kolektiviza

koleksion arti

Jehona nga frymëzimet partiake

Posted by kolektiviza on Korrik 8, 2009

Jorgos Jakumis* | 06/07/2009 Shekulli
Duke marrë shkas nga ekspozita historike e Galerisë Kombëtare të Arteve. Një përpjekje e suksesshme, megjithëse dallohet një këmbëngulje për tek sasia e krijimeve të periudhës enveriste. Po arti bizantin shqiptar, shek. XVI-XIX, a nuk ka të drejtë të jetë ashtu siç e meriton, pjesë në një ekspozitë kombëtare?

Zhvillimi historik i çdo populli pasqyrohet në krijimtarinë artistike, sa të krijuesve me emër, aq dhe të atyre më pak të njohur. Njëkohësisht, besoj se krijimtaria artistike ka qenë vegël e promovimit të sistemeve popullore (ose dhe antipopullore). Në këtë pikë, arti kthehet në vegël të rrezikshme në dispozicion të regjimeve totalitare, të interesave kapitaliste, flirtit religjioz, të propagandës shtetërore, të mekanizmave që blejnë apo rimorkiojnë ndërgjegjen. Sepse arti është “eksplozivi” ose “opiumi” më i fuqishëm intelektual, i cili shpall të vërtetën ose fshihet mbas gënjeshtrës – sipas rastit. Kështu, pa pasur mundësi tjetër, dalim tek problemi i pazgjidhur:

Art për art, apo art për të vërtetë? Art pa udhëzime, apo art i angazhuar? Art pa qëllim, apo art me qëllim (civilizimin e njeriut të përjetshëm)?

Ekspozita e hapur së fundi në Galerinë Kombëtare, me titull “120 vjet art, pikturë dhe skulpturë në Shqipëri”, shërbeu si material për bisedat tona mbi artin e angazhuar, mbi artin e rezistencës, mbi artin kombëtar, mbi artin joetik (tej qëllimshmërisë), e shumë të tjera.
Me të vërtetë, puna e kryer nga grupi i të frymëzuarit Rubens Shima dhe i bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, shfaqte guxim dhe aluzione, ideologji dhe paanësi, impersonalizim dhe dashamirësi.

Eksponentët duheshin përzgjedhur mes një mase të stërmadhe materiali pamor që u përket shekujve XIX-XX, duheshin renditur dhe klasifikuar si prodhim i kësaj apo asaj ideologjie, stili, deviance estetike (prirjeje, ose kategorie), duheshin vendosur në kuadrin e sistemeve ideologjike, çdo hapësirë e ekspozitës duhej përdorur në mënyrë të tillë që një punë me dimensione të vogla të mos mbetet në hije pranë punimit me përmasa gjigante, ndriçimi të jetë funksional, vendosja e punëve duhej të krijonte “grupe të një fryme”, të cilat flasin propagandikisht, dhe grupe të cilat… heshtin qëndrestarisht në vargun e gjatë të punëve ku ndjehet kontrapunkti dhe njëzëshmëria e kontekstit; duhej bërë pajisja e punëve me legjenda sipas grupeve me ide të përbashkëta, duheshin grumbulluar rreth boshtit të mesazheve që përcjellin, ose “heshtjes” shurdhuese…

Vendimi i organizatorëve për të vëzhguar udhën e zhvillimit që ka ndjekur arti i pikturës shqiptare (ose, shprehur më mirë, “arti i pikturës në Shqipëri”, siç deshën ta quanin, me plot të drejtë, organizatorët) na u duk përpjekje e suksesshme – paçka se dalluam një këmbëngulje për tek sasia e krijimeve të periudhës enveriste, ndoshta duke pasur si qëllim që vizitori ta çojë mendjen tek asosacionet që lëvrijnë nën cipën e ironisë tragjike, të humorit të hidhur, të (auto)sarkazmës bishtnuese dhe, ndoshta, tek një logjikë që do të na entuziazmonte fort, po të kishte si pikënisje të parën shkollë “kombëtare” të pikturës (sipas atyre që kam lexuar, dhe s’bie dakord) në Beratin e shek. XVI.

