kolektiviza

koleksion arti

Archive for the ‘film’ Category

“një çorape e grisur e kthyer mbrapsht që prapë e grisur mbetet” – Fatos Baxhaku

Posted by kolektiviza on Nëntor 26, 2007

 Po sjell ketu nje artikull per kinemane dhe filmin shqiptar sepse prek ne disa ceshtje qe i perkasin dhe arteve pamore e kultures ne pergjithsi.

Para? Po. Më pak skemë, ju lutem

Elsa Demo 26-11-2007 Shekulli

Një punë me më shumë para, s’do të thotë punë më e mirë. Çfarë ka në kinemanë shqiptare për tu bërë më mirë në vitin 2008, vit që për Qendrën Kombëtare Kinematografike do të mbahet mend për buxhetin rekord gjatë funksionit në një dekadë: 1 miliard e 600 milionë lekë (të vjetra). Katër (nga 7) anëtarët e rinj të Këshillit Miratues të Projekteve pwr filmin me metrazh të gjatë dhe të shkurtër, marrin pjesë në këtë forum për problemet e kinematografisë shqiptare. Votën e tyre ata kanë për t’ua dhënë atyre ideve dhe asaj estetike që presin nga kineastët tanë. Për cilat ide dhe për çfarë estetike është fjala? Kiço Blushi, Fatos Baxhaku, Todi Bozo dhe Ylli Pepo, anëtarë të Këshillit që nga 19 nëntori, shfaqin gjithashtu edhe konceptet bazë sipas tyre, për sëmundjet e filmit shqiptar dhe për atë çka do donin të kishin projektet e filmave të ardhshëm.

Sëmundja e skemave

“Diktatura, bunkeri, prostituta.” Me tre fjalë, Fatos Baxhaku, dokumentaristi besnik i shtypit të shkruar dhe televizionit, përmbledh skemën ku është rrotulluar skenari i filmit shqiptar, në këto vite (në vitin 1996 Alba Film Studio, prodhoi filmin e fundit, “Kolonel Bunker” i Kujtim Çashkut, dhe menjëherë hyri formula e QKK), skenar që i mungon dora e dialogistit.

Si Baxhaku si Kiço Blushi, janë të mendimit se tema e antikomunizmi është përdorur më shumë dhe jo gjithnjë ka goditur në shenjë. “Kjo tema e antikomunizmit në filmat shqiptarë për të cilët thuhet se jashtë kanë pasur një lloj efekti, u trajtua njëlloj si dikur tema e antiimperializmit. Pra është e njëjta metodologji. Këta filma nuk bëhen për publikun shqiptar. Nuk dua të përmend asnjë emër për këtë tendencë sepse i kam kolegë”, komenton Blushi. Kurse metafora e Baxhakut lidhet me atë çorapen e grisur dhe është një metaforë që përfshin edhe arte të tjera në Shqipëri, si për shembull teatri. Pra, të bësh të kundërtën e asaj që dikur ka bërë kinemja sipas ligjeve të realizmit socialist: një çorape e grisur e kthyer mbrapsht që prapë e grisur mbetet. Megjithatë gazetari shpreson shumë se filmi alternativ që po mbështetet së fundi nga Qendra Kombëtare Kinematografike, ka për ta grisur fare çorapen e vjetër, pavarësisht se “mentaliteti është shumë i vështirë për tu pastruar”. Shpreson po aq se regjisorë si Xhuvani, Minarolli, Budina, dhe të tjerë që “janë zhveshur nga frustrimet estetike, kanë fituar një përvojë që s’duhet t’i trembë aspak për të guxuar për më shumë, siç është rasti i Fatmir Koçit që realizoi “Vitin e mbrapshtë” që është një sfidë e madhe”.

Skematizmi sipas Ylli Pepos që do të mbahet mend për realizimin e të parës telenovelë shqiptare, “Njerëz dhe fate”, e ka burimin tek “prirja e regjisorëve për të mos e nxjerrë realitetin, për të mos hyrë në të vërtetat dhe në temat e vetë shqiptarëve.”

Shqiptar apo qytetar i botës? Jo shumë e qartë kjo kërkesë që i ndan disa në ata që duan një kinema me “erë Shqipërie” dhe të tjerë që do donin të gjenin brenda një teme universale edhe pak “patriotizëm qytetar”. Baxhaku është i qartë në këtë pikë që askush nga anëtarat e këtij këshilli, nuk do të kishte të drejtë të bënte një planifikim tematik të projekteve, pra të ndiqej një “strategji” në emër të imazhit të vendit. Absolutisht që do të ishte e rrezikshme. “Dakord jam të ketë filmi erë shqiptare, por pa dalë tek pathosi i tepërt që ne kemi.”

