Venera Kastrati, Kur vdekja kthehet në art
Posted by kolektiviza on Qershor 2, 2009
Arjola Hekurani – Shqip
Asaj ngaherë i kanë interesuar gjendjet ekstreme emocionale nëpër të cilat kalon një qenie njerëzore, ndaj edhe ka zgjedhur që në një aktivitet të rëndësishëm, siç është Bienalja e Venecias, të përfaqësojë veten dhe vendin e saj me një video-instalacion që përfshin këto emocione. “Kërkuesit e emocioneve ekstreme”, (Sensation Seekers”) titullohet vepra e artistes Venera Kastrati, e cila ka lindur si një vëzhgim i personave që praktikojnë sporte ekstreme dhe si analizë e projektimit psikologjik të dëshirës e nevojës të çdokujt për të kaluar çdo lloj kufiri, moral apo fizik. Frymëzuar nga një ngjarje e vërtetë, ajo ka rrëfyer nëpërmjet artit të saj se deri ku mund shkojë një njeri për të arritur një qëllim e ç‘mënyra mund të përdorë për ta realizuar atë. Venera Kastrati merr pjesë në Bienalen e Venecias, e cila çelet më 7 qershor së bashku me një grup artistësh shqiptarë. Robert Aliaj Drago, Artan Shabani, Eliza Hoxha dhe Klodian Deda janë pjesë e projektit të pavarur “Krosing” që përfaqësojnë Shqipërinë në një prej aktiviteteve më të rëndësishme ndërkombëtare kushtuar artit.
Së bashku me një grup artistësh të tjerë shqiptarë, ju merrni pjesë në Bienalen e Venecias, në një takim të rëndësishëm të arteve. Si ndiheni?
Është një përgjegjësi shumë e madhe. Pjesëmarrja ime në eventin e Binales, “Krossing” është ekspozim në një projekt personal. Tani jam në fazat finale të përgatitjeve dhe emocionet janë të forta. Është diçka magjepsëse të shikosh projektin që deri dje ishte në vizatim vetëm i hedhur në letër, i skicuar, të ndërtohet realisht.
Si e vlerësoni ju Bienalen e Venecias? Ç‘është për ju ky eveniment?
Bienalja e Venecias është institucioni më vjetër ekspozues ndërkombëtar në botë, duke shënuar edicionin e tij të parë pikërisht në vitin 1895, edhe pse periudha e artë e Bienales arrin pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1968. Sot, përveç Venecias janë shtuar edhe shumë manifestime bienaleje, si p.sh. në San Paolo, Johanesburg, Stamboll, Seul, Kubë, pa folur për aktivitetet ekspozuese në Kasselit e Munster. Bienalja e Venecias mbetet gjithsesi një ngjarje e rëndësishme, ku eksperienca të ndryshme takohen në nivel institucional, e ku mund të verifikohen “tendencat më të reja” artistike. Le të themi që akoma në ditët e sotme çdo dy vite e gjithë bota e artit mblidhet në këtë qytet të mrekullueshëm. “I Giardini”, ku prezantohen zakonisht stendat kombëtare të Bienales, edhe pika tjetër kryesore “Arsenale” (e hapur që nga vitet ‘80) janë vendet kryesore të evenimentit. Përveç kësaj janë edhe disa vende jashtë këtyre të fundit, që mund të jenë prezenca të tjera kombëtare ose evenimente kolaterale zyrtare, që në këtë vit arrijnë numrin 44. Një nga këto evente është edhe “Krossing” (ku jam pjesëmarrëse me projektin tim më të fundit SENSATION SEEKERS), i cili zhvillohet në një vend të mrekullueshëm e domethënës për tematikën e idenë kuratoriale të zgjedhjes së artistëve. Në Forte Marghera, pikërisht në një zonë strategjike që krijon një urë lidhjeje midis Venecias e Mestres, midis tokës e lagunës, në transformim fizik nga një makinë ushtarake në hapësirë publike, me vlera të veçanta historike. Me kalimin e kohës, fortifikimet e Forte Margheres të ndërtuara duke u nisur nga vitet 1805 prej ushtrive austriake e franceze, kanë humbur vlerën e tyre në termin strategjik ushtarak, duke përvetësuar kështu një vlerë dëshmitare të së kaluarës. Një vend kufiri. Ishte pikërisht ky element që më magjepsi për të zhvilluar projektin tim “Sensation Seekers”, i realizuar posaçërisht për edicionin e 53-të të Bienales së Venecias.
