kolektiviza

koleksion arti

KONCEPTI I HAPËSIRËS NË ART

Posted by kolektiviza on Janar 28, 2009

Nga MUSTAFA FERIZI

Në Galerinë e Arteve të Kosovës, qëndroi e kapur ekspozita tradicionale “Çmimi Muslim Mulliqi ‘08”

Ekspozita tashmë tradicionale“Çmimi Muslim Mulliqi”, siç dihet, është eveniment artistik me karakter ndërkombëtar, që për çdo vjet e organizon dhe e hap Galeria e Arteve të Kosovës, në kuadër të së cilës prezantohen rrymat risimtare të arti të kohës sonë. Në këtë ekspozitë tradicionalisht ndahet çmimi për veprën më të mirë, (3.000 Euro) që e jep Ministria e Kulturës së Republikës së Kosovës.

Ky është edicioni i gjashtë i ekspozitës “Çmimi Muslim Mulliqi”, me të cilën GAK- u përmbyll veprimtarinë e vet të suksesshme për vitin 2008, gjatë të cilit u prezantuan ekspozita të rëndësishme ndërkombëtare me emra të artistëve të njohur botëror, siç janë Victor Vazareli, Geor Basilitzi,, etj.

Krahas autorëve vendorë dhe të atyre rajonal, në këtë ekspozitë u prezantuan edhe artistët nga Evropa, e madje edhe nga SHBA.

Si rëndom, ky eveniment u realizua në bazë të konceptit të caktuar kuratorial, të cilin e përbenin: Zeni Ballazhi dhe D.N.K/Filoart.

Duke trajtuar hapësirën, autorët trajtojnë një fenomen i cili sipas mendimtarit të lashtë Aristoteli, përkufizon çdo gjë, kurse vet, nuk mund të përkufizohet me asgjë. Mirëpo, në rastin konkret, fjala është për fenomenin e kohës sonë – për hapësirën publike dhe intime, të mbikëqyrur, të uzurpuar e madje edhe të përgjuar, që tashmë po vërehet edhe nder ne. Edhe nder ne mund të shohim rrethoja të metalta, me te cilat janë rrethuar objektet publike, mund të vërehet uzurpimi i hapësirave urbane, madje mund të ketë edhe përgjime me telefona e me anë të mjeteve të ndryshme mbikëqyrëse. Pra me mbikëqyrjen e hapësirës publike, ku bën pjesë edhe njeriu, në një mënyrë mbikëqyret edhe liria dhe jeta intime e tij.

Autorët e ekspozitës “Çmimi Muslim Mulliqi” shërbehen me instilacione, video- projeksioneve, dhe me forma tjera të artit konceptual, për faktin se arti i sotëm, nuk e ka më qellim të bukurën, e cila po thuaj se është flakur në margjinat e kohës, por të vërtetën ontike, sociale, politike, pra edhe atë hapësinore dhe urbane. Sido që të jetë, rëndësia e kësaj mënyre të shprehjes korrespondon me hapësirën, por edhe me kohën, brenda e cilës është projektuar edhe instilacionin “Big Brothers”i cili me një metaforë moderne, praqet mbikëqyrjen dyzetvjeçare të regjimit totalitar në Shqipëri.

Të thuash në të gjitha projeksionet, njeriu është në qendër të vëmendjes, madje që nga gjeneza e tij embrionale, e cila, gjithashtu mbikëqyret dhe përgjohet, me kompjuter, përkatësisht në mënyrë digjitale. Kjo mënyrë e artikulimit dhe e manifestimit të idesë, mundëson pjesëmarrjen e autorëve të të gjitha gjinive të artit bashkëkohor, duke përfshirë ata të disenjit, si dhe të artit skenik, përkatësisht, të teatrit dhe filmit.

Ideja për hapësirën përkatësisht, për planifikimin e saj, rrjedh nga filozofi anglez Jeremy Bentham, i shekullit XVIII, mirëpo sot shprehet edhe si ide për mbikëqyrjen e hapësirës urbane, por edhe të asaj shpirtërore dhe jetësore. Edhe ky mendimtar provon se koncepti i hapësirës, është i natyrës filozofike, është për më shumë dimension ku individi realizon integritetin e tij të lirë, estetik, mendor, medial e kreativ. Çdo tentim që të cenohet integriteti hapësinor personal i njeriut, shpie në kaos dhe në absurd, siç mund të vërehet edhe nga foto-instilacioni “Monoliti 2”, ku figurat njerëzore, lakuriqe, lidhen me zinxhirë, katandisen deri në absurd. Mbase absurdi dhe kaosi përbejnë mesazhin e kësaj ekspozite, e cila sfidoi, artdashësit, por edhe studiuesit e artit.

Kuratorët gjeten se me idenë e tyre, korrespondonte edhe romani i Ismail Kadaresë, “Spiritus”prandaj ekspozuan edhe një fragment nga ky roman.

Në parathënien e katalogut të kësaj ekspozite thuhet se çdo njeri mbikëqyrë njeriun, se çdo njeri mbikëqyret nga njeriu, së më në fund, çdo mbikëqyrje, Nëse është kjo e vërtetë, atëherë koncepti i edicioni të ekspozitës “Çmimi Muslim Mulliqi 2008”,mund të quhet i realizuar.

Për fund të themi se midis realizimeve që u dalluan për nga invencioni shprehës dhe ideja “e kapur”, gjenden edhe: “Albania Big, Brodher”(L. Sulejmani) “Bioritmi”(A. Agani), {hapësira{hapësira}} (G, Kadriu), “Monoliti ”(D. Trencevski) “Qyteti turistik”(A Muja), pastaj “Rroftë skena e artit bashkëkohor” (F. Isufi-Koja) “Këtu me kanë thënë se ka peshk”(R. Jusufi),etj, ca nga të cilat (realizime) kanë mund edhe të shpërblehen. Mirëpo shpërblimin, pra çmimin e mori video-projeksioni “Baseni” (Jae Pas) nga Gjermania. Në të vërtetë, këtë shpërblim nuk e ndau ndonjë komision i caktuar, siç ndodh rëndom, por vetë autorët pjesëmarrës ndermjetveti, që ishte edhe një e veçantë e ekspozitës “Çmimi Muslim Mulliqi ‘08”.

Leave a Reply

XHTML: You can use these tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <pre> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>