kolektiviza

koleksion arti

Archive for the ‘hapsira publike’ Category

Blog per artin

Posted by kolektiviza on Mars 26, 2008

 Kritiku i artit - Krypa

U gezova sot kur hasa ne blogun piktorit Toni Milaqi, apo sic njehet ktu tek Kolektiviza – TM. Me erdhi mire qe ai kishte hapur blogun e tij Arti ne Koherat e Koleres jo per arsye sepse nuk kishte vend ketu, perkundrazi ka qene dhe eshte mese i mirpritur sado qe ai mund te mendoj tjeter soj, por per faktin qe po shtohen hapsirat virtuale e blogjet per artin. Secili prej nesh ka arritur ne mardheniet qe kemi me artin nga rruge te ndryshme, dhe kjo pasqyrohet qartshem ne qendrimet dhe perspektivat tona ne boten e madhe te artit. Toni eshte si ti thuash nje i “brendshem” duke qene artist dhe qe aty burojne e rrjedhin shqetesimet dhe pasioni i tij per artin. Kolektiviza eshte e “jashtme” dhe shqetesimet dhe festimet e blogut jane jo te nje krijuesi por te nje vlersuesi apo kritiku te rolit te artit ne shoqeri(-ne shqiptare). Konflikti midis artistit dhe kritikut (nese do mund ta konsideroja veten te tille ) eshte gjalle e shendoshe sot, sic ka qene e do te jete per mot ne art. Duke besuar dhe shpresuar ne produktin organik te takimit konfliktual dhe bashkbisedimit midis artistit/artit dhe publikut (kritiku profesional s’eshte asgje vecse nje publik i caktuar, ne mos i specializuar) i uroj blogim te mbare Tonit dhe mirseardhjen ne blogosferen e artit shqiptar.

Urimin dua tia zgjas dhe blogut ARTDHE. Suksese dhe pune te mbare mirmbajtesit dhe “pronarit” te blogut qe me ka terhequr dhe kenaqur me nenshkrimin “Si nje loje me fjalen ATDHE ku me ARTDHE do te kuptonim atdheun e artisteve, ose ne nje perkthim me te drejperdrejte mund te qendronte si “terren i artit”.

Posted in Faqe informative dhe interesante, blog per artin, hapsira publike | 1 Comment »

Apolitical – Videoperformance tek “Casa Italia”

Posted by kolektiviza on Janar 31, 2008

A Mile Shekulli

Ne Gjuhen e Politikes

Peformanca “revoltë” e një grupi artistësh ndërkombëtarë kundër imazheve të forta që përdoren gjatë edicioneve informative, apo për të ilustruar një problem

Të bombarduar nga lajme dhe informacione që trondisin dhe që tërheqin vëmendjen me imazhe, jo rrallë makabre, njerëzit kanë filluar të lodhen. Nuk i shpëton kësaj trysnie as duke mbyllur sy dhe veshë. Me këtë temë social-politike të botës moderne merren një grup ndërkombëtarë artistësh nga Suedia, Novergjia, Kili, Republika Çeke dhe Italia, ofrojnë mënyra të tjera për të informuar dhe për të tërhequr vëmendjen ndaj problemeve të ndryshme. Janë dy performanca video, të kuruara nga kuratorët Stefano Romano dhe Alessandra Pioselli, të cilat prezantohen sot në orën 18.30 në Qendrën Tregtare “Casa Italia”. Njëra prej tyre, e përbërë nga 4 video quhet “Apolitical exibition”. “A- si artikull dhe A- si apolitike”, – shpjegon kuratori Stefano Romano. Në dukje një lojë fjalësh. Të flitet për politikë me imazhe jo politike. Një zbërthim në dy nivele, në atë estetik dhe politik.

“Çdo ditë shohim mënyrën se si serviren informacionet. Ne ofrojmë mundësinë e të folurit pa imazhe të forta, të cilat ndonjëherë japin efektin e kundërt”, – vazhdon Romano. Për të tërhequr vëmendjen drejt problemeve ekonomike, sociale, politike, nuk kanë zgjedhur as seanca parlamentare, as njerëz duke vdekur urie, të falimentuar, etj.

Syhabit Shkreli, artist pjesëmarrës në dialogun apolitik, ofron pamjet e një akuariumi me peshkaqenë, pamje që sa vijnë dhe hapen dhe në sfond duket një qendër tregtare (në Stamboll). “Në kontekstin ekonomik është tepër e qartë se kush është preja dhe kush gjahtarët”, – thotë Romano. Artisti çek Adam Bacar, tregon një lloj indiference karshi këtyre lloj informacionesh. Ai shtron një rrugicë me gazeta, të cilat zhduken nën vrullshmërinë e përditshmërisë.

