kolektiviza

koleksion arti

Shqipëria dhe Kosova bashkohen në Pragë

Posted by kolektiviza on Maj 24, 2009

BLERINA GOCE
20/05/2009 Bienalja

Këtë radhë “bashkimin” e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare e ka bërë arti. Artistë nga Kosova dhe Shqipëria janë prezantuar së bashku në një aktivitet me jehonë ndërkombëtare siç është bienalja e katërt e Pragës e arteve pamore.

Rreth 230 artistë nga gjithë bota janë pjesëmarrës në këtë bienale, e cila e hapi edicionin e saj më 14 maj dhe vazhdon deri më 24 korrik 2009.

Pavijoni shqiptaro-kosovar është cilësuar si një ndër më të mirët në këtë eveniment internacional. Në inaugurimin e hapjes së tij ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Pragë Qazim Tepshi, bashkë me stafin e tij diplomatik.

Bienalja i mëshon më tepër paraqitjes në mënyrë direkte amalgamën e panoramës aktuale të pikturës bashkëkohore.

Ndër vendet pjesëmarrëse për të parën herë mund të përmenden emra si: Malajzia, Indonezia, Filipinet, Singapori, por nuk mungojnë edhe artistët e mëdhenj nga vende si Gjermania, Anglia, Franca, SHBA e Rusia.

Artistët shqiptarë dhe kosovarë prezantohen nën “kurimin” e artistit shqiptar Artan Shabani, i cili përzgjodhi pesë artistë, të cilët mbartin në artin e tyre shqetësimit e gjeneratës të artistëve shqiptarë në botë.

Artistët shqiptarë

Artistët që prezantojnë Shqipërinë janë Alkan Nallbani, Ervin Hatibi, Alfred Milot Mirashi e Artan Shabani.

Alkan Nallbani jeton midis Firenzes e Nju-Jorkut. Në pikturën e tij spikat një figuratizëm energjik, që mbart thellësisht eksperiencën vizuale shqiptare. Figurat janë në një lëvizje të pandërprerë, duke na dhënë mundësi për t’u identifikuar me lojën e artistit.

Ervin Hatibi jeton në Tiranë e prezantohet nga “Promenade gallery” në qytetin e Vlorës. Ai dallohet në pikturën e tij personale të ndërtuar mbi shenjet e një alfabeti misterioz e enigmatik, ku ndihet një zhdërvjellëti e shenjës e shoqëruar me një lirshmëri të kompozimit abstrakt.

Alfred Mirashi (Milot) jeton në Firenze. Ekspozon intensivisht në qytete të ndryshme të Evropës. Vetëm para disa muajsh ai bashkë me artistin Alkan Nallbani çelën një ekspozitë të suksesshme në Nju-Jork. Në bienale artisti merr pjesë me pikturën e titulluar “Angolo mediterraneo”. Pothuajse në të gjithë ekspozitat e tij ky titull është si pjesë përbërëse strukturale e stilit të Mirashit. Sipër telajos së tij ai i përzien në mënyrë të sigurt dhe organizon simbolet e thella njerëzore që u bashkëngjiten intensitetit të ngjyrave abstrakte, të cilat kornizojnë fragmentet e skulpturave ilire e mesdhetare.

Artistët kosovarë

Dalip Kryeziu është përfaqësuesi i Kosovës në këtë bienale. Në një ekspozitë personale ku sërish prezantohet me temën e tij të kultivuar shpesh vitet e fundit: koka e njeriut. Me këtë kokë njerëzore Kryeziu krijon piktura me një imazh të fortë estetik mbi bazën e një ekspresionizmi abstrakt, që mbështetet edhe në simbolikën e kokës, pozicionit të saj, strukturimit kompozicional, por edhe mishërimit koloristik, duke servirur kështu një pikturë simbolike, ekspresive dhe abstrakte. Për piktorin me një energji kreative eksperimentuese portreti mund të shihet edhe si një “peizazh dimri”, apo ndonjë stinë tjetër, por edhe ndonjë finesë tjetër tematike që mund të sugjerohet edhe përmes titullit të veprës.

