Zelli për spastrime të kujtesës
Posted by kolektiviza on Janar 9, 2008
Elsa Demo

Gëzim Qëndro e quan gabim të pafalshëm heqjen e mozaikut. “Ndërtesë të realizmit socialist muzeun nuk e bën mozaiku, por i gjithë konceptimi i ndërtesës. Atëhere ç’mund të bëjmë? Ta prishim krejt? Vështirë se ka ndonjë që e merr seriozisht parasysh këtë alternativë” Artikullin origjinal e gjeni ketu.
Pak kohë para, 27 janarit, “Ditës së kujtesës” ndërkombëtare, një muze kombëtar në Tiranë del me një tezë kundër kujtesës. Lexuesi u njoh dje me idenë e drejtorit Beqir Meta për të hequr mozaikun mural në lule të ballit të Muzeut Historik Kombëtar me motivin se nuk i përshatet “thelbit të identitetit, të shpirtit shqiptar” dhe “brendisë së muzeut”. Pikërisht tani që atij përbindëshi i ngritur në qindra metra katrorë i është dhënë të gëlltisë miliona për restaurimin e zhguallit, ngrihen teza për thelbin e shpirtit shqiptar në fasadë të një muzeu kombëtar që në brendi është i mbushur me replika dhe bukë peshku si dëshmi të historisë së shqiptarëve.
Studiuesi i artit pamor, Gëzim Qëndro, merr pjesë në debatin që ka hapur zoti Beqir Meta. Duke shpresuar të kontribuojmë në forumin e ideve mbi bazë të të cilave drejtori në fjalë do të veprojë (!), ja dhe komentet e Qëndros i cili ka një përvojë deri diku të ngjashme të problemit që hap heqja ose jo e muzeut, problem i lidhur jo aq me aksionin konkret se sa me qëndrimin ndaj historisë, simboleve dhe trashëgimisë, qofshin këto të ngjyera në ideologji
Nuk është hera e parë që drejtues të ndryshëm të MHK i kanë ardhur rrotull heqjes se mozikut. Në fillim i hoqën yllin pesëcepësh si një ndjenje turpi a bezdije për atë kohë, por kësaj radhe duket se kërcënimi është real. A kemi të bëjmë me revanshe ndaj historisë zoti Qendro, nëse jo si do ta komentonit qëndrimin e mësipërm ndaj mozaikut mural?
Mendoj se nisma për të pastruar ballinën dhe pjesët e tjera të jashtme të Muzeut Historik është për t’u lavdëruar. Kjo pasi imazhi i një institucioni është i lidhur ngushtë me dinjitetin e tij. Por nëse muret e jashtme të Muzeut Kombëtar është mirë të pastrohen sa herë që arrijmë të gjejmë fonde, ky zell pastrues mendoj se nuk duhet të përfundojë në spastrime të cilat detyrimisht ngrenë disa pyetje me karakter artistik dhe etik. Le t’i marrim me radhë.
Në rrafshin artistik:
A ndryshon gjë nëse Muzeut Kombëtar i heqim mozaikun? A do të fitonte ai të drejtën e qytetarisë si një koncept arkitekturor tipik për një shoqëri demokratike pas një ndërhyrjeje të tillë? Përgjigjen po e jap duke marrë si shembull dy imazhe metaforike të Gjermanisë, njërit prej vendeve në pararojë të qytetërimit perëndimor, njëri, pavijoni i paraqitur në Ekspozitën Universale të Parisit në 1937 me autor arkitektin e parapëlqyer të Hitlerit, Albert Speer, dhe pavionit të RF Gjermane në Bruksel të vitit 1958. Edhe pa parë shqiponjën dhe kryqin e thyer ndjejmë se ndërtesa kolosale e pavijonit të ndërtuar nga nazistët në stilin neoklasik dhe e lartë 150 metra ka diçka kërcënuese, përjashtuese dhe agresive, ku gjejmë arrogancën e Racës së Epërme dhe dëshirën për të shtypur nga ana psikologjike këdo që i afrohet, çka nuk na çudit, pasi është imazhi metaforik i një Gjermanie që po armatosej me shpejtësi për të pushtuar popujt e Evropës e më pas të të gjithë botës.
Ndryshe nga vertikaliteti dhe pamja imponuese e ndërtesës së pavijonit nazist, Egon Eirmann-i, autor i pavionit të 1958-ës ka zgjedhur një imazh paqtues dhe aspak agresiv për të gjitha ato kombe që i kishin ende të freskëta plagët që u shkaktoi Gjermania naziste dhe i druheshin rimëkëmbjes së shpejtë të saj në vitet ‘50. Shtrirja e pavijonit është horizontale, ndërsa zgjedhja nga ana e autorit të materialit kryesor, xhamit, lidhet si me tejdukshmërinë, një element thelbësor i një shoqërie demokratike, ashtu edhe me brishtësinë dhe thyeshmërinë e tij, çka kontraston hapur me zgjedhjen e një materiali vështirësisht të shkatërrueshëm si beton-armeja, si në rastin e ndërtesës së Albert Speer-it. Edhe përmasat e pavionit të ‘58, përveç shtrirjes horizontale janë rreth dy herë më të vogla se sa ndërtesa imponuese e pavijonit nazist. Pyes, çfarë do të ndryshonte sikur RFGj të paraqitej në pavijonin e 1958 me të njëjtën ndërtesë, duke hequr vetëm shqiponjën dhe svastikën naziste. Kush do të mendonte se tashmë RFGj është një vend demokratik dhe pluralist? Vështirë se do ta besonte kush.
