Hotel “Dajti”mbledh dëshmitë e rënies së diktaturave
Posted by kolektiviza on Tetor 30, 2009
alma mile
Pas 20 vjetësh piedestalet e diktatorëve kanë mbetur bosh dhe kushdo mund të ngjitet mbi to për të treguar se tanimë është vetë zot i vetes. Pas 20 vjetësh koleksioni i letrave të karameleve, mbledhur në fëmijëri dhe ruajtur mes veprave të Enver Hoxhës, është një dëshmi e vërtetë. Për të mos folur për fotografitë që më shumë se gjithçka mund të flasin për ndryshimin e kohëve. Plot 20 vjet më parë, rënia e Murit të Berlinit solli ndryshime në gjithë gjeopolitikën evropiane dhe ndryshoi shumë jetë popujsh. Në kuadër të “Tetorit gjerman”, ky ndryshim vjen i shprehur artistikisht. Artistë nga vende të ndryshme të Evropës Lindore, si Kosova, Serbia, Rumani, Bullgaria, Gjermania e pa dyshim Shqipëria, sjellin përvojat e tyre në ambientet e Hotel “Dajtit”, ndërtesës-simbol të ndryshimit të sistemeve. Titullohet “Feedback 1989”, ku me “feedback” nuk duhet të kuptojmë thjesht “reagim mbi diçka”, por në kuptimin që kjo fjalë ka në akustikë, si “shqetësime, reagime të padëshirueshme në sistemin dëgjimor”. Asgjë më shumë se e kundërta e harmonisë. Sipas kuratoreve të kësaj ekspozite, Adela Demetja dhe Julia August, 20 vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, vizioni për një Evropë të bashkuar, me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e saj është ndoshta naiv dhe mbetet ende shumë larg realitetit. Ndryshimi i hartës së Ballkanit dhe ish-BS u shoqërua me konflikte të përgjakshme, ndërkaq shumë vende “të Bllokut Lindor” janë bërë ndërkohë pjesë e Bashkimit Evropian, por kushtet e jetesës në Gjermani, Bullgari, Francë, ose në Rumani, janë shumë të ndryshme. “Fakti që kjo ekspozitë zhvillohet në Shqipëri, nuk është thjesht koincidencë, sepse megjithë ndryshimet e shumta dhe demokratizimin, mund të thuhet se ende ekziston një lloj “Muri” ndarës. Ai nuk është më “Muri mbrojtës antifashist” i komunistëve, por është politika e vizave të Bashkimit Evropian, e cila i ndalon qytetarët e këtij vendi të përfitojnë nga arritja më e madhe që solli rrëzimi i Murit të Berlinit: Lëvizja e lirë dhe e pakufizuar e çdo individi! Dhe jo pa qëllim në këtë Hotel do të ekspozohen punimet e artistëve që tematizojnë në mënyra të ndryshme këto 20 vitet e fundit”, thotë Adela Demetja. Ekspozita është e ndarë në tre pjesë. Së pari, është një reflektim mbi mënyrën se si kjo ngjarje e madhe është trajtuar në librat e historisë në vende të ndryshme të Evropës, për të vijuar me ekspozitën në sallën e Ballos, ku artistët nga Rumania, Bullgaria, Kosova, Serbia dhe Gjermania, Stephan Balkenhol, Nikolin Bujari, Uroš Djuric, Jakup Ferri, Driton Hajredini, Petrit Kumi, Istvan Laszlo, Peggy Meinfelder, Kamen Stoyanov ekspozojnë veprat e tyre mbi temën e kujtesës, mbi ngjarje të ndodhura para dhe pas vitit 1989. Balkenhol sjell një vizitore në një vend dikur të ndaluar si Hotel Dajti, Bujari sjell ndryshimin e kohëve përmes sloganeve, Ferri dhe Hajredini ecejaket e artistit bashkëkohor, gjithnjë me valixhe në duar, gjithnjë në udhëtim, Kumi ofron fotografi të kohës së diktaturës, Stoyanov nuk i ka rezistuar tundimit të ngjitet në piedestalin bosh, ku dikur qëndronte Lenini në qytetin e tij në Bullgari, e kështu me radhë. Pjesë e kësaj ekspozite është edhe “Artists in residence”, në të cilën dhomat e hotelit do të vihen në dispozicion të artistëve, të cilët do të sjellin në to eksperiencat e tyre në lidhje me rënien e diktaturave, por edhe ndryshimin e konceptit mbi artin prej asaj kohe. Kështu gjatë këtyre ditëve do të mund të takojmë në ambientet e Hotel “Dajtit” artistët Roland Albrecht, Stephan Balkenhol, Julia Kissina, Ledia Kostandini, Jin Lie, Armando Lulaj, Anke Mila Menck, Beatrice Minda, Juli Ndoci, Alketa Ramaj, Albrecht Schäfer, Zuzanna Skiba Gabriela Volanti, të cilët do të individualizojnë me historitë e tyre dhomat e boshatisura të katit të dytë.
Historia në tekstet shkollore
Trajtimi i historisë së 20 viteve të fundit është një çështje që nuk shqetëson vetëm shqiptarët. Duket se ky problem ekziston të gjitha ato vende që kanë kaluar ndryshime sistemesh. “Reflektime – Rënia e Murit të Berlinit në librat shkollorë të historisë” është pjesë e ekspozitës “Feedback ‘89″ që hapet sot në Hotel “Dajti”. Cilat ishin ngjarjet historike që ndodhën në vitin 1989 në Shqipëri, Gjermani edhe vende të tjera? A mund të ekzistojë një histori “objektive” e përbashkët evropiane?
