Pikturat e realizmit socialist, art i zhdukur nga përmbysja e ideologjise
Posted by kolektiviza on Korrik 22, 2008
| Pikturat e realizmit socialist, art i zhdukur nga përmbysja e ideologjisë
Gazeta Sot |
| 21 July 2008 | |
| Në vitet ‘90 duke përqafuar modernizmin, u hodhën poshtë veprat e realizmit socialist dhe bashkë me to, edhe talenti i atyre që ishin brezi i parë që studiuan në kryeqendrat botërore të artit. E ndërkohë që të huajt gjurmojnë studiot për të gjetur vepra, që janë bërë në atë periudhë, ne nuk shqetësohemi as se ku ndodhet kjo pjesë e historisë sonë. Një pjesë e mirë e tyre është shpërndarë, nuk ka një gjetje të identitetit të tyre. Duke parë depresionin shpirtëror të popullit, i shkaktuar nga periudha e socializmit, një pjesë e veprave të realizuar në atë kohë u shpërndanë në vende të ndryshme të botës,madje shumë prej tyre nuk dihet ku kanë përfunduar. E ndërkohë është folur se do të çelet një muze me fondin që ka Galeria Kombëtare e Arteve, ku do të pasqyrohen pikërisht vepra që i përkasin realizmit socialist. Veprat e artit në atë kohë kishin disa tipare, që ishin në përputhje me ideologjinë asaj kohe. Studiuesja e artit Zana Varvarica tregon se këto piktura sot mund të duken të çuditshme, pasi ato ishin të stisura nga ideologjia e asaj kohe. Megjithatë, sipas saj gjatë kësaj periudhe u zhvillua dhe arti i realizmit, ku shumë artistë tentuan ta përdornin si një formë shpëtimi, duke krijuar hapësira të tjera në art. “Në çdo lloj fushe të jetës ekzistonte kjo lloj fryme, që kishte të bënte me pasqyrimin e një realiteti të stisur nga ideologjia komuniste për një realitet që nuk ekzistonte, por që kërkohej të ndodhte. Prandaj dhe këto piktura sot duken pak të çuditshme dhe ka një lloj fryme, e cila i dallon që janë të realizmit socialist pikërisht për këtë lloj realiteti që ato pasqyrojnë. Pra një realitet gati-gati optimist, por që është një optimizëm i ngrirë, i ngelur në disa forma gjigante të trupave njerëzorë, i disa ngjyrave që sjellin një hapësirë gati të paegzistueshme, sepse mendohet që ngjyra zakonisht sjell atë lloj objektiviteti që ndodh në natyrë, por unë e shikoj si një aparat fotografik që stakohet diku tek një grup njerëzish, apo një grup objektesh natyrore dhe bëhet një klishe, e cila ngelet aty. Kështu që realizmi socialist dallohet menjëherë, ndërsa në Shqipëri ka një specifikë ashtu si ka dhe në vende të tjera, që brenda realizmit socialist u zhvillua dhe realizmi, ku shumë artistë tentuan ta përdornin si një formë shpëtimi ku i shmangeshin temave të tjera të mëdha, por që krijonin hapësira të tjera në pikturë si portreti, natyra e qetë apo peizazhi. Megjithatë pak të mënjanuara të realizmit socialist dhe aty mund të ndjehen elementë të tij”, tregon studiuesja Varvarica. Por ajo që nuk gjen përgjigje dhe sot, pas gati dy dekadash është pyetja se ku kanë përfunduar këto vepra. Për këtë studiuesja e artit Zana Varvarica u shpreh se nuk ka ndonjë shifër të saktësi, ku mund të kenë përfunduar këto piktura, por sipas saj një pjesë e tyre kanë humbur dhe një pjesë ruhet në fondet e galerive. “Në atë kohë ka pasur shumë vepra arti sepse ishte një prodhim vjetor, ku çdo artist krijonte në studion e tij dhe paraqitnin një ose dy punime në ekspozitat e nëntorit apo të pranverës. Në përgjithësi veprat e artit në atë kohë u bliheshin artistëve nga shteti shqiptar i asaj kohe me një çmim, që mund të shkonte nga tre deri në tetë mijë lekë. Në atë kohë mendohej se artistët jetonin mirë dhe për atë kohë ishin normale ato çmime. Ato vepra arti që bliheshin shkonin në destinacione të ndryshme. Një pjesë e tyre vinte në fondin muzeut të GKA, një pjesë shkonte në galeritë e rretheve ku sallat e tyre kishin vazhdimisht të ekspozuara vepra arti dhe një pjesë e tyre shkonte në shkolla, dikastere të tjera, reparte ushtarake etj. Pjesa më e madhe e tyre mbetej në GKA, apo në galeritë rretheve ndërsa pjesa tjetër shpërndahej. Në këto arsye ka qenë një organizmin perfekt, pra ka qenë një megamakinë, që fillonte që nga shkolla se çdo të krijonin artistët dhe deri në fundin se ku do të shkonte vepra e artit. Por pyetjes se ku janë sot, është diçka tjetër dhe mund të mendojmë se shumë prej tyre në institucione janë humbur, por në jo në fondet galerive të artit, sepse shumë prej tyre i ruajnë akoma. Pra në institucione mund të jenë të humbura, të marra apo mund të jenë, por probabiliteti është se ato kanë humbur. E rëndësishme është që në GKA ato janë akoma”, pohon studiuesja Varvarica. Sipas saj sot ka artistë, që kanë krijuar para viteve ’90 dhe vazhdojnë të krijojnë dhe sot dhe të gjithë janë në transformimin e tyre. Pavarësisht se ndihen elementë të rëndësishëm të pikturës së tyre që kanë të bëjnë me emocionin dhe me ndjesitë kreative, tregon studiuesja, si figurë ajo ka pësuar transformimi sepse realizmi socialist ishte një frymë e shkruar nga një sistem ideologjik, që quhet i ideologjisë marksiste-leniniste, që donte të kishte artin e vet. Më tej ajo theksoi se në ditët e sotme është ndryshe, sepse artisti nuk e merr frymëzimin nga e shkruara, por ai e merr burimin nga frymëzimet e tij të ndryshme që mund t’i gjejë kudo. Ndërkohë që gjatë sezonit të vjeshtës, pritet që të gjitha këto vepra arti që janë krijuar në atë periudhë dhe gjenden në fondin e GKA, të ekspozohen për publikun. |
