“Dajti”, numër rekord vizitorësh
Posted by kolektiviza on Tetor 23, 2009
Shqip
Mbyllet edicioni i katërt i Bienales së Tiranës. Organizatorët e konsiderojnë si ndër më të suksesshmen e këtyre viteve. Veç veprave të artrit bashkëkohor të prezantuara gjatë tri episodeve, drejtori artistik i aktivitetit, Edi Muka, ka renditur edhe zgje
Oliverta Lila
Në mbyllje të edicionit të katërt, Edi Muka theksoi se kjo ka qenë Bienalja më e suksesshme e këtyre viteve. Drejtori artistik i këtij aktiviteti ka rreshtuar një sërë faktorësh për këtë fakt. Mbi të gjitha, zgjedhja që në fillim për organizimin e Bienales së Tiranës të godinës së hotel “Dajti”. “Sigurisht që ka qenë një faktor i rëndësishëm. Ka pasur shumë nga ata që nuk e kishin vizituar asnjëherë më parë këtë godinë, e cila në vetvete mbart edhe histori. Deri ditën e fundit ka pasur vizitorë që vinin të shihnin bienalen. Fakti tjetër është që brenda ambienteve kanë gjetur një organizim shumë të mirë të veprave të paraqitura, duke krijuar harmoni mes artit bashkëkohor dhe arkitekturës së hotelit”, ka theksuar Muka në konferencën e fundit të shtypit për këtë edicion. Ndonëse hyrja ka qenë e lirë, në një llogaritje të përafërt, numri i vizitorëve në Bienalen e Tiranës ka qenë rreth 9-10 mijë persona. “Eficienca simbolike e kornizës”, titulli kuatorial takoi në Tiranë artistë të artit bashkëkohor nga vende të ndryshme të botës. Muka vlerëson veçanërisht punën e kuratorëve për zgjedhjen e hapësirave ekspozuese. Ndërsa krahasimisht me bienalet e shkuara, sipas tij, këtë vit ka pasur më shumë artistë të cilët kanë krijuar punët e tyre brenda hapësirave të hotel “Dajtit” apo edhe në ambiente të tjera në Tiranë, por në kuadër të këtij aktiviteti. Ndërsa veç godinës së hotelit, gjatë ditëve të bienales u organizuan një sërë aktivitetesh të tjera satelitore. Diskutime mbi arkitekturën apo zhvillimet bashkëkohore, prekja në rrugët e Tiranës të këtyre ndryshimeve, projeksionet e disa filmave, qenë pjesë e edicionit të katërt të Bienales së Tiranës. Gjatë episodit të fundit, kuratorët por edhe artistët e huaj u shprehën entuziastë për mundësinë që arkitektura e këtij hoteli, shkëlqimi që kishte në kohën e komunizmit është fshehur pas pluhurit, i krijonte artistëve të artit bashkëkohor. Të gjithë shprehën dëshirën që ky hotel përkohësisht jofunksional të vazhdonte të shfrytëzohej si hapësirë arti. Në fakt mbyllja e bienales nuk do të përkojë me mbylljen e dyerve të kësaj godine. Një tjetër ekspozitë do të zërë vend. “Feedback 1989″ do të takojë sërish artistë shqiptarë dhe të huaj për të folur për ndryshimet politike. Duke marrë spunto nga 20-vjetori i shembjes së Murit të Berlinit, duke e zhvendosur diskutimin në ambientet e hotel “Dajti” dhe jo rastësisht. Ndryshimet rrënjësore kanë ndikuar në art dhe në jetët e artistëve, duke i kushtëzuar ata në paraqitjen e realiteteve. Edi Muka e ka shfrytëzuar konferencën për të dhënë edhe lajmin e një iniciative, ende në fillesat e saj për artin bashkëkohor. Bëhet fjalë për krijimin e një galerie, kushtuar tërësisht artistëve të këtij zhanri. “Po mundohemi që me mbështetjen e bizneseve, ambasadorëve dhe aktorëve të tjerë, të ngremë një hapësirë kushtuar posaçërisht artit bashkëkohor dhe e shkëputur tërësisht nga varësia politike. Do të ketë një grup specialistësh, që më pas do të kujdesen për programin dhe gjithçka që mund të ekspozohet. Por jemi ende në fillim të punës”, ka thënë Muka. Nuk është menduar ende as se në cilën pjesë të qytetit mund të jetë kjo godinë. Ditën e fundit të bienales është prezantuar edhe katalogu i aktivitetit. Ndryshe nga herët e tjera, nuk ka formën e një libri, por të një gazete. “Ishte një vendim i kuratorëve të këtij edicioni që katalogu të kishte formën e një gazete, si një nga format më demokratike të shpërndarjes së informacionit. Është botuar në shqip dhe anglisht dhe do të shpërndahet falas për publikun”, theksoi Muka.
Edicioni i katërt i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Tiranës është kuruar në tri episode të ndryshme, nën drejtimin e pesë kuratorëve ndërkombëtarë. Episodi i parë është kuruar nga Edi Muka dhe Joa Ljunberg (Tiranë/Malmo), episodi i dytë nga Ana Dzokic dhe Marc Neelen (Beograd/Roterdam) dhe episodi i tretë nga Corinne Diserens (Paris/Berlin). Nëse gjërat do të shkojnë si duhet, pritet që edicioni i ardhshëm të realizohet pas dy vjetësh.

artsy thënë
i was wondering too on the number of the visitors….from 9 to 10 thousand is a big difference …
there was none there to keep track of visitor numbers, only if those three plastic chairs at the entrance where brochures could be picked had any chip to keep track of visiting numbers…