Petrit Kumi:Si realizova portretin e fundit të Enverit
Posted by kolektiviza on Tetor 30, 2009
alma mile
Aso kohe, Petrit Kumi nuk e kishte menduar se do të mund të ekspozonte në ambientet e hotel “Dajtit”, rezervuar vetëm për delegacione dhe sigurimës. Dje, ambientet e ish-restorantit luksoz i ishin rezervuar vetëm atij. Fotografi të realizuara përpara viteve ’90 u varën mureve për të treguar për një sistem që nuk është më dhe që u kris qysh me rënien e Murit të Berlinit. Realizuesi i mijëra fotove, tregon si fotografohej nën diktaturë, si pasqyrohej jeta e lumtur, kur ajo nuk ishte, si retushoheshin e montoheshin fotografitë e udhëheqësve, si ka realizuar portretin e fundit të Enver Hoxhës. Të gjitha këto, ish-fotografi i udhëheqjes na i tregon në një intervistë.
Z. Kumi, ju jeni pjesëmarrësi më i vjetër në ekspozitën “Feedback ‘89″, ç’ju shtyu të merrni pjesë?
E mbaj mend kur është ndërtuar Muri i Berlinit, kjo ngjarje e shëmtuar, që mohonte liritë e njeriut, por kujtoj edhe entuziazmin, ku ky mur u rrëzua, kështu që e pranova ftesën e kuratores për të marrë pjesë, duke e ndihmuar në këtë reflektim mbi këtë ngjarje të madhe historike. Këto punë janë përzgjedhur nga arkiva ime, nga vetë kuratorja. Është interesant fakti që kjo ekspozitë hapet pikërisht në Hotel “Dajti”, që shërbente vetëm për mbledhjet e partisë dhe për delegacione të huaja. Kjo sallë, ku janë vendosur fotografitë e mia ka qenë një restorant luksoz, ku kishte vetëm të huaj dhe agjenturë, spiunë të sigurimit. Më erdhën nëpër mend të gjithë momentet e vështira që ka përjetuar ky hotel, ku janë lidhur njerëz, janë arrestuar… Kjo është arsyeja pse pranova të marr pjesë në këtë ekspozitë.
Ç’ndjesi ju krijojnë këto fotografi, ka qenë e vështirë për t’i realizuar?
Përmes tyre më kujtohen ngjarjet, jeta, mundimi për të realizuar ato foto, sepse duhet t’i përgjigjesha kërkesave të diktaturës, e cila donte të pasqyroje jetën e bukur, të shëndoshë dhe isha i sforcuar ta krijoja këtë mirëqenie në fotografi. Ka qenë stërmundim si për mua ashtu edhe për kolegët të krijonim vendin më të lumtur, më të gëzuar dhe më trim në botë. Në këto fotografi jemi përpjekur të tregojmë pikërisht këtë, por tregohet gjithashtu edhe jeta e vështirë e shqiptarëve, që duhet të gëzonin të gjithë së bashku, të lexonin gazetën të gjithë së bashku, ta tregonin unitetin me sforcime, duke u ngjitur në majë të hekurave, apo duke shtyrë vagonët, apo të dërgoheshin me dhunë për të punuar vullnetarisht. Por nuk mungonte edhe idealizmi dhe dëshira për të ndërtuar një jetë më të mirë.
Si i realizonit fotografitë, përgatisnit “terrenin” që më parë?
Ka fotografi spontane dhe ato e tregojnë më shumë gjendjen reale, por më së shumti skenat i kërkojnë realizmit socialist. Atëherë varfëria ishte e skajshme dhe mua më duhej që pas radhës së qumështit të shkoja dhe të bëja fotografi që njerëzit jetojnë të lumtur. Në pjesën më të madhe na duhej të përgatisnim terrenin, pse jo të “zbukuronim” njerëzit, mbanim me vete vazelina, pomada…, trukonim, sepse duhet të fotografonim çfarë donte partia. Kishte një listë për këtë. Ne ishim nën gjykim edhe për persona me “njollë” në biografi, që ishin futur në kuadrin e fotografisë. Ishe i detyruar që gjithçka të montohej, të fshihej. Në shkolla të rregulloheshin bankat, në dyqane të sistemohej malli, në miniera të hapeshin magazinat dhe të nxirrnin veshje të reja.. Dhe kjo ishte e frikshme, sepse për një fotografi mund të humbisje dy ditë.
