Bienalja e Tiranës, pa ngjyrime politike
Posted by kolektiviza on Shtator 19, 2009
Shqip
9/19/09
Sipas kuratorëve, Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor në Tiranë pritet mirë prej artistëve, sepse ndryshe nga sa ndodh në vende të tjera ku zhvillohen aktivitete të ngjashme ajo është krejtësisht e pavarur
Kanë zgjedhur kornizën si nocion për të lexuar realitetin në këndvështrimin artistik të gjithsecilit pjesëmarrës. Një kornizë të cilën ia kanë veshur hotel “Dajtit” në qendër të Tiranës. Sipas konceptit të organizatorëve të bienales së Tiranës, ai ishte “korniza simbolike” e përsosur për realizimin e një veprimtarie me përmasa ndërkombëtare. Dje në mesditë, në një konferencë për shtyp, u shpall zyrtarisht i hapur episodi i parë i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor në Tiranë. “Eficensa simbolike e kornizës” është tema e edicionit të katërt të bienales së Tiranës, e cila ka shërbyer si një pikënisje për të çelur një diskutim mbi natyrën komplekse të reales dhe mënyrave të ndryshme se si perceptohen dhe se si lidhen ato me historinë tonë. Me pjesëmarrjen e mbi 60 artistëve dhe pesë muratorëve, është menduar që kjo bienale të ndahet në tri episode, të cilat do të hapen në mënyrë të njëpasnjëshme. Gjatë konferencës për shtyp, kuratori dhe njëherazi edhe bashkëdrejtori i këtij aktiviteti, Edi Muka, u shpreh se u zgjodh që bienalja të realizohej në godinën e hotel “Dajtit”, për vetë historinë interesante të tij, por edhe për vetë gjendjen në të cilën ndodhet aktualisht. “Na është dashur një punë e madhe për ta ndryshuar këtë godinë dhe për ta kthyer në funksionale për këtë aktivitet”, thotë Muka, për të cilin “Dajti”, pritësi i bienales është interesant edhe për krijimin e një marrëdhënieje të veçantë mes saj, Tiranës dhe artistëve pjesëmarrës. “Duke ftuar artistët të ndërveprojnë me hotelin dhe historinë e tij, ne shpresojmë të ndërpresim rrjedhën e pandalshme të kohës në të cilën ka hyrë ‘Dajti‘. Ne shpresojmë që këto ndërveprime të krijojnë hapësirat e duhura, përmes së cilave do të mund të shmangim leximin e njëtrajtshëm të historisë, duke u hapur ndaj kritikës dhe analizës së të shkuarës historike dhe të tashmes kinse ‘jo ideologjike‘”, shkruhet në deklaratën për shtyp të TICAB. Më tej, Muka shpjegon se në këtë episod të parë, marrin pjesë 20 artistë. Një pjesë e mirë e tyre janë të njohur ndërkombëtarisht, e një pjesë tjetër janë artistë të rinj, por me të dhëna vërtet premtuese, ndërsa nuk mungon edhe pjesëmarrja e artistëve shqiptarë, si Ardian Paci, Anila Rubiku, apo Ardian Isufi. Ndërkaq, bienalja, e cila ashtu si edhe vetë emri tregon, është një aktivitet që duhet të organizohet për çdo dy vjet, por ajo ka pasur një shkëputje disavjeçare deri sa ka mbërritur në këtë edicion të katërt. Për Edi Mukën, kjo mungesë ka ardhur si pasojë e disa arsyeve, ku kryesorja është për shkak të strukturave mbështetëse. “Megjithatë, kësaj mungese i duhet parë edhe ana pozitive, sepse pikërisht për shkak të mungesës duket se është rritur më tepër interesi ndaj bienales”, vijon ai duke nënkuptuar këtu jo vetëm strukturat mbështetëse, por edhe vetë pjesëmarrjen e artistëve. Shpesh ndodh që të huajt, artistë qofshin a jo, shtyhen drejt Shqipërisë prej një kureshtjeje që jo rrallë lidhet me të shkuarën tonë komuniste, apo prej ndonjë të dhëne tjetër historike a informative mbi vendin tonë. Ndaj edhe pjesëmarrja e tyre në një aktivitet ndërkombëtar si bienalja e Tiranës, ka të bëjë me kureshtjen se si në një vend si Shqipëria mund të organizohet një veprimtari e kësaj natyre. Por, pjesëmarrja mund të shpjegohet edhe përtej këtyre arsyetimeve. Sipas Joa Ljungberg, kuratore e episodit të parë së bashku me Mukën, artistët e huaj e shikojnë bienalen si një aktivitet ndërkombëtar që ndryshe nga sa ndodh nëpër vende të tjera, që e përdorin edhe politikisht, në Shqipëri nuk ndodh kështu. Ajo është një aktivitet i pavarur, që i pret artistët pa lakmuar asgjë tjetër veç punëve të tyre. Ndërkaq, për herë të parë ky aktivitet është i hapur jo vetëm ndaj artistëve të artit pamor, por edhe ndaj arkitekturës dhe zhvillimit urban. Pas episodit të parë, episodi i dytë është planifikuar të hapet më 25 shtator dhe i treti më 2 tetor.
