë ku profesori me studentët mundohen të ndërtojnë idetë dhe t‘i shtjellojnë ato, duke nxjerrë në pah karaktere, apo dhe të papritura nga ajo çfarë mendjet e këtyre studentëve mund të krijojnë, mund të kuptohet vetëm duke parë këtë ekspozitë. “Ndoshta do t‘ju duket disi e çuditshme që koncepti i një ekspozite do të fillonte me një term të tillë, por në esencë shpjegimi i këtij termi do të zbulojë me ngadalë dhe lidhjen esenciale të zhvillimit të një atelieri ku të gjithë pjesëmarrësit në marrëveshje të parë mes tyre janë të detyruar të kthehen në pacientë të idesë, përfshi këtu edhe drejtuesin e atelierit”, thotë ai. I ulur në një nga karriget e vendosura, në ambientet ku është hapur ekspozita, Myrtezai të shpjegon të gjitha momentet që kanë sjellë krijimin e këtyre videove. Teksa e dëgjon të rrëfejë detaje pafund, kupton se sa rëndësi ka liria në një krijim. Ai u ka sugjeruar ide studentëve të tyre dhe në fund i ka lënë të lirë…Kjo është ndoshta fuqia që shpjegon forcën e çdo pune. “Autoportreti” është një video e lindur rastësisht në atelie, teksa ata po eksperimentonin…
Në atë hapësirë të mbushur me bojëra, dalin dalëngadalë ana e panjohur ajo që ndodhet e fshehur thellë brenda nesh, që mund ta bëjë profesorin të habitet ndaj zgjedhjes së një studenti që deri në atë moment e kishte quajtur të ndrojtur. Është e çuditshme fuqia që të jep komunikimi, vënia përpara një sprove të cilën ti e ke menduar, por që s‘të është dhënë asnjëherë shansi ta provosh. Në atë atelie bisedohet për gjithçka. Jo vetëm për veshjet dhe ëndrrat e atyre të rinjve që kërkojnë të jenë nesër emra të njohur në artin bashkëkohor, por dhe për historike, jetët e tyre të mëparshme, artin sot, duke analizuar çdo detaj të një pikture, apo të një libri. Këto janë rrugët të cilat pedagogu ka ndjekur për të zbuluar anën e fshehtë dhe forcën e secilit, për t‘i orientuar më pas në gjendjet në të cilat ata rrinin më mirë.
Arti nuk ka skema, kjo është ajo që përsëritet shpesh në këtë atelie, ku gjithsecili është i lirë të krijojë botën që do të donte ta kishte, apo atë çfarë i mungon më shumë. “Në koncept atelieri është vendi ku eksperimentohet, vendi ku ne modelojmë vetveten përmes eksperiencash të transmetueshme dhe në një kontekst të gjerë të intelektit që përmbajmë. Së shumti, ne krijojmë një model që e verifikojmë me aventurën e krijimit, në nivelet e gjurmës e transformimit dhe së shumti në nivelet e të zbuluarit përmes identifikimit”, thotë Myrtezai.
Hapësira ku ata vendosin aksionin e tyre është e ndërvarur në idetë e reja që ai propozon, në atë transmetim filozofik të lëvizjes së raporteve të krijuara klishe. Sigurisht që kjo hapësirë është e mbushur edhe me konflikte. Por këto konflikte Myrtezai kërkon t‘i quajë të frytshme.
Kjo atelie është një mënyrë se si dëgjimi i mirë i shqisave të trupit dhe mendjes tënde mund të orientojë drejt asaj çfarë ti do vërtet dhe eksperimentet asnjëherë nuk janë gabim, pasi nëpërmjet tyre rrugët drejt ëndrrave i shkurtojnë distancat.