Pra, edhe në rastin e muzeut tonë kombëtar problem nuk është mozaiku. Duke hequr atë nuk ndryshon pothuajse asgjë. Kjo për arsye se arkitektët e kohës së socializmit, për të mos u ngrënë hakun, të mbikëqyrur edhe nga komisione fanatikësh syçelët, dinin shumë mirë të përkthenin në gjuhën pamore të arkitekturës ideologjinë komuniste, çka shpjegon edhe dështimet spektakolare të këtyre arkitektëve, disa prej tyre të talentuar. Ku lexohet ideologjizimi i kësaj ndërtese? Nëse e vëmë re me kujdes, muzeu ngjan me një bunker masiv betoni dhe mermeri, përshtypje që ta përforcojnë edhe dritaret të ngjashme me frëngji të gjata. Kjo përshtypje është në harmoni të plotë me imazhin që kërkonte të përcillte pushteti për “kalanë e pamposhtur në brigjet e Adriatikut”. Duket qartë që marrëdhënia e brendisë së ndërtesës me hapësirën jashtë saj synon të theksojë hermetizmin e saj, po ashtu një karateristikë e njohur e Shqipërisë së asaj kohe. Përveç kësaj, në të është “shkruar” koncepti historicist, një mendësi tipike për ideologjitëtotalitare si komunizmi; se historia lidhet me një memorje dhe me një projekt të paracaktuar, të shkruar në AND- e shoqërisë njerëzore, dhe komunistët shqiptarë ishin të zgjedhur nga historia për të udhëhequr shqiptarët në rrugëtimin drejt parajsës komuniste, ku do arrihej pa dyshim pas ndërrimit të njëpasnjëshëm të sistemeve shoqërore. Sipas kësaj logjike, shqiptarët deri para themelimit të partisë komuniste ishin udhëhequr nga prijësit e gabuar dhe kishin bërë zgjedhjet e gabuara. Këtë besim, që është baza e mesianizmit laik të komunizmit dhe e eskatologjisë së tij e gjejmë në organizimin grafik dhe hapësinor të mureve të muzeut. Duket qartë se pjesa e sipërme e ndërtesës, me ngjyrë të çelur dhe më e gjerë mbështetet mbi një brez muri të veshur me mermer të errët. Kjo ndarje pamorisht kërkon të përçojë idenë se historia e Shqipërisë komuniste mbështetet mbi një traditë historike e cila, sado e mbushur me përpjekje dhe luftëra, nuk mund të krahasohet me arritjet dhe fitoret e arritura nga populli shqiptar pas fitores së komunizmit. Nëse e vemë re me kujdes, hyrja në portën kryesore të muzeut duket se fillon pikërisht në nivelin ku fillon kati i dytë (i periudhës së socializmit) mbështetet mbi të parin duke na përcjellë bindshëm idenë e fillimit me këmbën e mbarë të historisë për shqiptarët. Të njëjtin funksion ndarës midis dy epokave luan edhe brezi zbukurimor me simbolet e parapëlqyera të komunizmit; ylli, kazma, pushka, libri, dafina etj.
Po ashtu totalitare dhe tipike janë edhe artikulimi i brendshëm i hapësirave të pavijoneve të cilat paraqesin vështirësi të riorganizohen duke humbur çdo lidhje me konceptimin e mëparshëm. Pra, ndërtesë të realizmit socialist muzeun nuk e bën mozaiku në ballinën e tij, por i gjithë konceptimi i ndërtesës. Atëhere ç’mund të bëjmë? Ta prishim krejt? Vështirë se ka ndonjë që e merr seriozisht parasysh këtë alternativë. Të zgjerojmë dritaret, të ndërrojmë ngjyrën e mermerit të pjesës së poshtme duke prishur përshtypjen e mbivendosjes së katit të dytë mbi të parin? Do të ishte një operacion plastik që do të ishte “politikisht korrekt” por do të ishte jo koherent për nga konceptimi artistik, çka është shenjë e pagabueshme amatorizmi. Pra në pamundësi për ta “përshtatur” me konceptet e kohës së sotme, nëse nuk mund ta zëvendësojmë krejtësisht si në rastin e pavijoneve gjermane ndërtesën totalitare me një ndërtesë me konceptim tipik për një shoqëri demokratike, atëherë le ta ruajmë si një relike e një sistemi të përmbysur pa i ndryshuar asgjë.
Para disa vitesh si drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve ju krijuat sallat e kuqe dhe blu, me vepra të realizmit socialist. A vlen ajo përvojë, ato reagime që pati koncepti juaj për të diskutuar situatën në fjalë që me ç’duket i takon riciklimit të një debati të lënë përgjysmë, një debat i pakryer ndërmjet brezave, politikës, me historinë.