Këtë përballje me artistë nga e gjithë bota, si e shihni? Është kjo një rritje në krijimtarinë tuaj?
Sigurisht vetëm pjesëmarrja si vizitor shumë shpesh është stimulues dhe të ngarkon me energji e ide të reja. Aq më shumë pjesëmarrja personale të përfshin automatikisht në atë mekanizëm përvoje të vetme në llojin e saj. Për më tej, ashtu siç e nënvizova më lart, artisti ndien përgjegjësinë më të madhe për t‘u përballuar kështu me publikun e shtypin ndërkombëtar.
Përveç vetes suaj, a e përfaqësoni edhe Shqipërinë aty?
Është momenti i duhur ku prezantimi personal shndërrohet edhe në prezantim kombëtar. Kjo më bën të ndihem dyfish e ngarkuar me emocione dhe krenare që kam mundësinë të komunikoj me “botën” nëpërmjet artit tim.
Përse keni zgjedhur të merrni pjesë me një video-instalacion?
Është vetë projekti që më shtyu të përshkoja rrugën e kërkimit të një shprehjeje artistike multimediale. Në këtë video-instalacion ka rëndësi të madhe komunikimi nëpërmjet fotografisë, ritmikës, muzikës (kjo e fundit me shumë mjeshtëri e sensibilitet është realizuar posaçërisht për “Sensation Seekers” nga grupi rok milanez “Circo Fantasma”, nga Nicola Cereda, këngëtari, kompozitori e figura qendrore e grupit).
Ideja është që publiku për një moment të harrojë prezencën hapësirë-kohë e të bëhet pjesë e elementeve të instalacionit. Kështu kompleton kuadrin e ngjarjes, që në realitet nuk ka një fillim e mbarim, por duhet të hapë vetëm mundësi reflektimi e diskutimi.
Veprën me të cilën do të paraqiteni e keni titulluar “Sensation Seekers” dhe keni kërkuar të rrëmoni thellë në psikologjinë njerëzore. A mund t‘i bëni një analizë veprës suaj?
“Sensation Seekers”, që në formën e saj letrare përkthehet në shqip “Kërkuesit e emocioneve ekstreme”, lindi si një multivëzhgim i personave që praktikojnë sporte ekstreme dhe si analizë e projektimit psikologjik të dëshirës e nevojës së çdokujt për të kaluar çdo lloj kufiri, moral apo fizik. Video-instalacioni zhvillohet në tri projektime. Pjesa qendrore, ku edhe ideja merr formë, është e shkëputur nga një burim informacioni virtual e real, të një ngjarjeje të kohëve të fundit në malet e Akoncaguas në Argjentinë. Është një video e një grupi alpinistësh që praktikojnë këtë sport ekstrem dhe vdekja tragjike e udhëheqësit të tyre Federico Campanini. Në vend që të mendojnë për të shpëtuar jetën e guidës, i cili për çështje shëndetësore e vështirësi klimatike fillon të dorëzohet, alpinistët fokusohen në ndjekjen e objektivit të tyre, që në këtë rast zë vendin e parë. Ata duan të arrijnë me çdo kusht majën më të lartë të malit të Argjentinës, Akoncaguas. Për më shumë alpinistët trajtojnë në mënyrë çnjerëzore
Udhëheqësin e grupit, duke e tërhequr me një litar prej qafe. Përdorin fraza fyese kundrejt tij dhe për më shumë dokumentojnë ngjarjen pjesërisht në video nëpërmjet një celulari. Grupi i alpinistëve shfaq shenja nervozizmi e paniku. Qëllimi i tyre i kalon kufijtë e çdo sensibiliteti njerëzor dhe videoja mbart në vetvete elemente që krijojnë indinjim të menjëhershëm. Arritja e një qëllimi, mënyrat për ta arritur dhe nevoja për të kërkuar këto emocione ekstreme janë tri elementet kyçe të projektit.
Dy videot e tjera që kompletojnë instalacionin janë pikërisht analizë e dy elementeve që bëjnë pjesë në natyrën njerëzore, duke filluar me kërkimin natyral të këtyre emocioneve ekstreme në fazën infantile nëpërmjet lojës (në këtë rast, lisharësja dhe rezultati i efektit të marramendjes), duke arritur kështu deri në personat që praktikojnë rite dhe eksperienca fetare (në këtë rast vallja e dervishëve) për të krijuar marrëdhënie direkte me figurat hyjnore nëpërmjet marramendjes e humbjes ose jo të autokontrollit.
Çfarë ju ka frymëzuar në realizimin e kësaj vepre?
