kolektiviza

koleksion arti

Fotografia e angazhuar

Posted by kolektiviza on Tetor 3, 2008

Premte, 03 Tetor 2008 08:56:00
U hap në Galerinë Kombëtare të arteve ekspozita me fotografitë pjesëmarrëse në edicionin e parë të konkursit ndërkombëtar “Sotiri”Pasi kanë kaluar provën me skeptikët, vijnë në Tiranën, disi më të hapur ndaj së ndryshmes. Pas një muaji ekspozimi në qytetin e Korçës, fotografitë pjesëmarrëse në edicionin e parë të Konkursit Ndërkombëtar “Sotiri”, u prezantuan mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Janë 60 fotografi të realizuara nga 19 autorë të rinj nga Austria, Belgjika, Greqia, Hollanda, Sinagapori, Maqedonia, Bosnje – Herzegovina, Finlanda, Kosova, Gjeorgjia dhe Shqipëria. I përkasin kulturave të ndryshme, kanë perceptime të ndryshme për botën, si dhe temën e konkursit “Save this/Ruaje këtë”. Fotografitë e kuruara nga Alketa Kurrizo, flasin për art të angazhuar. Nuk janë thjesht art për art.

Pas tyre fshihet një subjekt, një histori, një marrëdhënie, një problem. Ndërsa kalon nga njëra fotografi në tjetrën dhe dëgjon shpjegimin e kuratores, kupton se ke përballë studime të mirëfillta. Artistët në fjalë, janë kujdesur të mos jenë thjesht kapës të së bukurës, apo dokumentues. Secili prej tyre ka bërë një studim më vete mbi temat që ka vendosur të “shpëtojë”. E tillë është seria prej 11 fotografish, realizuar nga fotografi austriak Francois Pedneault, i cili ka zgjedhur si objekt të “studimit” të tij një zyrë emigracioni në Turqi. Nuk duhen shumë fjalë për të kuptuar ankthin, pritjen, zhgënjimin. Një vështrim i humbur, një mbështetje pas murit, buzë të varura gjatë një bisede telefonike.

Të gjitha histori më vete. Hollandezi Mark Nozeman në fotografitë e tij “Pjotr” dhe “Sasja and his sister” (Sasja dhe motra e tij), bën një kërkim në vendet ish-komuniste, në brezin e ri, që nuk e ka përjetuar periudhën e diktaturave, por që vuajnë pasojat e tyre. Jasmin Brutus nga Bosnja, jep dy pamje nga vendi i vet, por jo ashtu si e shohin të tjerët. Është Bosnja e pasluftës, por jo thjesht dokumentimi i pasojave, por një përjetim i brendshëm. Interesante paraqitet seria e portreteve të realizuara në New York nga Bevis Fusha, “Presumed guilty”, një cikël i hapur, që autori e pasuron vazhdimisht me të tjera foto.

Të tjerë artistë janë fokusuar tek hapësirat publike, tek marrëdhënia e tyre me individin, ekzistenca e tyre pavarësisht indiferencës së njerëzve. E tillë është një fushë sporti bosh e fiksuar në një qytet verior të Shqipërisë nga Mirel Myftaraj, apo fotografitë e Päivi Paakinaho nga Finlanda. Fituesja e konkursit, Itsasne Casas nga Belgjika, ofron një rrëfim të vetin. Ajo sjell një seri fotosh të titulluara “Solitude”.

Ka fiksuar pjesë të një shtëpie, ku tërheqin vëmendjen muret e bardhë, të pastër, vetëm një jastëk mbi shtrat, vetëm një varëse rrobash…Kuratoja shpjegon se nuk bëhet fjalë për një shtëpi të vetme, pos disa shtëpi të përkohshme të artistes. Gjithçka flet për një vetmi të ftohtë. Krahas fotografive të “grupura” “njerëz”, apo “hapësira”, ka edhe disa që Kurrizo i konsideron si kërkime në formë. Të tilla janë fotografitë e Ornela Mukës në serinë “Pa titull”, që meritoi çmimin e dytë të konkursit.

Pas prezantimit në Tiranë fotografitë do të publikohen në një katalog më vete, për t’i hapur udhë edicionit të dytë të këtij konkursi, që mban emrin e një prej baballarëve të fotografisë shqiptare.

2 Responses to “Fotografia e angazhuar”

  1. kolektiviza thënë

    me duket se autori ka marr shume me teper liberti sec mundet ne perdorimin e termit “angazhim.” punet nuk i shoh si te angazhuara ne dicka apo ndonje, dhe autori/ja nuk po na tregon asgje sesi e ku ai/ajo e sheh kete angazhim. vetem sepse punen nuk jane thjesht per hir te artit dhe “studiojn” realitetin social-kulturor, ekonomik e politik (ta marrim si te qene kete) nuk i ben keto pune art te angazhuar. ka nje fare keqperdorimi qe mund te vij nga keqkuptimi i c’eshte art i angazhuar dhe nese ka nje te tille.

    po ashtu gjej problematike supozimin e audiences Korcare si skeptike, thjesht sepse jan nje periferi e Tiranes metropole qe na qenka me e hapur ndaj te ndryshmes. un do shpresoja qe audienca ne Tirane te jet dhe me skeptike atehere se c’na paska qene ajo KOrcare dhe mos pranoj gjithcka thjesht per hir te se ndryshmes.

  2. Vemendje thënë

    “Fotografitë e kuruara nga Alketa Kurrizo, flasin për art të angazhuar. Nuk janë thjesht art për art.
    Pas tyre fshihet një subjekt, një histori, një marrëdhënie, një problem”

    Nuk di si c’eshte bere e sjelle me kete aktivitet, por nga ky shkrim i “shekullit” kupton se lartesia e pirgut s’ka mbyllur akoma gojet qe flasin per kohe te shkuara “militante”

Leave a Reply

XHTML: You can use these tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <pre> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>