Mendoj se pyetja juaj lidhet me anën morale dhe etike të problemit që po shqyrtojmë. Nëse duhet shkatërruar mozaiku, atëhere mbi këtë filozofi duhen shkatërruar të gjitha tablotë dhe skulpturat që gjenden në fondin e Galerisë Kombëtare, të gjithë filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re” e kështu me radhë. Para pak kohësh patëm një rast i cili më la shije të hidhur. Familja e trashëgimtarit të fronit, pas marrjes së pronës, ish- pallatit të Pionierëve, shkatërroi me një zell dhe mllef për të cilin mendonim se nuk ishin të aftë, një mozaik me fëmijë të së njëjtës periudhë, por më të vjetër se mozaiku i muzeut. Sigurisht që është e drejta e pronarit të mbajë apo të shkatërrojë një mozaik, por respektimi i tij do të dërgonte një mesazh qytetarie aq të nevojshëm për tranzicionin e gjatë dhe rraskapitës që po kalojmë. Nëse dëshira për të shkatërruar mozaikun e Muzeut do të tingëllonte i pranueshëm deri-diku në vitet e para menjëherë pas rrëzimit të regjimit komunist, sot mendoj se një qëndrim i tillë i skajshëm është i tejkaluar nga koha dhe nuk mund të shërbejë si bazë legjitimuese për operacione spastruese. Përveç kësaj më lejoni t’u kujtoj se përballë mozaikut, në ballinën tejet elegante të Bankës Kombëtare shohim disa relieve të mbijetuar nga fushatat e spastrimeve që ndërmerreshin rregullisht në kohën e komunizmit. Ato relieve të papranueshme për moralin puritan të komunistëve dhe që vështirë t’u kenë shpëtuar syve të tyre të kudogjendur për fatin tonë dhe të ndërtesës së Bankës u toleruan.
Sa për ekspozitën që përmendni ju “Surrealizmi Socialist” më kujtohet se u shoqërua me reagime të ashpra nga ekstremistët e të dyja krahëve. Për komunistët vendosja e veprave në konceptin ironik të surrealizmit socialist u perceptua si fyerje e “epokës së ndritur të socializmit shkencor”, ndërsa vendosja e bustit të Komandantit në një raft të çfarëdoshëm si një blasfemi e papranueshme. Ekstremi i djathtë “me largpamësi” e pa si shenjën më të qartë të rivendosjes së neo-komunizmit në Shqipëri dhe bënte thirrje për vigjilencë përpara këtij rreziku të afërt. Pas gati dhjetë vitesh, të dyja këto reagime tingëllojnë të tepruara dhe gati komike, ndërsa ajo ekspozitë mendoj se mbetet përpjekja e parë për të riparaqitur në një kontekst të ri një periudhë traumatike si ajo e periudhës 1944-’90. Përveç kësaj mendoj se një trashëgimi kulturore duhet ruajtur duke mos harruar brezat që do të vijnë. Përfytyroni pesëdhjetë vjet më vonë një grup studentësh të arkitekturës të cilët studiojnë historinë e arkitekturës së kryeqytetit dhe dëgjojnë ndër të tjera nga pedagogu i tyre se aty dikur ka patur një mozaik i cili u shkatërrua sepse i përkiste periudhës së komunizmit. Ka shumë të ngjarë që ata të bëjnë pyetjen e pafajshme: po përse e prishën? Arsyeja se i përkiste një sistemi të egër totalitar të përmbyshur nuk besoj se do t’i bindë.
Ekziston dhe një “tip i ri” qytetari shqiptar që thotë se ai mozaik nuk na përfaqëson. Ç’përgjigje do t’i jepnit atij?
Mendoj se problemi shtrohet gabim. Ai mozaik nuk është aty për të përfaqësuar qytetarët e Tiranës apo të Shqipërisë. Ai është aty si dëshmi e një mendësie dhe një epoke historike, e një regjimi që pa dyshim provoi të ishte një fatkeqësi e vërtetë kombëtare, pasojat e të cilit do t’i ndjejmë edhe për shumë kohë, por me trashëgiminë e të cilit nuk mund të sillemi siç u sollën ata me trashëgiminë e regjimeve që u paraprinë. Atëherë do të tregonim se jemi pasardhës të denjë të mendësisë së tyre, të fanatizmit dhe intolerancës së tyre. Nuk e kemi luksin të fshijmë nga kujtesa jonë kolektive pamore çfarëdo dëshmie të së kaluarës. Ky qëndrim do të ishte mendoj ana tjetër e medaljes së totalitarizmit, e revanshizmit të fitimtarit, e idesë se shkrimi i historisë është e drejtë vetëm e tij. Marrja e një pozicioni të tillë është vërtet trishtues pasi tregon se nuk kemi kuptuar asgjë nga gabimet e shkuara dhe nuk kemi mësuar asgjë nga e tashmja.

kolektiviza thënë
Të hiqen simbolet e komunizmit
Elsa Demo
10-01-2008
Mozaiku i Muzeut Kombëtar e zhvendos problemin tek simbolet e komunizmit. Drejtoresha e arkivit të shtetit, Nevila Nika, deklaron që duhen hequr simbolet dhe gjurmët që na kujtojnë diktaturën
Po bëhet i njëzëshëm opinioni i specializuar ndaj idesë për heqjen e mozaikut mural të Muzeut Historik Kombëtar. Historianë, studiues dhe teknicienë që flasin në këtë shkrim janë kundër prekjes së mozaikut i vendosur aty në vitin 1981. Qëndrimi i tyre rrok dy aspekte të çështjes: historik dhe moral për vepra publike të ngritura në periudhën e diktaturës komuniste. Askush nga folësit në debat nuk i hyn vetiu diskutimit estetik, pasi problemi është tjetërkund. Edhe drejtori i muzeut, Beqir Meta, “ka shumë që e kanë quajtur mediokër”, tha ai, e futi këtë argument “estetik” në kutinë e të zezave të veprës së quajtur “Shqipëria” krahas ideologjisë dhe partishmërisë.