Siç e përmenda edhe më lart, pikënisja e këtij projekti ishte pikërisht video-amatoriale, që dëshmonte vdekjen tragjike të guidës alpiniste Federico Campanini, në malet e Aconcaguas në Argjentinë dhe analiza psikologjike e nevojës njerëzore për të kërkuar emocione ekstreme. Kështu, nga ky element real, nisi kërkimi im drejt individëve, që të përbashkët kishin kërkimin e rrezikut, shpesh sinonim i të ndjerit kënaqësi e dëshirë. Joshja nga rreziku, rrjedh nga fakti i të lejuarit të vetvetes për të provuar emocione të forta të të jetuarit në mënyrë intensive. Kërkimi i emocioneve të forta shton kuptimin e prezencës individuale në botë, ngjyrat bëhen më të ndezura, koha zgjerohet, pak sekonda perceptohen si orë. Fenomeni i “Sensation Seeking” është kërkimi i vazhdueshëm i stimulimeve të reja sensoriale, të ndryshme nga jeta e përditshme e të forta. Në pak fjalë të gjithë ne jemi të tërhequr në përmasa të ndryshme nga faktori magjepsës i rrezikut dhe linja e kufirit, të jetuarit në “no limits” dhe të cilin e kërkojmë në forma të shumëllojshme.
Në shpjegimin që është bërë për veprën tuaj, thuhet se ajo është dramë, ambicie, kërkim për t‘u arratisur prej realitetit dhe dëshirë për t‘u ndier protagoniste nëpërmjet një procesi dokumentimi më shumë se sa pjesëmarrjeje. Momentet e fundit të jetës së një burri, ndërsa shokët qëndronin indiferentë… Duket tragjike… Më tregoni pak më shumë për këtë pjesë?
Kërkimet psikoanalitike të fenomenit të “Sensation Seeking” shpesh shtyjnë në drejtimin e faktorit të nevojës së këtyre individëve për të dokumentuar eksperiencën. Rëndësia e dokumentimit të arritjes së një objektivi është rrënjësore, pasi njeriu është një qenie që jeton e stimulon ekzistencën e vet në raport me të ngjashmit e tjerë.
Për sa i përket momenteve të fundit të vdekjes tragjike të guidës në malet e Aconcaguas, le të themi që imazhi është aq i fortë e rrëqethës, sa nuk ka vend për shpjegime e komente. Të lë pikërisht të mendosh që limiti real nuk ekziston. Njeriu është i predispozuar të kërkojë e të shkojë përtej, e shpesh edhe duke rrezikuar ekzistencën e vet.
Ndërkaq, keni zgjedhur edhe një vajzë që bën akrobaci në shilarës dhe një fragment vallëzimi. Çfarë përfaqësojnë këto elemente?
Në fakt, më lart parashtrova argumentin e faktorit fëmijëror të “Sensation seeking” dhe ndjesitë e kërkuara nga disa praktikante fetare nëpërmjet valles së dervishëve; të dyja të lidhura nga fenomeni i marramendjes. Marramendja në këtë projekt shfaqet si emocioni fillestar e rrënjësor që merr më pas zhvillim në forma e përmasa të ndryshme në moshë më të pjekur. Këto janë të ashtuquajturit “Kërkuesit e emocioneve të forta ose ekstreme”, “Sentation Seekers”.
Në realizimin e një vepre, çfarë ndikon më shumë tek ju?
… Memoria dhe aktualiteti, fenomeni i gjendjes psikologjike njerëzore në marrëdhënie me vendndodhjen e tij /saj sociale e kulturore. Këto janë pikat kryesore ku jam e tërhequr për realizimin e idesë, që më pas zhvillohet në forma të ndryshme.
Ju jetoni e krijoni në Itali, si gjendet aty një artiste shqiptare?
Mendoj që një artist shqiptar sot gjendet në situatën për të përballuar çdo lloj vështirësie ashtu sikundër edhe një artist italian. Për më shumë, një artist shqiptar duhet të bëjë llogari edhe me të qenit “mërgimtar”, “pa atdhe”, pa pika referimi, me boshllëqe e shkëputje nga memoria e kaluar dhe me rindërtimin e një jete të re, jo shumë larg nga fenomeni i rrënimit të një shtëpie dhe rindërtimit të saj. Faktor që mbart në vetvete vështirësi po edhe pozitivitet dhe energji të reja.
Përveç Bienales së Venecias, cilat janë projektet e ardhshme?
Aktualisht janë shumë projekte në plan për të ardhmen… por nuk dua të flas për to për momentin.