Artisti kilian, Ivan Navarro ndërtonperformancën e tij duke kryer aktin e “vjedhjes” së energjisë elektrike. Ai ka ndërtuar një karrocë blerjesh (nga ato që përdoren në markete) me neone. Ecën rrugëve të Nju Jorkut (Chelsea District) me karrocën e çuditshme dhe për ta ndriçuar shfrytëzon ilegalisht energjinë e neonëve publikë. Është një gjetje alegorike, jo për të treguar vjedhjen e energjisë (gjë që ndodh rëndom, sidomos në Shqipëri), por për të treguar dy anët e shoqërisë, për të vënë përballë varfërinë dhe bollëkun, mirëqënien, e cila realizohet në kurriz të të varfërve, për të vënë përballë pushtetin dhe pafuqishmërinë. (Jo më kot performaca zhvillohet në një qendër tregtare).

Të tjera variante ofrojnë dy artistët suedezë Eric Berglin dhe John Skcoog. Përgjatë një videoje njëorëshe të xhiruar në Portin e Goteborgut, artistët lyejnë në të bardhë reklama të mëdha. Ashtu si imazhet e rënda në edicionet e lajmeve edhe spotet publicitare, i ndjen të të ndjekin ngado. Të imponohet me të gjitha format dhe mënyrat. Është një mesazh për pak qetësi publicitare. Dhe artistët nuk bëjnë gjë tjetër, veçse pastrojnë pas ambientin.

Performanca e dytë, e cila mbështetet në dy videot e dy artistëve njëri nga Norvegjia dhe tjetri nga Italia titullohet “Fictional Landscape”. Sipas kuratorit Romano është një lloj reflektimi mbi peizazhin. Nga vetë titulli kupton ca vende imagjinare, ku çdonjëri prej nesh, për t’i shpëtuar rrymës së përditshme, punës, zhurmës, smogut, fytyrave të njëjta, do të donim të arratiseshim.

Videoperformanca që zhvillohet sot në Qendrën Tregtare, zhvillohet me mbështetjen e Institutit të Artit Bashkëkohor – TICA. Videot do të vendosen të shpërndara nëpër katet e qendrës dhe do të qëndrojnë aty për 15 ditë. Është një mënyrë e veçantë komunikimi me publikun, me njeriun e zakonshëm, që nuk gjen kohë për të vizituar galeritë apo studiot e artit, gjatë procesit të blerjeve të gjërave të konsumit të përditshëm, ushqime, apo veshje. Teksa shpenzojnë nga kuleta marrin edhe një mesazh artistik falas.

Posted in Arti Publik, TICA, ekspozita, hapsira publike | Leave a Comment »

Zelli për spastrime të kujtesës

Posted by kolektiviza on Janar 9, 2008

Elsa Demo

09-01-2008 Shekulli

Gëzim Qëndro e quan gabim të pafalshëm heqjen e mozaikut. “Ndërtesë të realizmit socialist muzeun nuk e bën mozaiku, por i gjithë konceptimi i ndërtesës. Atëhere ç’mund të bëjmë? Ta prishim krejt? Vështirë se ka ndonjë që e merr seriozisht parasysh këtë alternativë” Artikullin origjinal e gjeni ketu.

Pak kohë para, 27 janarit, “Ditës së kujtesës” ndërkombëtare, një muze kombëtar në Tiranë del me një tezë kundër kujtesës. Lexuesi u njoh dje me idenë e drejtorit Beqir Meta për të hequr mozaikun mural në lule të ballit të Muzeut Historik Kombëtar me motivin se nuk i përshatet “thelbit të identitetit, të shpirtit shqiptar” dhe “brendisë së muzeut”. Pikërisht tani që atij përbindëshi i ngritur në qindra metra katrorë i është dhënë të gëlltisë miliona për restaurimin e zhguallit, ngrihen teza për thelbin e shpirtit shqiptar në fasadë të një muzeu kombëtar që në brendi është i mbushur me replika dhe bukë peshku si dëshmi të historisë së shqiptarëve.

Studiuesi i artit pamor, Gëzim Qëndro, merr pjesë në debatin që ka hapur zoti Beqir Meta. Duke shpresuar të kontribuojmë në forumin e ideve mbi bazë të të cilave drejtori në fjalë do të veprojë (!), ja dhe komentet e Qëndros i cili ka një përvojë deri diku të ngjashme të problemit që hap heqja ose jo e muzeut, problem i lidhur jo aq me aksionin konkret se sa me qëndrimin ndaj historisë, simboleve dhe trashëgimisë, qofshin këto të ngjyera në ideologji

Nuk është hera e parë që drejtues të ndryshëm të MHK i kanë ardhur rrotull heqjes se mozikut. Në fillim i hoqën yllin pesëcepësh si një ndjenje turpi a bezdije për atë kohë, por kësaj radhe duket se kërcënimi është real. A kemi të bëjmë me revanshe ndaj historisë zoti Qendro, nëse jo si do ta komentonit qëndrimin e mësipërm ndaj mozaikut mural?