“Artistikisht më duket shumë i bukur”, thotë drejtoresha e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, prof. asoc. dr. Nevila Nika e cila, edhe pse është një nga shtatë anëtarët e këshillit shkencor të Muzeut Historik Kombëtar, nuk kishte dijeni për këtë deklaratë të drejtorit Meta. “Në vitin ‘92- ‘93 i është hequr ylli, ndërhyrje që më duket normale, por deri këtu. Sipas kësaj logjike, nëse duhet hequr mozaiku atëherë i bie të hiqet edhe bazorelivi i kryeministrisë”. Historiania na kujton se nuk ka arsye t’i vijë radha një vepre si mozaiku kur në radhë të parë janë gjurmët që të kujtojnë diktaturën e Hoxhës ato që duhen hequr. “Kemi sot e kësaj dite emra rrugësh, shkollash që të kujtojnë diktaturën. Në Tiranën e Re një rrugë mban emrin “Ndreko Rino”, partizan që më pas u bë gjeneral nga E. Hoxha. I kuptoj emërtimet me emrin e Mujo Ulqinakut, por me Bardhok Bibën, jo s’i kuptoj.”
Shembulli që na jep drejtoresha e arkivit na kujton aksionin politik që finalizoi vitin e shkuar qeveria spanjolle e Zapateros duke zgjidhur me ligj raportet delikate me kujtesën historike. Ligji detyronte heqjen e çdo gjurme të frankizmit nga rrugët, monumentet, kishat dhe ndërtesat publike të Spanjës, heqjen e çdo emri apo simboli që lidhet me dyzet vitet e diktaturës së Francisko Frankos, me grushtin ushtarak, luftën civile dhe represionin. Qysh kur erdhi në pushtet kryeministri aktual Zapatero i kish quajtur jo të ligjshme dhe të padrejta këto simbole. Ligji pati kundërshti por në tërësi politika dhe qytetaria spanjolle treguan se vetëm një qëndrim i tillë unanim mund të mbahet ndaj diktaturave. Kështu ka pak muaj që 18 korriku (datë kur nisi lufta civile) njihet si “Dita e Kujtesës” për të dënuar frankizmin.
Iris Pojani, drejtoresha e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, na tha dje se nuk ka dijeni për këtë çështje dhe se “nga ana e drejtorit të Muzeut Kombëtar nuk na ka ardhur ndonjë pretendim për heqjen e mozaikut. Megjithatë, për çështje të tilla është e pamundur të vendosë një njeri i vetëm. Edhe nëse do të merret në shqyrtim, atëherë duhet diskutuar me specialistët e fushës dhe në komisione të caktuara. Dhe për mendimin tim, ai mozaik është një simbol dhe duhet të mbetet i paprekur. MTKRS, ka të tjera projekte më të rëndësishme për të cilat po punon.”
As Institutiti i Monumenteve të Kulturës dhe drejtuesi i tij Lorenc Bejko nuk e ka ndjekur median këto ditë. I informuar dje na pohoi se IMK do të ketë ç’të thotë për mozaikun “Shqipëria” atëherë kur t’ua kërkojnë një mendim për anën teknike të çështjes, nëse do duhej një ditë që vepra të zhvendosej.
Ajo që bën përshtypje në këtë histori është që drejtori i MHK që ka tërhequr pas në debat jo pak intelektualë, nuk ka vënë në dijeni ndonjë institucion epror si Ministria e Kulturës apo këshillimor e shkencor siç është këshilli i tij shkencor që përbëhet nga historianë e specialistë. Asnjë raport ku të shtrohet kërkesa dhe ideja e drejtorit nuk është depozituar dhe as diskutuar gjëkundi në hallkat zyrtare. Atëherë ka folur Beqir Meta apo drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Beqir Meta, ka folur shteti apo një njeri që bën pazare në dyert e shtetit!
Neritan Ceka: “E papranueshme!”
“Mozaiku në ballë të Muzeut Historik Kombëtar nuk mund të zhvendoset. Nuk është çështja tek problemet teknike që paraqet heqja e tij, nëse shkatërrohet, apo jo. Mozaiku është pjesë e arkitekturës dhe si e tillë duhet të qëndrojë aty. Pas heqjes së yllit, për të mos u identifikuar me një qëndrim të caktuar politik, ai mozaik është një vepër normale e artistëve shqiptarë, të cilën ne duhet ta ruajmë ashtu siç është. Për më tepër, nuk bëhet fjalë as për një vepër arti provokative apo komuniste. Pavarësisht se ka një pushkë edhe një kazmë, brezat që do të vijnë do të mësohen edhe me to. Koncepti i heqjes është tërësisht i papranueshëm. Në fund të fundit, kjo është historia jonë. Nëse ecim me këtë mendësi, atëherë do të ndodhë që gjatë qeverisjes së demokratëve të vendosim në vend të mozaikut një vepër tjetër, e cila mund të hiqet nga krahët e tjerë politikë, që mund të vijnë në pushtet e kështu me radhë. Ndryshimet e gjurmëve të sistemeve të ndryshme, duhet të quhen kapitull i mbyllur. Nuk besoj se ideja për të hequr mozaikun është politike, megjithatë duhet të futemi në logjikën evropiane. Sipas logjikës që ndiqet këtu, atëherë në Francë duhet të ishte prishur varri i Napoleonit, kur në fuqi erdhën burbonët, në vitin 1830, apo marrim rastin e Italisë, ku nuk u prish asnjë monumet i kohës së Musolinit. As ne nuk duhet të ndryshojmë asgjë. Ne nuk kemi prishur bazorelievet e kohës së fashizmit. I gjejmë edhe sot tek godina e Maternitetit, apo tek Banka e Shqipërisë… Tashmë mozaiku është pjesë e traditës dhe nuk ka ligje për të rregulluar mënyrën se si një popull do të trajtojë kujtesën historike.”