Ju gjithashtu keni realizuar edhe fotografi të udhëheqësve të kohës…
Me udhëheqjen sigurisht kishim probleme. Fotografitë e tyre përpunoheshin në laborator, zbukuroheshin, ose hiqnim elementë, që nuk e nderonin, ose nuk duhet të ishin në atë fotografi. Nga tribunat e 1 Majit, pastrohej figura e udhëheqësit, duke hequr të gjithë figurat që ishin pas tij, sepse nuk ishin të favorshme për kompozimin. Ai duhet të dilte i vetëm, pasi për këtë punë vetëm ai ishte i denjë. Për të mos folur për fotografinë e luftës, e cila ishte e masakruar me montime dhe fshirje. Më është dashur që me diktim nga lart të pastroj fotografitë e Enver Hoxhës, të gjetura në arkivin e “Marubit”, gjatë varrimit të Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit, ku kam hequr të gjithë pjesëtarët e delegacionit që kishte shkuar me këtë rast nga Gjirokastra. U hoqën të gjithë njerëzit që dukeshin me Enver Hoxhën në ballkon, duke e lënë atë të vetëm, si të ishte ai primar atje.
Keni realizuar edhe portrete të tyre?
Pas disa kohësh unë u bëra fotografi i udhëheqjes. Duket se fotografitë e mia pëlqeheshin, pavarësisht se edhe unë e kisha një “njollë” në biografi, që lidhje me rininë time të hershme, gjë që kryeredaktori ma përmendte gjithnjë. Gjithsesi kjo ishte arsyeja pse më besuan të realizoja fotografinë e fundit të diktatorit, që u botua edhe me rastin e vdekjes së tij. Si duket ata ishin të përgatitur për një rast të tillë dhe një muaj, apo një muaj e gjysmë, bashkë me Tefik Veselin e kemi realizuar këtë fotografi në një studio të posaçme. Kjo ka qenë fotografia më e vështirë që kemi realizuar ndonjëherë në jetën tonë.
Ç’e bënte të vështirë, vetë diktatori, apo rrethanat?
Rrethanat ishin tepër të vështira. Dhoma ishte e mbushur vetëm me bodigardë dhe për këtë duhej një lloj kurajoje, aq më tepër që me këtë punë ne mbanim familjet dhe ishim të detyruar të bënim më të mirën. Ai si person nuk ishte i vështirë, por ishin rrethanat që e bënin të tillë. Në atë kohë ai ishte i sëmurë dhe nuk dëgjonte dhe nuk reagonte ndaj asgjëje që i thoshim, kështu që ishim të detyruar të përgatisnim çdo gjë vetë. Një fotografi tjetër e vështirë ka qenë ajo e Spartakiadës së vitit 1984, një vit përpara vdekjes së Enver Hoxhës, në një kohë, kur mediat e huaja thoshin se ai kishte vdekur, por fshihej lajmi. Kështu që ishte e domosdoshme që ai të dilte në publik, për të treguar se gëzonte shëndet të plotë. Në të vërtetë nuk dëshiroja ta bëja një fotografi të tillë, por më kanë detyruar. Unë kisha metodat e mia për ta fotografuar. Kur e njeh personazhin si lëviz sytë e duart e ke më thjeshtë të realizosh një fotografi të mirë. Në momentin kur ai hipi në tribunë, me një ashensor të ndërtuar posaçërisht (distanca nuk ishte veçse tre metra), ngriti dorën, të cilën ia mbante dikush, unë shkrepa. Ky është momenti kur ai ka dalë me kasketë. Mes 30 shkrepjeve të tjera, vetëm kjo ishte e vlefshme. Të nesërmen kjo foto u botua një faqe e plotë në gazetën “Zëri i Popullit”. Ishte gëzim i madh për familjen dhe partinë, pasi kjo u reflektua edhe në shtypin botëror.
Kë do të veçonit si personazh të “vështirë”?
Kam punuar 30 vjet rresht në revistën “Ylli”. Pas vitit ’85 më çuan me dhunë në drejtim të ATSH-së, e cila aso kohe ishte pika më e madhe e referimit të fotografisë, si brenda dhe jashtë vendit. Enver Hoxha nuk jetonte më. Vendin e tij e kishte zënë Ramiz Alia, që sipas meje ishte shumë, shumë i vështirë për t’u fotografuar.
Një jetë me fotografinë
Zyrtarisht nisi të fotografojë gjatë vizitës së Hrushovit, kur ai ishte ndihmës i mjeshtërve Kallfa e Ristani. Shumë shpejt Petrit Kumi do të bëhej një prej mjeshtërve të njohur të fotografisë në Shqipëri, madje edhe i kërkuari i udhëheqjes. Në arkivin e tij personal ka rreth 10 mijë imazhe, ndërsa në arkivat shtetërore mund të ruhen 60-70 mijë shkrepje të tij. Rreth 20-30% kanë karakter politik, ndërsa të tjerat janë fotoreportazhe, kompozime, etj. Ka fotografuar, jo vetëm figurat më të larta të shtetit shqiptar, por edhe përfaqësues delegacionesh të huaja. Veçon Nënë Terezën, të cilën ka qenë i pari që e ka takuar dhe “ndjekur” me aparatin fotografin edhe në selinë e saj në Romë, apo gjatë meshave të së premteve. Një jetë e tërë me fotografinë, të cilën ai do ta paraqesë së shpejti në librin e tij, të cilin dëshiron ta quajë “C’est la vie”.
