kolektiviza

koleksion arti

Arti shqiptar, para dhe pas komunizmit

Posted by kolektiviza on Nëntor 9, 2009

Shqip

Arjola Hekurani

Komunizëm dhe postkomunizëm. Kaq pranë dhe larg. Arti figurativ shqiptar do të përballet përmes dy periudhave të ndryshme, para dhe pas vitit 1990 në Muzeun e Artit Bashkëkohor “Villa Croce”, në Xhenova të Italisë. Duket se askush nuk i shpëton dot kureshtjes për atë që shkoi dhe atë që është në Shqipëri, as në kuadrin artistik, për të mos thënë sidomos në këtë kuadër. Në Xhenova, do të çelet më 13 nëntor ekspozita kolektive e titulluar “Kaq pranë. Kaq larg. Arti në Shqipëri para dhe pas 1990-s”. Nëpërmjet imazhesh, synohet të përcillen para publikut ndryshimet e thella që ndodhën me ardhjen e demokracisë, të cilat lanë shenjë në shoqërinë, jetën politike dhe kulturore shqiptare, por edhe ndryshimet në jetën individuale dhe kolektive. Janë kuratorët Matteo Fochessati, Rubens Shima (njëkohësisht drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve në Shqipëri) dhe Sandra Solimano të cilët janë kujdesur për përzgjedhjen e punëve të disa prej artistëve përfaqësues të këtyre dy periudhave në Shqipëri. Kujtim Buza, Çlirim Ceka, Perikli Çuli, Myrteza Fushëkati, Gentian Gjkopulli, Alban Hajdinaj, Oriana Kamberi, Shpëtim Kërçova, Vilson Kilica, Idlir Koka, Xhemal Lufta, Elsa Martini, Pandi Mele, Aristotel Papa, Alvas Papandili, Heldi Pema, Suela Qoshja, Bukurosh Sejdini, Agim Shami, Sali Shijaku, Orion Shima, Gentian Shkurti, Aleidin Tabaku, Lekë Tasi, Eltjon Valle dhe Driant Zeneli janë artistët, veprat e të cilëve do të paraqiten para publikut italian në këtë ekspozitë për të cilën mësohet se organizatorët kanë thuajse një vit që përgatiten. Veç veprave të realizimit komunist, pjesë e fondit të Galerisë së Tiranës, në ekspozitën e Xhenovës, do të paraqiten edhe vepra të artistëve emergjentë, protagonistë të një sfondi artistik, i cili karakterizohet nga prirja për t‘u përshtatur me skenarin ndërkombëtar, duke dialoguar dhe duke u përballur me veprat e realizmit socialist. Në këtë ekspozitë, përveçse hidhet një vështrim edhe pse i pjesshëm mbi realitetin shqiptar dhe mbi daljen e ngadaltë dhe kontradiktore prej sfondit kulturor të trashëguar prej regjimit komunist në vend, nëpërmjet analizimit të një teme të përbashkët, sjell për vizitorët vepra të realizuara para dhe pas vitit 1991, vit i rënies së regjimit komunist, sistemit diktatorial të vendosur prej Enver Hoxhës. Nëse eksperiencat figurative të realizimit socialist shqiptar, siç edhe ndodh në manifestimet artistike të vendeve totalitare, përhapnin iluzionin e një ekzistence të gëzuar kolektive, më të rejat, me të rënë manteli i retorikës propagandistike, propozojnë dhe synojnë të analizojnë, ndonjëherë edhe përmes një leximi ironik, kontradiktat e shoqërisë së ditëve tona. Temat me të cilat përballen veprat, kanë të bëjnë më së shumti me çështje të përditshmërisë, siç janë puna, edukimi shkollor, qyteti dhe sheshi, kushtet e gruas dhe jeta në çift; një vështrim i veçantë i kushtohet edhe rolit të mediave, fytyrës së pushtetit, por edhe rolit të vetë artistit. Kombinimi i këtyre veprave kaq afër në kohë, por kaq larg sa i përket frymëzimit dhe ndjeshmërisë estetike është një dëshmi efikase e transformimeve të kohëve të fundit të një vendi në kërkim të identitetit të vet, por edhe një shembull i një ndryshimi më global, që përtej ngjarjeve të ndryshme politike, përfshin edhe shoqëri e kombe në të cilat ka qenë më pak i pranishëm vazhdimësia mes së shkuarës dhe të tashmes. Zhvillimet artistike të kohëve të fundit në Shqipëri, shfaqen nëpërmjet formave të ndryshme artistike siç janë videoja, fotografia, instalacionet, gjini që përballen me një qasje problematike aspak të qetë me temat e së përditshmes. Kaq pranë. Kaq larg. Ky është arti në Shqipëri para dhe pas vitit 1990 që vjen në një ekspozitë e cila do të qëndrojë e hapur deri më 7 shkurt të vitit që vjen. Ekspozita organizohet në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve në Tirane dhe fondacioni rajonal për kulturën dhe spektaklin “Wolfsoniana”.

2 Responses to “Arti shqiptar, para dhe pas komunizmit”

  1. Beni thënë

    Nuk me eshte i qart qellimi e as koncepti i ikspozites, apo ndoshta synohet të vihet ndonjë paraleke krahasuse ne mes te asaj që eshte krijuar ne kohen e komunizmit, dhe te demokracisë, apo anarkise se quajtur demokraci. Sipas mendimit tim, rendesine e nje vepre artistike, qofte ajo piktre, skulpture apo grafike, nuk e determinon, nuk e percakton ieologjia, por vlera e saj, gjykimi logjik e estetik , mendja e shendoshe e atij që gjykon mbi atë veper. Ne nuk mund ti hudhim posht piturat,afreskat, piramidat, skulpturat e egjiptasve të vjerer, për shkak se ata besonin dhe afirmonin kultin e te vdekurve. Dhe në kontekst me vlerat, nuk duhet pasur ilusione se në artin pamor aktual ka prurje me cilesore se sa që kishte në artin soc-realist. Madje, pas gjysmeshejuklli, nuk do të pyet nese peizazhet ekspresioniste te Sali Shijakut, ritet kombetare te Abdurrahim Buzës, “Isa Boletini” i Shaban Haderit, “Mbjellja e fidaeneve e Edi Hilës, etj, janëe krijuar në kohen e komunizmit apo në ndonjë kohë tjetër. Madjem, pikërisht piktura e cekur e Edi Hilës,pra “Mbjellja e fidaeve” sot eshte me modrne, me aktuale se shume pokuse instalative, video projektive e konceptule, pas së cilave artistet modern rendin duke menduar se janë ne trend. Ndonese i krijuar ne kohen e proskinezes socialiste, ky imazh (pra mbjellja e fidaneve të reja),aq i sinçet dhe i drejperdrejt, trajton një femnomen krejtesishtt ekologjik, i cili po e mundon qyteterimin e ketij Mileniumi. Me një fjalë, lereni ndrajet veprave në bazë të përkatësive ideologjike e të kohës kur janë krijuar, sepse kjo ndarje segregastive eshte ndarja me e padrejt dhe me paushale e vlerave të mirëfillta, të artit pamor, kurdo dhe nga kushdo që janë krijuesr.

  2. Chik&lufte thënë

    NJe ekspozite tek Biblioteka Kombetare

    http://www.shekulli.com.al/2009/11/15/chiclufte.html

Leave a Reply

XHTML: You can use these tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <pre> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>