lulian kodra thënë
Libri i Qeshjes dhe i Harreses, nga Milan Kundera fillon me nje fakt historik. Pas Luftes se dyte, kur Cekia dhe Sllovakia u clirua nga fashizmi, kryetaret e ketyre dy vendeve dolen ne fotografi se bashku. Me pas, kur u krijua Cekosllovakia, e cila kishte marre udhet e komunizmit, kryetari i ketij shteti te ri ishte vetem njeri, tjetri u quajt tradhtar, dhe me menyra teknike u hoq nga ajo fotografia ngadhnjimtare.
Nje tjeter parabole e lidhje me harresen e kushtezuar te totalitarianizmit, vjen nga George Orwell, ku personazhi kryesor i librit 1984, punen ne ministrine e kujteses, dhe puna qe ben eshte te fshije nga dokumentet figura te cilat quhen tradhtare.
As Spanja nuk ben mire, pasi mbetja e emrave dhe simboleve te Frankos i kujton spanjollet dhe gjithe boten qe u sul t’a shpetonte Spanjen, nder keta edhe George Orwell, se lufta me fashizmin nuk eshte kollaj te fitohet. Duke i larguar simbolet e humbjes se kesaj lufte ndaj fashizmit, spanjollet po ulin mbrojtjen, pasi memoria ka funksion sa kognitiv dhe difensiv.
Jam shume dakord me Gezim Qendron. Simbolet e diktatures mund te hiqen, por vete heqja e tyre nenkupton se mentaliteti i diktatures nuk eshte hequr akoma.
kolektiviza thënë
Status-quoja e një muzeumi
Nga Lorjan Agalliu*
Drejtori aktual i Muzeut Historik Kombëtar në një intervistë në gazetën Shekulli të datës 08, 01, 2008 ka hedhur idenë e heqjes së mozaikut që ndodhet në fasadën qëndrore në sheshin Skëndërbej të muzeut që ai drejton. Për këtë ai sjell gjithashtu disa argumenta, ku ndër më kryesorët janë vlerat ideologjike që përcon vepra dhe sensibiliteti i një pjese të kombit ndaj një periudhe e cila nuk mund të përfaqësojë gjithë historinë tonë.
Para se të jap ndonjë mendim për këtë më duhet të theksoj fillimisht se po bëhet vazhdimisht e qartë se tashmë kemi nevojë për të përcaktuar një qëndrim të përgjithshëm ndaj trashëgimisë kulturore të diktaturës. Në gazetën Korrieri të datës 16, 12, 2007 Fatos Lubonja adresonte po të jëjtin problem në shkrimin me titull “Biznesi banal me nostalgjinë e komunizmit”. Ndërsa autori fokusohej në shkrimin e tij në “trushpëlarjen” që i bëhet sot publikut me veprat e realizmit socialist, dhe më saktë nëpërmjet muzikës me anë të spektakleve që i ripërpunojnë këto vepra që edhe publiku t’i ripërtype ato më kollaj, ai gjithashtu prezanton edhe dy koncepte të ndryshme të trajtimit të këtyre veprave:
1. ruajtjen për arësye të studimit të fazave të ndryshme të asaj kohe, per të dalluar, nëpërmjet ndryshimeve të teksteve dhe të melodive, periudhat e ndryshme të diktaturës dhe të propagandës socrealiste që e ka shoqëruar atë.
2. rimarrjen e cila ndryshe nga ruajtja kërkon identifikimin me veprën për atë që angazhohet në rrimarje. Dhe për ta ilustruar më tej me shembuj ai përmend dikë që këndon këngën e komandantit Che Guevara dhe identifikohet me të sepse beson në mitin e revolucionarit, apo edhe komunistit do shtoja unë. Ndërkohë kush mund të identifikohet sot me këngën “Shoqet tona ilegale” apo “Baballarët” që janë këngë që u bënë shumë më vonë, jo në kohën e Luftës, për të rritur edhe më tej kultin e shoqeve (si shoqja Nexhmije) dhe shokëve (si shoku Enver) udhëheqës të partisë që në emrin e Luftës shtypën e çnjerëzuan një popull të tërë për 45 vjet? Është e qartë se kush, po të përjashtojmë një pjesë të “trushpëlarëve” për të cilët rëndësia për t’u identifikuar me ndonjë vlerë nuk është në rend të ditës.
