Stalini dhe Lenini do të prehen në Galerinë e Arteve
Posted by kolektiviza on Qershor 7, 2008
Stalini dhe Lenini do të prehen në Galerinë e Arteve
Shqip
Historia e diktatorëve nuk do të rrëfehet vetëm në libra të ndryshëm biografikë, dokumente të pafundme që ruhen nëpër arkiva, por dhe në ato imazhe të gdhendura në bronz, që emrat më të njohur të artit të kohës kur janë krijuar i realizuan me aq kujdes. Në Bashkimin Sovjetik të viteve ‘40-‘50, Nikolai Tomskij, një nga skulptorët më të njohur të këtij vendi, punoi me muaj të tërë për të ndërtuar monumentin e liderit të tij. Përballë një fotografie që e mbante në fonterinë ku punonte, me zërin e diktatorit që përcillej nga çdo valë radioje, ai ngjizi çdo ditë me kujdes një monument, që nuk ishte thjesht imazhi i Stalinit, por një realizim artistik perfekt i tij. Artistët dinë të shohin dhe përtej diktaturave, duke zbuluar tek ata atë çfarë është më thelbësore, brendësinë, të qenit njeri. Dhe sot, kur shohim këtë punë të realizuar nga Tomskij, kupton gjithë filozofinë që udhëhoqi një nga figurat më të rëndësishme të politikës së atij vendi, protagonizmin dhe vetminë që e shoqëroi në vitet e fundit të jetës. Nikolai nuk kishte bërë thjesht një monument, por kishte parashikuar dhe të ardhmen e Bashkimit Sovjetik, stinët e ftohta që po afroheshin në jetën e këtij burri, para së cilit përuleshin të gjithë.
Por, monumenti i Nikolai Tomskij nuk do të vendosej në asnjë cep të perandorisë ku Stalini jetoi. Monumenti që diku ka të shënuar 1951, do të udhëtonte drejt Tiranës si një dhuratë për Shqipërinë socialiste. Fillimisht Stalini i madh i Tomskij do të vendosej në sheshin “Skënderbej” në vitin 1954, pikërisht aty ku sot ndodhet monumenti i Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeu. Historia e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik mund të shihet dhe në një vështrim që i bën këtij monumenti. Shqiptarët dhe vetë diktatori Hoxha do të përuleshin përpara këtij monumenti ditën kur Stalini u nda nga jeta. Në vitin 1968 ky monument zhvendoset në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, për t‘u hequr që andej ashtu si të gjitha veprat e realizmit socialist më 1990-ën. Tashmë Stalini nuk e përfaqësonte simbolin e fuqisë së ndryshimit, por imazhin e një të shkuare që i kishte kushtuar shumë popullit të tij. Vepra që Nikolai Tomskij e ndërtoi me dashurinë e një artisti për punën e tij për gati 17 vjet, qëndroi i magazinuar në Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit.
Për të mos pasur fatin e veprave që përfunduan në skrap, apo që u shkatërruan, Galeria Kombëtare e Arteve vendos t‘i bëjë pjesë të fondit të saj monumentin e Stalinit dhe atë të Leninit, që ndodheshin në QRVA.
Transportimi i dy monumenteve (7 tonë bronz të dyja) nga vendi ku rrinin prej vitesh drejt sheshit të pasmë të Galerisë së Arteve, ka tërhequr vëmendjen e shumë njerëzve, mes të cilëve dhe turistëve të rastësishëm, të cilët i kanë bërë dhe foto. Drejtori i Galerisë, Rubens Shima, thotë se të dyja veprat do të jenë pjesë e këtij institucioni, që ka vendosur t‘i marrë në mbrojtje, si vlera të rëndësishme historike, dokumentuese dhe artistike për kohën kur janë realizuar.
Monumentet do të qëndrojnë të ekspozuara në pjesën e pasme të Galerisë dhe do të jenë pjesë e itinerarit që përshkruajnë vizitorët e këtij institucioni.
Stalini i Nikolai ka mundur t‘i rezistojë kohës. Portreti i tij duket sërish i lartë nën hijen e një pardesyje të gjatë.
Ndërsa Lenini, koka e të cilit është e mbuluar nga degët e një peme, mbart të gjitha shenjat e transformimeve dhe ndryshimeve politike që ndodhën në Shqipëri. Lenini është vepër e artistes Kristina Koliaka dhe ashtu si Stalini është realizuar në Bashkimin Sovjetik. Me gjithë dëmtimet (monumentit i mungon dora dhe ka shenja të dukshme të dhunës), ai pasqyron mënyrën sesi u soll historia me këtë personazh, por dhe një pjesë të historisë sonë të revoltimit kolektiv. Dhe shkatërrimet janë pjesë e historisë dhe në trupin e Leninit ato e tregojnë më së miri këtë.
Dy personazhet e njohura të politikës ruse do të jenë tashmë pjesë e institucionit kryesor të arteve në vend, i cili synon të kthehet në një muze arti. Ato nuk janë thjesht një pasqyrë e artit të realizmit socialist, si pjesa më e mirë e këtij arti, por dhe një rrëfim historiko-politik i marrëdhënieve mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik.

Vemendje thënë
Nuk e di ne se bust te E. Hoxhes gjendet ne fondin e G.K.A., nqs s’i kan zhdukur, ato duhet te ken vend gjithashtu, mund ti vij radha pas ketyre, si psh. vepra sculpture E. Hoxha e O. Paskalit
…
“Ato nuk janë thjesht një pasqyrë e artit të realizmit socialist, si pjesa më e mirë e këtij arti”
@ autori i kesaj thenje rreth veprave skulpture te Lenin-it e stalin-it;
Mos duhej te cilsohej per fondin e skulptures se galeris kombetare dhe jo ne pergjithesi “si pjesa më e mirë e këtij arti”