Kur merr të përshkruash zhvillimin/udhëtimin e një krijimtarie artistike, nuk mund të flijosh “bijtë” e mallkuar të disa instruktorëve ideologjikë. Edhe ajo krijimtari është pjesë e historisë. Por, pikërisht për këtë arsye nuk mund të interpretojmë pse ekspozitës i mungonin punë nga vepra e pasur e piktorëve të tjerë shqiptarë (dhe po kujtoj këtu një emër të nderuar, person të cilin e kam njohur dhe kam patur fatin të bisedoj me të), siç është patriarku i pikturës epike, Naxhi Bakalli, por dhe piktorë të tjerë mjaft të zotë të skicës dhe të ngjyrës – përjashto rastin kur këtyre piktorëve është menduar t’u bëhet vend më vonë.

Duke iu bashkuar edhe unë sfidës së organizatorëve që si spektator të vihem në mendime mbi veprat e shumta të “realizmit” socialist (nëse “realizëm” është kundërshtia mes mesazhit dhe realitetit, duke krijuar realitete plastike të formës idealiste), duhet të shpreh përvojën e brendshme që ndjeva përpara atyre jehonave të stilizuara që vinin nga frymëzimet partiake – frymëzime të cilat i provuan shumë shtete, fqinje ose jo. Dëshmoj, pra, se pashë piktura pompoze proletarësh të gëzuar që punonin të veshur pastër në fabrikat e luksit popullor, pashë punëtorë të lumtur tek u gëzoheshin vendeve të punës si në parajsë, pashë bujq që fluturonin nga gëzimi tek shkonin për piknik në viset idilike të lulëzuara rreth fshatit të tyre, pashë metalurgë truplidhur tek kthenin çelikun në furrnaltë, pashë qytetarë të narkotizuar nga lavdia e (së vetmes) parti…

E ç’nuk pashë… Askund nuk pashë mbeturina (për ato e ka fajin republika); nuk pashë njerëz të uritur dhe fatkeqë (për ta e ka fajin Perëndimi); nuk pashë internime, burgosje, ekzekutime të kundërshtarëve (këto i pashë vetëm në koleksionin vetjak të Alush Shimës…); nuk dallova veç 3-4 aluzione ndërgjegjesh që kundërshtonin (dhe pastaj mora vesh se njëri vrau veten, tjetri u internua etj., etj.). Asgjë prej këtyre (që pashë dhe jetova mes viteve 1990-1997) nuk pashë, pasi të gjithë e dinin se ç’ndodh me delen që del jashtë vathës së angazhimit.

Po, kishte të drejtë Alush Shima kur më thoshte se kush e di mirë ç’ishte ai regjim, vetëm ky kupton se i vetmi veprim qëndrese që mund të bënte artisti mendjeçalët, ishte heshtja. Ashtu si në muzikë, pauza është pjesë e sistemit zanor të veprës, kështu dhe në pikturë, heshtja është një lloj tabloje pamore e artistit të frymëzuar për qëndresë.
- Po, Alush, kjo heshtje shurdhuese është e sinqertë. Më mirë që heshte nga frika, duke mos ndenjur shtrembër për të folur drejt, se do të ishte fort e shëmtuar po të rrinte drejt dhe të fliste shtrembër. Përpara llafazanërive pamore të angazhuara (që flasin për parajsa shqiptare të mbidheshme) është më e respektuar heshtja (të njëjtën gjë bëri dhe Nobelisti Seferis në Greqinë e juntës!).

Si përfundim, mendja më shkoi tek një libër shqiptar që u shkrua në vitet ‘70-të. Bëhet fjalë për veprën e Dhorka Dhamos Pikturat murale mesjetare në Shqipëri (Nëntori, Tiranë 1974). Atje, bizantinologia e respektuar dhe historiania e artit shtron mendimin e saj (të paangazhuar, ma merr mendja) mbi pikturën bizantine në Shqipëri, duke thënë se ky lloj arti funksiononte si mjet për larjen e trurit të shtetasve pa shkollë dhe si mënyrë për t’i kontrolluar ata nëpër kisha; klasa drejtuese, thotë autorja, e përdorte pikturën bizantine si instrument propagandistik që e shkëpuste popullin e mjerë nga hallet e tij tokësore, duke i premtuar një gënjeshtër qiellore, domethënë Parajsën – le ta themi, pak më të thjeshtuar, parajsën që portretizon realizmi socialist i pesëdhjetëvjeçarit enverist; apo mos vallë gabohem në krahasim?