Mendoj se nisma për të pastruar ballinën dhe pjesët e tjera të jashtme të Muzeut Historik është për t’u lavdëruar. Kjo pasi imazhi i një institucioni është i lidhur ngushtë me dinjitetin e tij. Por nëse muret e jashtme të Muzeut Kombëtar është mirë të pastrohen sa herë që arrijmë të gjejmë fonde, ky zell pastrues mendoj se nuk duhet të përfundojë në spastrime të cilat detyrimisht ngrenë disa pyetje me karakter artistik dhe etik. Le t’i marrim me radhë. Read the rest of this entry »

Posted in Ministria e Kultures Rinise dhe Sportit, hapsira publike | 7 Komentet »

Një krim artistik

Posted by kolektiviza on Dhjetor 19, 2007

Lyhet mozaiku

E Demo Shekulli

Fotoja që po botojmë, i takon gjendjes që kish ruajtur deri para pak kohësh një prej mozaikëve të Elbasanit që ndodhen rrugës për në këtë qytet, nën qiell të hapur. Sot këtë mozaik e kanë fshirë, e kanë lyer. Një vepër arti ndaj të cilës “është kryer një krim”, na tha piktori Maks Velo ai që bën denoncimin publik nëpërmjet intervistës. Kjo foto është realizuar nga Velo dy vite përpara kur punonte për librin “Heroizmi nudo” i cili ka si objekt studimi veprat monumentale në natyrë të realizuara gjatë epokës së realizmit socialist. Ja pse shkatërrimi i mozaikut të Elbasanit që Velo e vlerëson shumë, përbën “një krim artistik” ndaj veprës që shteti duhet ta marrë në mbrojtje si monument kulture.

Çfarë ka ndodhur me mozaikun e Elbasanit?

Të shtunën, më datë 15 dhjetor, duke shkuar për në Korçë nga Kërraba, u trondita, po aq sa kur pashë dikur freskat e Voskopojës të shpërfytyruara. Sa herë zbres nga Kërraba syri më zë tre mozaikë, një i madh që nuk është ndonjë gjë me vlerë, dhe dy të tjerë, më të vegjël, me temë aksionet e rinisë dhe ushtrinë, që janë shumë të bukur. Dhe sa herë zbres, e ngadalësoj makinën për t’i parë me kujdes, për t’i fotografuar. Në një libër për skulpturën që sapo e kam mbaruar “Heroizimi nudo”, kam një kapitull të veçantë për mozaikët që janë në hapësirë dhe në rrugët tona.

Tek një prej mozaikëve të vegjël, me përmasat 2.40m x 1.40m., ka ndodhur një katastrofë. E kanë lyer me të bardhë a me hidromat. Duhet, mendoj unë, të ketë qenë me rastin e festës së ushtrisë sepse ky mozaik me shtatë figura, përfaqëson atë parullën e partisë, “Populli ushtar!” dhe në qendër është një ushtar. Sidoqoftë ishte dhe është një vepër shumë e bukur dhe mendoj që duhet të rikthehet prapë në gjendjen e parë. Me sa më kanë thënë, këtë mozaik e ka bërë një grua, artiste nga Elbasani, aty nga vitet ‘80 dhe ishte një nga gjërat më të bukura që shihje në rrugë, një nga kujtimet më të mira të artit të realizmit socialist.

Çfarë ka të veçantë sipas jush?

Së pari duhet të kuptojmë që mozaiku dhe afresku janë dy ndër teknikat më të vështira në art. Në afresk ne nuk bëmë dot gjë. Punimet që janë bërë në Muzeun Historik Kombëtar ose në Muzeun e Krujës, nuk janë afreskë origjinalë, por të punuar mbi mur të përgatitur, pra nuk është teknika al afresco. Kurse këto mozaikë për të cilët po flas, apo ai i realizuar në Muzeun Historik Kombëtar apo ata të realizuar në Llogara, janë mozaikë vërtet të bukur, të punuar me dorë, me copa guri, Për mua këto duhen shpallur patjetër monument kulture dhe duhet të ruhen nga shteti. Skandali qëndron edhe në faktin që pikërisht në këtë ditë që ne inaugurojmë shkollën e restaurimit me një pompozitet të madh, shkojmë dhe shkatërrojmë veprat e artit. Asnjeri nuk i ngre këto probleme, asnjeri nuk flet një fjalë, shtypi nuk jep asnjë sinjal, udhëheqja e Galerisë as nuk bëhet merak fare, pedagogët e Akademisë e kanë mendjen vetëm për veten e tyre, qendra studimore e Akademisë boton libra privatë. Asnjerinuk shqetësohet për veprat e artit në hapësirë. Pas dëmeve të mëdha kolosale që patëm me vjedhjen e statujës në hekurudhë të Muntaz Dhramit, pas shkatërrimit, prerjes dhe zhdukjes së monumentit të madh kushtuar grave dhe vajzave të Mirditës, po vazhdojmë edhe sot. Ne nuk vemë mend, nga një anë themi të mbrojmë trashëgiminë, kurse nga ana tjetër po e shkatërrojmë trashëgiminë.