Producenti 73-vjeçar Todi Bozo, një nga ata që ia la lëkurën prodhimit të filmit në ish- Kinostudio qysh në vitin 1958 (pas nëntëdhjetës deri më sot ka qenë producent për katër filma), thotë që një nga misionet e kinemasë shërben “për t’i ngritur moralin kombit të vet.” Sipas tij, një producent i mirë kur zgjedh një skenar duhet të shohë disa faktorë. Një nga pikat më të rëndësishme që duhet të përmbushë skenari është ajo që kërkon koha dhe spektatori. “Shqipëria është një fshat i vogël ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin. Kështu, që filmi ynë të çajë jashtë, duhet së pari që Shqipëria të dalë vetë si vend jashtë. Imazhi ynë është i keq. Propaganda ka bërë të vetën. Nëse opinioni publik që është njëherësh edhe spektator, na ka njohur me këtë imazh, si mundet ta përmirësojë atë vetëm kinemaja.” Prandaj Bozo përmendi më sipër misionin e artit filmik edhe për ngritjen e moralit, sepse “Shqipëria s’është vetëm një vend kontrabandistësh”. Tematikën lineare në art ai e ilustron me tregtinë. “Shet njëri nallane dhe o, burra pas tij, të tjerë”.

Nga ana tjetër, për elementët e rëndësishëm të filmit siç janë skenari dhe teknika, të katër anëtarët pranojnë se është i dukshëmnjë lloj zhvillimi i gjuhës filmike, por që mbetet shumë përt’u bërë akoma në drejtim të dinamikës së dramaturgjisë dhe të figurës.

“Kujdes! Kjo nuk është censurë”, sqaron Blushi i gatshëm që të gjitha sa kanë të bëjnë me problemet mirëfilli artistike të projekteve, të diskutohen që në mbledhjen e parë të Këshillit Miratues të QKK, që do të jetë në javën e parë të dhjetorit.

Paralelisht mblidhen dhe Këshillat për Filmin Dokumentar dhe Animacionin që kanë të tjera probleme për të diskutuar. Por u ndalëm tek filmi artistik meqë gëlltit gjysmën e buxhetit dhe është sipërmarrje shumë më e madhe.

Paraja dhe tregu

Me buxhetin 1 miliard e 600 milionë lekë QKK ka mundësi të prodhojë ndoshta edhe një film më tepër të metrazhit të gjatë dhe të fiksojë themelet e brishta të metrazhit të shkurtër që QKK deri tani e ka financuar në mënyrë sporadike. Kineastët, me përvojë dhe të rinj, e quajnë gjininë më të vështirë. Se në ç’nivel është ky film, patëm rastin ta shohim nga ballafaqimi në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër në Tiranë. Ka pasur një vit kur pjesëmarrja jonë rrezikohej me asnjë film. Në 2007 situata është krejt ndryshe.

Për një film të gjatë QKK jep mesatarisht 300 mijë euro. Është jashtë mendjes realizimi me një buxhet si ky pa hyrë në bashkëprodhim me të huajt, partnerë “aspak korrektë dhe jo seriozë në 98% të rasteve”, do të thoshte prerë Bozo.

“Një buxhet më i lartë do të shtynte më tej prodhimin kinematografik jo vetëm si sasi po edhe si cilësi. Deri tani kineastët tanë kanë krijuar një opinion të ri për kinemanë.” Por kaq s’mjafton për Ylli Pepon, sepse e keqja sipas tij është se gati asnjë film i këtyre viteve nuk ka mbetur në mendjen e njerëzve. Pseja pak a shumë u shpjegua nga argumentet më sipër, që kanë të bëjnë mirëfilli me intuitën dhe talentin për të bërë art dhe sigurisht edhe me traditën. Pepo kap një aspekt tjetër që është finalja e gjithë hallkanve: promocioni, marketingu dhe kinematë. “Në buxhetet për filmat nuk mendohet për promocionin, sepse paratë nuk mjaftojnë asnjëherë. Filmat shqiptarë në Millenium rrinë 3 ditë dhe qëllon që s’kemi parë as punët e kolegëve. Atëherë si guxojmë të kërkojmë publik dhe ta edukojmë me dëshirën për të shkuar në kinema?”

Pra, filmi shqiptar e ka më vështirë të çajë të dy tregjet e mundshme. Të brendshmin dhe të jashtmin. Nuk është fjala për tregun e të ardhurave nga shitja e filmit, por për tregun e shfaqjes, e shikueshmërisë. Po diskutojmë në kushtet kur shteti shqiptar s’ka asnjë kinema të vetën. Aktualisht Tirana ka vetëm dy kinema private. Të tjerat janë, ose më mirë ishin: “Agimi”, “Dajti”, janë mbyllur, “17 Nëntorit” dhe “Ali Demit” u doli pronari, janë bërë pallate, “Republika” u rindërtua, u prish, thuhet se aty do jetë prapë një kinema.

“Nëse është shkatërruar ndonjë gjë në Shqipëri, kjo është infrastruktura dhe ky dëm është më i madh se sa dëmi i urbanistikës. Por çfarë t’i bësh infrastrukturës shoqërore, çfarë t’i bësh kësaj injorance që po mbin në Shqipëri, çfarë t’i bësh këtij publiku që edhe kinema t’i hapësh nuk shkon më. Po bëhen gati njëzet vjet dhe një brez i tërë që po lind që nuk është ushqyer me ushqimin bio-kulturor të vendit dhe ky është një problem shumë i madh”. Ky përfundim i Blushit është një akuzë edhe për ato personalitete që patën mundësinë të bëjnë diçka për kulturën dhe nuk e bënë. Është një akuzë dhe për politikanët e sotëm, për ministra kulture të cilët “absolutisht, për mendimin tim, të gjithë kanë dështuar.”

Posted in Ministria e Kultures Rinise dhe Sportit, bashkëkohësia, film, kinema | Leave a Comment »