Por ndërsa solla përqasjen e Lubonjes për të përkufizuar nocionet e vleresimit të këtyre veprave, më duhet të theksojë gjithashtu një ndryshim cilesor midis rastit që analizon Lubonja, dhe që i referohet kryesisht muzikës, dhe rastit në fjalë i cili implikon artin dekorativ, arkitekturën dhe urbanistikën. Ky ndryshim ka të bëjë me dimensionin e ndryshëm publik që kanë këto arte nga njeri tjetri, gjë që e bën si ruajtjen ashtu edhe rimarrjen të trajtohen ndryshe në këto arte.
Muzika mund të jetë sa nje experiencë private aq edhe publike sipas dëshirës së atyre që duan ta shijojnë ate, pra nuk është dicka e imponueshme. Edhe nësë artit muzikor që evokuon nazizmin, apo komunizmin i hiqet mundësia për t’u shfaqur në publik kjo nuk i pengon individe të vecantë ta “shijojnë” atë. Gjithashtu mundësia që të lejon vetë mediumi nëpërmjet rregullimit të orareve të transmetimeve në radio apo kanaleve private televizive, ose shfaqjeve të limituara për publikun e gjerë është një mënyrë tjetër për ta adresuar këtë problem. Pra dimensioni publik i muzikës është i tillë që e lejon ruajtjen si të ndryshme nga rrimarja.
Arkitektura nuk e ka këtë fat, ndryshe nga pjesa më e madhe e arteve si letërsia, muzika, piktura, skulptura, fotografia, filmi etj. Dimensioni publik i arkitekturës është si të thuash i pashmangshëm – c’ka do të thotë se edhe ruajtja, edhe rrimarja në arkitekturë kanë dimension publik. Procesi i ruajtjes për efekt studimi dhe njohjeje në arkitekturë nuk mund të bëhet jashte funksionalitetit të veprës, po aq sa c’është e vërtet që ky lloj funksionaliteti implikon vazhdimisht rimarrjen. Dhe në rastin në fjalë megjithëse flasim për një mozaik, ai ka tashmë një dimension të padiskutueshëm arkitektonik, c’ka domethëne se vlerat e mozaikut dhe të ndërtesës janë të ndërlidhura. Arkitektura është një art që i ka vlerat kryesore në cilësitë hapësinore dhe strukturore – na angazhon jo nëpërmjet cilësive vizuale sic bën piktura, por nëpërmjet cilësive hapësinore. Muret (struktura) shërbejnë për të orientuar vëmendjen tonë drejtë hapësirës. Pikërisht për këtë artet dekorative në arkitekture kanë një funksion primar ndërmjetës midis hapësirës dhe strukturës. Nga ana tjetër nëse ka ndonjë art që qëndron tërësisht mbi themele ideologjike kjo është arkitektura sepse i ka disa dimensione të detyrueshme sic janë ai social, ekonomik, politik dhe historik. Pra si të thuash arkitektura i vë në punë elementet e saj në unison. Edhe sikur të mendohet se mozaiku do zëvendësohej me një mozaik tjetër me përmbajtje ideologjike dhe stil tjetër, a nuk do ishte ky i vendosur në vendin e gabuar, dhe a do t’i shpëtonim ne asaj që e quajmë rimarrje?
Është e vërtet që historia ka njohur gjithmonë raste të tilla , sidomos në konvertime që kanë shënjuar momentet historike të kalimit nga një ideologji fetare tek tjetra (kristianizëm – myslymanizëm, hinduizëm – budizem etj.), por këto asnjëherë nuk kanë pasur vlerësimin historik dhe kulturor si dimension. Të thuash që problemi qëndron tek mozaiku, ndërkohë që nuk do (nuk di) të njohësh problemet e arkitekturës, nuk e adreson problemin por i ke hapur mundësinë një problemi akoma më të madh që ka lidhje me strukturën arkitektonike apo akoma më shumë atë urbane. Dhe për mendimin tim është pikërisht në këtë të fundit – urbanistikën – që duhet kërkuar zgjidhja.
Një nga dukuritë më negative do thosha unë por edhe më e përhapura që është vërejtur në zhvillimin urban të qyteteve tona, është mungesa totale e respektit për stukturat ekzistuese. Dhe këtu nuk e kam fjalën për mungesë e respektit qëqytetarë e thjeshtë apo edhe firmat e ndërtimit kanë për ambientet e banimit, parqeve, fushave të sportit apo ku e di unë se c’farë, që janë okupuar nga ata, duke dëmtuar shpesh edhe cilësinë e jetës së tyre. E kam fjalën për atë mungesë respekti që strehohet pikërisht në instancat më të larta vendimarrëse që kanë në dorë planifikimin në Shqipëri. Kush mund të harrojë shkatërrimin e Kinema 17 Nëndorit me vendim të KRRTSH-së dhe ngritjen në të të pallateve, dhe që u premtua nga kryetari i sotëm i Bashkise së Tiranes bashkë me kryeministrin e atëhershëm se do ndërtohej njësoj si e para?! Kush mund të harrojë gjithashtu Projektin e famshëm Francez për Tiranën, që planifikonte në oborrin e brendshëm të këtij Muzeu për të cilin flasim të ngrihej një kullë xhami (ëndrra falike e kryetarit të bashkisë në mes të Tiranës!), kurse në ish godinën e Komitetit Qëndror mbivendosej parlamenti. Të gjithë e kanë parë se c’farë travestie arkitektonike u përzgjodh në konkursin më të fundit për t’u ndërtuar atje! Sigurish përvec atyre që i planifikojnë këto monstra dhe nuk rreshtin së lavdëruari ato.