Pikturat dhe videot e Driton Hajredinit eksplorojnë tiparet e përditshme, identitetin dhe kufijtë, tema të cilat

janë “buka e përditshme e artit të tij”. Së bashku me autoportretet ironike-ngacmuese, valixhet janë zemra e pikturës së tij. Ato luajnë një rol si simbole të realitetit të artistit dhe origjinës së tij.

Muret, për shembull, të ndërtuara me valixhe prezantojnë mundësitë e kufizuara për pjesëmarrje në ekspozitat në vendlindjen e tij dhe gjithashtu kufizimet si rrjedhojë e mungesës të një pasaporte evropiane. Driton Hajredini komenton: “Shumë prej punëve të mia prezantojnë jetën si kosovar dhe çfarë do të thotë të jesh i etiketuar nga prejardhja jote.

Në inaugurimin e këtij evenimenti në Pragë ishin prezentë artistët Alfred Milot Mirashi, Artan Shabani, Alkan Nallbani, Driton Hajredini, ndërsa nga ana diplomatike ishte ambasadori shqiptar në Pragë Qazim Tepshi, bashkë me konsullin.

7 Responses to “Shqipëria dhe Kosova bashkohen në Pragë”

  1. sq thënë

    kush i paska zgjedhur artistet shqiptare?

    • kolektiviza thënë

      me hamendje them se permbledhesi/perzgjedhesi ka qene Artan Shabani.

      • Sq thënë

        Po shoh qe grupi i EM nuk pipetin me ne Biennale. Sa keq!
        Nuk dua te demtoj imazhin e asnjerit, por ka me te mire se sa te zgjedhurit per ne Biennalen e Venecies kete vit. Ajo eshte nje ekspozite madheshtore qe e kam vizituar plot kater here.

  2. Artan Shabani thënë

    zgjedhjen e artistave ne Prage-bienale e kam bere une(artan shabani)
    nje pershendetje nga Venezia bienale
    artani

  3. kolektiviza thënë

    Old News From The Balkans

    Nga: Arsim Kajtazi
    Zoti Shabani tashmë jemi në prag të hapjes se Bienales së Pragës 4, ku ju në cilësinë e kuratorit keni bërë përzgjedhjen e krijuesve shqiptarë që do të prezantohen në këtë manifestim krijues ndërkombëtar. Diç më shumë për konceptin tuaj përzgjedhës dhe prezantues.

    Lajme të vjetra nga Ballkani quhet koncepti kuratorial nën të cilin kam fatin të prezantoj një grup artistësh shqiptarë në Bienalen e Pragës 4. Ky projekt përfaqësohet nga një grup artistësh të cilët edhe pse i përkasin stileve dhe shteteve të ndryshme, kanë të përbashkët mediumin e pikturës dhe etninë.

    Ndërsa Ballkani është tashmë i fashëm për klishetë që i eksporton botës prej më se dy shekujsh – klishe këto të cilat variojnë që nga konliktet rreth përkatësive etnike, fetare, shtetërore, kufitare, linguistike dhe deri tek emrat e shenjtorëve, djegjes së kishave e xhamive, vjedhjet e ikonave, por edhe të himneve të turbofolkut – ky projekt, dhe pikërisht këta artistë, tenton të nxjerrë në pah përpjekjet e përditshme që ballkanasit i duhet të ndërmarrë në mënyrë që të jetojë jetën e tij intime në një mikro gjeografi ambulante dhe jo në një metaforë të imponuar nga titrat e lajmeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

    Manifestime të tilla ndërkombëtare, madje edhe Bienalja e Venecias, ku Shqipëria ka disa përvoja modeste prezantimi, shtrojnë një çështje të ndjeshme të mbështetjes së gjithashme e parasegjithash atë financiare të artit dhe kulturës edhe nga shteti. Sa është duke u kuptuar kjo seriozisht; që artin dhe kulturën tonë tashmë ta kuptojmë si njërin nga vlerat dhe mekanizmat më të denjë të prezantimit e përfaqëesimit
    të kulturës sonë në spektrin e integrimeve kulturore evropiane dhe ndërkombëtare?

