Simpoziumi i skulpturës
Posted by kolektiviza on Korrik 8, 2009
Mbyllet simpoziumi i skulpturës
Shqip
Tetë vepra arti do të vendosen në vende publike të qytetit
Simpoziumi ndërkombëtar i skulpturës i ka dhënë qytetit të Korçës një tjetër pamje. Atë të një qyteti me skulptura guri të bardha. Tetë artistë të huaj kanë punuar për më shumë se një javë në parkun “Rinia”, në këtë edicion të dytë të aktivitetit. Në përfundim të simpoziumit, tetë vepra arti që mbajnë mbishkrimin e artistëve pjesëmarrës, që kthyen në një ekspozitë natyrore mjedisin e ndërtuar si një shesh për gdhendjen e blloqeve të gurit të bardhë, i mbeten Korçës. Një ceremoni e veçantë dhe vizitorë të shumtë kanë përshëndetur punën e skulptorëve pjesëmarrës. Bashkë me këto vepra ka mbetur edhe mesazhi që artistët u kanë veshur atyre. Të gdhendura në gur të bardhë janë sjellë në tematikë të lirë, por me forma abstrakte, spiralet e ujit, nyja e dashurisë, një pëllumb, një strukturë arkitekturore e qytetërimit antik, një katedrale, por edhe një gërshetim i gurit me elementin e çelikut. “Ky është një projekt që synon ta shndërrojë Korçën në një lloj galerie arti në natyrë. Janë parashikuar që këtyre objekteve t‘i shtohen edhe shumë skulptura të tjera krahas atyre të realizuara një vit më parë në gur të zi. Këto vepra arti të krijuara nga artistët pjesëmarrës do t‘i vishen Korçës së kulturës, duke u vendosur në vende e sheshe publike, në parqe dhe lulishte dhe do t‘i shtohen fondit të artit figurativ të trashëgimisë sonë kulturore”, ka thënë Niko Peleshi, kryetari i bashkisë. Në këtë edicion morën pjesë skulptorë të mirënjohur nga Gjermania, Anglia, Zelanda e Re, Japonia, Italia, Egjipti e Shqipëria.