Ndërkohë kjo dukuri negative në planifikim patjetër që do shoqërohej ose do vinte si shkak i një dukurie po aq negative sa c’është mungesa e vizionit në planifimin urban. Planifikimi i kryeqyteti Shqiptar e ka reduktuar gjithë vëmëndjen e zhvillimit të dimensionit të vet publik në qëndër! Kujt nuk i bën përshtypje përshembull se ndërsa popullsia e Tiranës është pothuajse trefishuar, shërbimit urban nuk i është shtuar as edhe një linjë e vetme urbane, dhe as edhe nje kilometër më shumë se c’kishte në vitet 80-të dhe fillim të viteve 90-të.
Po c’fare lidhje ka e gjithë kjo do pyesi dikush me mozaikun e Muzeut Historik. Ka shumë lidhje do thosha unë, sepse jeta urbane në Tiranë vazhdon të mbetet e varfër me gjithë energjitë që rrezaton. Në fakt dikush duhet të kishte menduar se nëse kjo ndërtese bashkë me mozaikun e vet që nuk na përfaqson, në vend se të kerkohej për të hyrë në operacione gjysmake, ndoshta do ishte me vend propozimi i një Muzeu te ri për Historinë e Shqipërisë, që do bënte të mundur eleminimin e shumë të metave që paraqet muzeu aktual. Kjo do e linte atë në nivelin e një relikeje, ashtu sikurse qëndron sot piramida e ndërtuar për nder të diktaorit. Nisma të tilla si ajo e ndërtimit të Parlamentit të Ri, Muzeut Historik Kombëtar, monumenteve për Nënë Terezën, duhet të përdoreshin për t’i dhënë gjithë qytetit dhe strukturës urbane një dimension të ri, dhe jo të reduktoheshin në konvertime të dyshimta që nuk duket se i sjellin asgjë publikut. Nëse ai mozaik dhe ajo godinë por edhe shumë të tjera kanë atë ndikim në politikë dhe shoqëri sa kanë sot, nuk i kanë për vlerat që mbartin, por për shkak të qëndrimit tonë ndaj tyre. Hapësira e sheshit Skëndërbej vazhdon të trajtohet sikur të ishte gjithcka që shkon keq me Tiranën. Edhe kur kërkohet të preket, trajtohet si e ngurtë, sikur gjithcka që ajo i ofron këtij qyteti sot të ishte në rregull përvecse trafikut dhe mungesës së ndonje ndërtimi të lartë në periferi të saj – në të njëjtën kohë i lejojmë vetes të trajtojmë fare pa kujdes strukturat rreth saj, në një perpjekje donkishoteske për të dominuar status-quone.
*Arkitekt dhe Urbanist, Nju-Jork
kolektiviza thënë
Le të hiqet nëse na bën më të mirë
Suzana Varvarica Kuka
16-01-2008 Shekulli
Diktaturat pjellin krimin, demokracitë e evidentojnë atë. Ja pse ai mozaik duhet të rrijë aty ku është vënë qysh në vitin 1981 si simbol i një diktature të pajetë
Nuk mund të jetë indiferent asnjë profesionist që punon në fushat e historisë rreth idesë së hedhur sërishmi për të hequr mozaikun “Shqipëria” nga sheshi i Tiranës, që shpesh me ironi është quajtur “sheshi i kuq”. Natyrshëm ka qenë një shesh i kuq dhe natyrshëm është një shesh me histori ku vazhdojnë të ndodhin ngjarje.
Çështja tashmë është hedhur në tregun e ideve. Kam mendimin se do të ishte shumë mirë që një profesionist i fushës së historisë siç është z. Beqir Meta, të paraqiste para medias për këtë problem madhor, mbase jo idetë e tij, por përfundimin e ideve të dala nga bashkëbisedimi me specialistë dhe profesionistë për t’i hedhur më pas në mexhelisin e medias, nëse vërtet ekzistojnë ide dhe argumentime të tilla.
Vendosa të përfshihem në këtë atmosferë delikate të bëmave tona. Përse një grup njerëzish duan që moziku të hiqet nga ballina e Muzeut Historik Kombëtar?