    Është e drejtë dhe me vend të mendosh që arti ka impakt imediat në mënyrën se si ai e përcjell imazhin e një vendi të caktuar. Në rastin e vendeve si Shqipëria apo Kosova, imazhi aristik merr rol prioritar
    pikërisht sepse ajo çka i kemi eskportuar botës për vite shumë të gjata është kryesisht ilustrim lajmesh televizive dhe klishe konfliktesh për të cilat fola pak më lart. Arti shqiptar dhe përfaqësimi i tij ndërkombëtar kërkon vëmendje serioze dhe sensibilitet te vecantë nga shteti, roli i të cilit më duket shumë i munguar në raport me pritshërinë që profesionistët e artit kanë ndaj tij.

    Në rastin e Bienales së Pragës, unë nuk kam asnjë mbështetje financiare nga shteti apo nga ndonjë tjetër sponsor pëveç rastit të izoluar të Promenade Gallery të Vlorës, e cila specializohet në promovimin e artistëve ndërkombëtarë në Shqipëri dhe ata shqiptarë në botë.

    Në Bienaljen e Venecias, Shqipëria është prezantuar me artistë të denjë si Sisley Xhafa, kuruar nga Andi Tepelena, por edhe të tjerë si Adrian Paci apo Anri Sala. Këtë vit, unë pata fatin të ftohem në
    Bienalen e Venecias nga Projekti Krossing me ciklin Happy Hours, një cikël me të cilin prezantoj temën e emigracionit dhe ndjeshmerinë sociale në lidhje me këtë femonen. Shumica dërrmuese e këtyre iniciativave mbeten totalisht individuale dhe nuk përkrahen në nivel shtetëror. Ky, për mendimin tim, është një handikap tejet i rëndësishëm sidomos në aktivitete të këtij kalibri ndërkombëtar për vetë faktin se artistët e tjerë konkurentë pëkrahen nga struktura shumë të sofistikuara shtetërore gjë që atyre u ofron padyshim epërsi gjatë konkurimit.

    Në përzgjdhjen tuaj janë 6 krijues, 4 nga Shqipëria dhe 2 nga Kosova: (Driton Hajredini (KS); Ervin Hatibi (AL); Dalip Kryeziu (KS); Alfred Mirashi (AL); Alkan Nallbani (AL); Artan Shabani (AL).
    Në këtë rast, keni përzgjedhur edhe dy krijues të mirënjohur nga Kosova, Dalip Kryeziun dhe Driton Hajredinin. Cilat aspekte kanë ndikuar që edhe këta krijues të futen në konceptin tuaj përzgjedhës?

    Janë më shumë aspekte krijuese estetike të artit pamor apo ka edhe elemente të tjera jashtë estetike që ju kanë nxitur në këtë rast ? A kanë qenë strikte kriteret e prezantimit që ai të bëhet në nivele
    përfaqësimi shtetror? Ky prezantim a do të thotë se ka edhe ndonjë ndonjë dimension të bashkëpunim edhe ndërmistror mes dy ministrive përktëse të kulturës, apo në këtë rast koncepti krijues artistik qëndron mbi kufizimet e politikës kulturore?

    E përsëris me keqardhje nga që Ministritë e Kulturës të dy shteteve shqiptarë nuk kam asnjë ndihmë apo bashkëpunim në përfaqësimin e këtij projekti. Promenade Gallery është e vetmja strukturë mbështëse
    private, e cila promovon një spektër të gjërë artistësh shqiptarë, ndër të cilët edhe këta dy artistë të viseve kosovare.

    Dalip Kryeziu dhe Driton Hajredini janë dy artistë të talentuar figurativë, të cilët nëpërmjet eskperiencës së tyre të gjatë në Gjermani, Zvicër, Danimarkë e gjetkë, kanë zënë një vend shumë
    dinjitoz në arenën e artit evropian. Po ashtu, artistët shqiptarë të përzgjedhur nga shteti mëmë, janë artistë të sprovuar në arenën e artit evropian dhe secili prej tyre paraqet veçoritë e veta të
    spikatura në mënyrë që tabloja e artit panshqiptar të prezantohet në gjithë spektrin e tij. Është gjithashtu për t’u theksuar prurja e artistit Ervin Hatibi, të cilin publiku panshqiptar e njeh kryesisht
    si poet të talentuar, por me pak si piktor.