A thoni se është dhunë për të refuzuar një epokë, shkaku që në radhën e këtyre veprave që përmendët e pësoi dhe mozaiku?

Duhet të kuptojmë që një popull i cili nuk ruan vlerat e veta artistike është si një njeri që nuk di emrin e vet. Nuk ka kuptim që të mbrosh mozaikun e Butrintit dhe të prishësh mozaikun e realizmit socialist, përndryshe duhet të shkatërrojmë edhe atë mozaik të Butrintit, meqë një ideologji tjetër e ka krijuar. Pra nuk duhet të ngatërrojmë mesazhet ideologjike me vlerat artistike. Këto janë pika referemi të jashtëzakonshme për ne, përndryshe duhet të zhdukim gjithë Elbasanin, shtëpitë ku banojmë, dhe tërë fabrikat.

Këto vepra janë bërë nga njerëzit, ajo ishte një epokë me të mirat dhe me të metat e veta të mëdha. Nuk po dënohen ata që kanë bërë krime dhe dënohen veprat e artit që s’kanë asnjë faj.

Le të gjendet kush dhe me ç’leje apo të drejtë e ka bërë këtë krim. A janë pronarët e kafeneve aty afër, a është bërë nga bashkia e Elbasanit apo është urdhër nga ndonjë idiot nga ministria. Unë nuk di kush e ka bërë këtë gjë. Duhet të dënohet ky akt dhe mozaiku të vihet nën mbrojtjen e shtetit si monument kulture, meqë tre institutcionet tona, Galeria, Akademia e Arteve dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës nuk i konsiderojnë fare si vepra dhe merren me Bienale dhe “Onufër”.

Çfarë vendi zë ky mozaik apo të ngjashmit e tij tek “Heroizmi nudo”

Aty kam përfshirë një kapitull që merret posaçërisht me ata mozaikë në hapësirë me qëllim për t’i vënë në evidencë. Këta mozaikë, ata të Llogarasë, mozaikët e Pallatit të Pionierëve ndaj të cilëve u bë një krim tjetër i rëndë me t’iu rikthyer si vilë trashëgimtarëve të mbretit Zog, këto pra i kam evidentuar, fotografuar dhe kam dhënë mendimet e mia për këtë degë të artit siç ishte agjitacioni ku veç pllakatit përfshihej edhe mozaiku. Ne kemi pasur sukseset më të mëdha në grafikë, në pllakat dhe në artin e agjitacionit figurativ.

Ju kujtova ndër veprat e “Heroizmit nudo”, mozaikun e Pallatit të Pionierëve, sepse ai mozaik nuk dihet se ku është. Familja mbretërore nuk duhej ta kishte lejuar heqjen prej aty. Të gjitha këto raste tregojnë se operohet me shumë lehtësi, se dëmin e bën çdo njeri si t’i bjerë në kokë duke zhdukur vepra që janë një memorje kombëtare, sememorja kombëtare nuk është vetëm në ato depot e galerisë, janë edhe këto jashtë, të cilat janë më me efekt sepse tregon që jemi përkujdesur, kemi bërë vepra arti dhe në rrugë pavarësisht nga ideologjia. E përsëris, njeriu duhet të jetë në gjendje të ndajë mesazhin ideologjik nga vlera artistike e veprave të artistëve të cilët kanë punuar në kushte shumë të vështira ekonomike, por i kanë bërë këto vepra dhe nuk mund t’i zhdukësh në këtë mënyrë. Është një marrëzi e tërë.

Ne nuk bëjmë as skulptura parku, as skulptura në rrugë të mëdha, as mozaikë, as monumente gjatë autostradave të cilat i kemi mbushur me varreza si të vetmet monumente të shëmtuara. Atje ku vritet një person në rrugë, ngrihet një varrezë nga familja. Një ditë ka të ngjarë që gjithë Shqipëria të kthehet në një varrezë gjatësore që nga veriu në jug.

Posted in Arti Publik, artist, bashkëkohësia, hapsira publike | 2 Komentet »