Pohoj se ky zhvlerësim (i modelit leninist?) i pikturës bizantine më drejtoi tek pjellat e “vezëve të gjarprit”, të cilat, si u ça lëvozhga e vezës, nxorën në dritë tablo-gjarpërinj plot me lumturi të pashprehshme, entuziazëm, festa popullore dhe lavde për “përparimin” e socializmit – që ngjante kaq shumë me “arritjet” e artistit bizantin (i cili, të paktën, premtonte parajsa qiellore!) dhe me “zografin” e angazhuar të parajsave tokësore enveriste… Mes idealizmit dhe cinizmit kaosi është i pamatë, apo jo?

Për këto arsye, mendoj t’i referohem (në artikuj të tjerë), sa përmbajtjes intelektuale dhe dinamikës simbolike të pikturës bizantine (e cila nuk premton duke mashtruar, por shprehet duke hyjnizuar Njeriun), aq dhe mendimeve që i shtynë drejtuesit e Galerisë Kombëtare të Arteve të mos përfshinin në këtë galeri arritjet pamore bizantine që ndodhen në Shqipëri (mendime të cilat kemi qëllim t’i nxjerrim nga një intervistë/dialog me z. Shima).

Kështu, tërthorazi i sugjerojmë organikës së GKA-së dhe drejtorisë së saj të studiojnë mundësinë e një ekspozite të pikturave bizantine të Shqipërisë, që nga shek. XVI (epoka e Onufrit), deri në shek. XIX (epoka e vëllezërve Çetiri) – në mënyrë që kështu të plotësohet “historia” (deri më sot pa krye) e pikturës në Shqipëri, ashtu siç e meriton, pasi edhe ky koleksion ka të drejtën të jetë pjesë në një ekspozitë kombëtare kaq fisnike si ajo e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Ilustrimet nga koleksioni i ekspozuar i GKA-së:

1. Komandanti Enver. I pagabueshmi, i hyjnizuari, oborrtarët e tij dhe populli i tradhtuar gati të çhyjnizojë torturuesin e tij. Ende naiv ose dinak, i sinqertë ose hipokrit, i pavullnetshëm ose që vepron me paramendim.

2. Plaku mes partizanëve – Vepër e Edison Gjergos. Vepër revizioniste dhe heretike, pra e dënueshme dhe hedhur poshtë nga regjimi. Një këngëtar plak, i verbër, “flet” për ato që “shikon”, pavarësisht verbërisë… Rreth tij partizanët e armatosur e dëgjojnë me vëmendje dhe të menduar – jo të mbushur me entuziazëm për arritjet e partisë. Një plak që të bën të mendohesh është i rrezikshëm kur shfaqet në kanavacë. Pra, edhe piktori është po kaq i rrezikshëm! Prandaj vepra u censurua, kurse piktori u dënua me burg.

3. Vajzat kooperativiste – Vepër e Bajram Matës. Realizëm socialist i diktuar. Vajza të lumtura vrapojnë për në punë, ashtu siç do të vraponin vajzat e kapitalizmit për t’u takuar me jaranin. Çfarë “botë e bukur, e moralshme, botë engjëllore” e krijuar nga partia… A nuk është kështu? Pa melankoli dhe skepticizma! Optimizëm, marshim përpara, vizione të lumtura, rinia, bukuria, parimet e partisë, të gjitha bashkë në konservën e një tabloje. Ky është “realizmi socialist”.

Autori drejton Fondacionin Grek të Kulturës në Tiranë. Titulli redaksional. Titulli i autorit: Një “Galeri” e të vërtetave kombëtare…
Shqipëroi: Sokol Çunga

Leave a Reply

XHTML: You can use these tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <pre> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>