    Personalisht besoj tek puna e secilit prej këtyre artistëve ndaj dhe mendoj të vazhdoj bashkëpunimin me ta për t’i prezantuar edhe në projekte që kam ndërmend të ndërmarr në Kopenhagen, New York, Milano,
    por padyshim edhe në Vlorë.

    Keni një përfytyrim dhe mendim estetik për rrjedhat aktuale të artit shqiptar? Në Bienalen e Pragës jeni në cilësinë e kuratorit, do të mund të zbërtheni më konkretisht konceptin tuaj seleksionues dhe cfarë
    ofrojnë të veçantë në artin shqiptar, por edhe atë ndërkombëtar në këtë rast artistët e përzgjedhur shqiptarë? Në këtë rast keni vendosur që të prezantoni edhe punën tuaj krijuese në kuadër të kësaj përzgjedhjeje. Kjo do të thotë se e shihni gjithsesi vetveten në kuadër të këtij mozaiku prezantues të një niveli e vlere të artit shqiptar bashkëkohor që aktualisht po krijohet, apo është më shumë njërrumbullakësim i pashmangshëm estetik i konceptit tuaj prej kuratori?

    Kjo është në fakt hera e parë që unë kuroj një eveniment të tillë në arenën e artit ndërkombëtar. Kam kuruar dhe më parë aktivite të tjera,por jo të këtij niveli. Dua të theksoj këtu një fakt, i cili për sa më
    takon, është filli konduktor i gjithë kësaj ndërmmarjeje të rëndësishme. Unë, para së gjithash jam artist, më saktë piktor.
    Piktura për mua nuk ështjë thjesht profesion, por është realisht një pasion i cili më animon që prej vegjëlisë së hershme. Kam më shumë se njëzet vite që e shoh botën me syrin e artistit, ende më sakte, me atë të piktorit. Kam po kaq vite eksperiencë në profesionin e piktorit, ndaj dhe puna e galeristit, të cilën unë kam filluar ta ushtroj prej disa vitesh tashmë, ashtu si dhe ajo e koleksionistit të artit dhe ekuratorit, janë një përzgjatje logjike e pasionit tim për pikturën, por edhe së njohjes sime të gjatë me botën ku shtjellohet arti pamor.

    Po ashtu kur zgjedh të punoj me artistë të caktuar, artin e tyre e seleksionoj si piktor, domethënë me emocion, por edhe si profesionist, domethnënë me një sy të sprovuar që di të dallojë artin shumë të mirë
    nga ai më pak i mirë. Kjo ndoshta përbën edhe të veçantën time në këtë ndërmarrje të rëndësishme artistike.

    Për sa i takon artit shqiptar në përgjithësi, mendoj sinqerisht se ne kemi art dhe artistë me të vërtetë të mirë. Tradita jonë e pikturës është realisht një shkollë me të cilën jo vetem mund të krenohemi, por
    edhe t’i rikthemi për t’u frymëzuar. Pa dashur të zgjtem, dua të përmend këtu emrat e Ibrahim Kodrës, Zef Shoshit, Omer Kaleshit, por edhe të tjerë, të cilët vazhdojnë ta nderojnë shqiptarizmën në arenën
    ndërkombëtare të artit pamor. Nuk mendoj aspak se talentet janë shteruar, por mendoj se mungojnë strukturat përkatëse për ta shoqëruar talentin në menyrë që ai të lulezojë në të gjitha format e tij,
    figurative ose jo.

    Çfare mendoni se duhet të bëjnë institucionet tona përkatëse shtetërore të sferës së kulturës dhe artit në mënyrë që kulturën tonë ta stimulojnë e zhvillojnë dhe ta përparojnë drejt niveleve relevanete
    ndërkombëtare?

    Në rradhë të parë strukturat duhet të ekzistojnë. Në të kaluarën, edhe pse shpesh i referohemi asaj për anët e saj të shumta negative, strukturat shtetërore gjithsesi nuk mungonin për artin. Kjo sepse një
    shtet apo një komb, që ta meritojë plotësisht këtë denominim, duhet të bashkëpunojë dhe t’i shërbejë artit si dhe anasjelltas. Janë të njohura lidhjet e artit me shtetin dhe pushtetin në kohë dhe hapësirë.
    Për frymëzim, mjaton që shtetet tona t’u hedhin një vështrim strukturave shtetërore të vendeve fqinje dhe t’i aplikojnë ato qoftë edhe me modesti.