Çdokush që i afrohet një vepre arti tenton të zbulojë “rrëfimin” e figurave të saj. Me pak fjalë mund të thuhet se mozaiku është vepër e lindur sipas parimeve të metodës së realizmit socialist dhe ka për subjekt një tematikë historike. Një nga perceptimet e kohës komuniste mbi figurën e mozaikut ka qenë që Shqipëria dhe populli i saj gjatë gjithë shekujve nën simbolet e luftës, të penës dhe të punës komuniste kishin arritur të ndërtonin një vend komunist dhe një fanar ndriçues në mes të Europës. Kjo histori, edhe e vërtetë përsa i përket armëve, penës dhe punës, edhe megallomane dhe e frikshme për sa i përket triumfit, fanarit, grushtit, komunizmit, u kompozua në mozaik në përputhje me historinë e politizuar e të shpallur dhe me politikat kulturore të regjimit. Autorët me devotshmëri ndaj politikave në fjalë dhe impenjim artistik mbi realizmin socialist ndërtuan këtë histori figurative, histori që u mësohej çdo ditë shqiptarëve. Kjo do të thotë se në sipërfaqen e mozaikut janë përjashtuar disa çaste të tjera e të rëndësishme nga historia politike e Shqipërisë, çaste të cilat po marrim frymë dhe njohje në ditët sot. Si rezultat i kësaj historie politike, i skematizmit dhe dogmatizmit rrëfimtar mbi përrallën e parajsës komuniste, dhe në këtë stad zhvillimi që është shoqëria jonë është e vëshirë të themi se kemi arritur të vendosim një harmoni dhe bashkëjetesë idesh. Në këtë pikëpamje z. Meta, si drejtor i një institucioni, mbron një këndvështrim të ndryshëm politik ndaj historisë politike që e ndërtoi mozaikun e vitit 1981 dhe kjo është e drejtë, por nuk është arsye për të hequr mozaikun. Për këtë vepër mendoj që është shprehje është simbol figurativ i asaj diktature të pajetë. Ndërsa demokracisë sonë të re i del si detyrë të evidentojë të keqen e asaj kohe nga njëra anë dhe vlerat e veprave të artit nga ana tjetër.
Vetëm duke qenë një sistem demokratik, politikat kulturore kanë për të pranuar me tolerancë faktet historike dhe artistike dhe kanë për t’i ruajtur ato me fanatizëm për arsye shkencore dhe studimore. Një vepër arti nuk trajtohet si krim. A nuk është ky mozaik një copë e vogël nga banesa e madhe e komunizmit diktatorial shqiptar? A nuk është ky mozaik një copë e vogël e historisë sonë? Sot, ndërsa na duket si një copë e madhe e saj, në motet që do të vijnë, do të ketë atë përmasë sa mund të trajtohet si relike e një arti social. Le të mundohemi ta ruajmë për këto qëllime dhe aspak për qëllime të tjera. Të gjitha qëllimet e tjera e çojnë atë drejt një shkatërrimi gjakftohtë.
Le të kujtojmë disa fakte të hidhura. Hedhja në erë apo grabitja e monumentit “Mirditoret” në Rrëshen, është akt kriminal me ngjyresa politike. Rënia e kësaj vepre tregoi se shoqëria jonë ishte e papërgatitur për të pranuar demokracinë edhe në art. Atëkohë mund të thoshim se ishte fillimi i tranzicionit, i ndryshimit dhe mllefi kundër komunizmit ishte i pranueshëm, i nxehtë dhe hakmarrës.
Edhe pse në një moshë kur nuk isha e ndërgjegjshme që po bëhej një krim, por që ishte një krim, mbaj mend shumë mirë zhurmën e madhe të shkaktuar nga hedhja në erë dhe shkatërrimi i godinës italiane të Bashkisë së Tiranës, në anën perëndimore të sheshit fashisto-tradicional-shqiptar të kryeqytetit. Dhe po kështu një fjalë të nënës se ajo godinë ishte vetë Tirana. Diktatura bëri edhe një krim tjetër në atë kohë: tjetërsoi formën dhe modelimin arkitektonik dhe dekorativ të shatërvanit të qendrës së sheshit. Më pas vazhdoi të bënte ndërtime të shëmtuara dhe megallomane si Pallatin e Kulturës dhe Muzeun Historik, hotelin 15 katësh, duke shkatërruar ndërtesa dykatëshe që rrethonin për mrekulli sheshin e Tiranës, si dhe duke i dhënë këtij sheshi një pamje të metaforave arkitektonike të disa lloj qëndrimeve konglomerate dhe ngatërruese me njëra-tjetrën.
Për një brez të ri, bukuria e këtij sheshi qëndron në faktin se brenda një qarku jo të madh, mund të shohë historinë dhe kapacitetet intelektuale të kohëve dhe të disa kulturave të ndryshme.
Kështu, nëse shkatërrimi i mozaikut kërkohet nga shumë, ashtu siç kërkuan, zvarritën dhe shkatërruan shtatoren e diktatorit Hoxha dhe, nëse shkatërrimi i mozaikut do të sjellë rehatimin e demokracisë ndër ne, le të bëhet! Nëse besojmë se historinë e shkatërrojnë vetëm diktaturat dhe jo demokracitë, le ta lemë atë mozaik të qëndrojë aty ku është!
Robert Kananaj thënë
Te zhvendoset mozaiku i Muzeut, te vendoset ne dyshemen e hyrjes nga jashte ose brenda, ne vend te mozaikut te mos vihet as gje, pra, siperfaqja te lihet boshe. Ky per mua eshte veprim i justifikueshem duke pare se sa jo konseguente eshte ajo si krijimteri edhe brenda vet autoriit te tij Vilson Kilica. Ne kete menyre ne ndihmojme edhe vet autorin ne kete vendim te veshtire, dhe veten tone si bashkekohes dhe deshmimtare, dhe artin dhe kulturen tone, qe te mos jete si jane politikat diktuese, si ajo ne kohen qe u krijua ky mozaik edhe tani, ato qe dominojne ne art.
ujku i zi thënë
Robert, me pelqen shume ajo qe the – te lihet bosh!
Selfmaderadio thënë
Mua me pelqen akoma me shume ideja qe te behet dysheme e t’i ecim persiper kur te vizitojme muzeun. Perfekt!