    Mendoj realisht që një ndër faktet kryesore që do të dëshmojë për daljen nga ky tranziocion i lodhshëm njëzet-vjeçar për Shqipërinë, por edhe për Kosovën e pasluftës, do të jëtë pikërisht angazhimi serioz i
    shtetit në fushën e artit. Pra, kur ky i fundit të ndërgjegjësohet plotësisht për artin si vlerë reale kombëtare. Dhe vetëm atëherë artisti do të mund të luajë rolin të plotë dhe real e tij në shoqëritë tona.

    Çfarë strukturash krijuese profesionale duhet formësuar edhe në Shqipëri edhe në Kosovë që në manifestimet e tilla ndërkombëtare të arrijmë që të kyçemi sa më denjësisht dhe me vlera të qëndrueshme
    krijuese bashkëkohore?

    E kam shprehur shpesh që është e vështirë të japësh sugjerime dhe mesazhe të caktura pasi modelet në fakt janë të stërnjohura dhe ofrohen qoftë edhe nga fqinjët të cilët e kanë mirëkuptuar plotësisht
    rëndësinë e traditës dhe vazhdimësine e tyre kulturore. Nuk është aspak e rehatshme të numërosh boshllëqet e vendit tënd dhe kjo edhe për faktin se shqiptarët vuajnë nga mungesa më jetike se sa luksi që
    paraqet arti ne dukje. Duhet kuptuar mirë se arti nuk është aspak luks, por është nevojë reale për jetëgjatësi.

    Nietzsche thoshte se “arti është i vetmi aktivitet metafizik në të cilin jetës i detyrohemi akoma”. Ai që e mirëkupton këtë mesazh, sidomos në kontekst kombëtar, duhet të mos presë sugjerime, por te
    punojë konkretisht që ta vazhdojmë këtë mision fisnik.

  4. T.M. thënë

    “…zgjedhjen e artistave ne Prage-bienale e kam bere une(artan shabani)
    nje pershendetje nga Venezia bienale
    artani…”

    *ne baze te cilave kritere u perzgjodh kuratori i prages?!

    *nga kush, dhe me c’motivacion?!

    *ky i fundit me c’njohje te artit dhe artisteve shqiptare perzgjodhi keto emra kaq tmerresisht te vaket, qe s’thone asgje me punen e tyre, ndermjet te cileve edhe amatore?!

    pse kaq shume amatorizem, dhe meskinitet nder vendim-marresit shqiptare?!

    ps.- te njejtat pyejtje vlejne edhe per bienalen e venecias.

    • artan shabani thënë

      kuratoret e bienales ne Prage jane zgjedhur nga bordi i komisareve te bienales, dhe nga ata persona qe kane bere per here te pare ne historine e shqiperise bienalen e Tiranes.
      pergjigja e dyte mund te them qe motivacioni qe kerkoni ju mund ta gjeni po te kishit vizituar bienalen e Prages edicionin 4 ose po te shikoni materialin ne katallogun zyrtar
      e treta nuk hyje ne detaje mbasi mund te kete emra te artisteve qe jane te diskutushem , por te mjaftushem aq sa pavioni shqiptar ishte nder 5 me te miret.
      per bienalen e venezias mund te diskutoni me pyetjet tuaja,,me stafin e bienales edizioni 2009.
      meqenese aktivitete jane te shumta dhe sigurishte dhe bienale,,na sygjeroni emra te cilet prezantojne denjesishte artin shqiptar. Por kjo nuk kerkon cinizem dhe paragjykime.

      dikush permendi Edi Muken, personalisht mund te them qe eshte nder te paktet qe ben nje pune inteligjente dhe (heroike) ne shqiperi dhe jashte saj, dhe eshte i vetmi kurator shqiptar i cili ka nje dimension internacional

Leave a Reply

XHTML: You can use these tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <pre> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>