Gazeta Shqip
Alda Bardhyli
2/2/08
Pesë vjet prej ndarjes nga jeta e Danish Jukniut. Historia e një prej piktorëve që diti të gjente dritën në tablotë e realizuara gjatë realizmit socialist
Ai e la penelin mbi tablo dhe nuk e mori kurrë më në dorë, që kur Danuta, polakja që e deshi aq shumë, mbylli sytë përgjithmonë. Për nëntë vjet me radhë ai nuk mundi ta shuante trishtimin e asaj humbjeje, deri sa mes dhembjesh mori udhën për tek ajo… Ishin ditët e para të shkurtit të vitit 2003, kur oborri i shtëpisë ku dhe lulet nuk çelnin më si në kohën e Danutës, luhateshin lehtë nga era. Ajo shtëpi e mbushur plot miq, ku në një dhomë të madhe ndodheshin pikturat e një jete të tërë, dridhej përpara një lamtumire që nuk donte ta jepte. Teksa dyzohej përballë dorëzimit të përjetshëm, Danish Jukniu hodhi vështrimin tek ajo dhomë, ku për gati gjysmë shekulli kishte mundur të fshihej te çdo tablo një sekret. Si të gjitha ikjet, ajo ishte e pashmangshme, por burri me një fizik gjithnjë elegant dhe flokët e ngritura lehtë mbi ballë, po ikte duke lënë pas tek ajo dhomë gjithë shpirtin e tij. Ato nudo grash të trishtuara, të cilave ai ua ka mbuluar fytyrën me një mjegull, tashmë heshtnin, ndërsa miqtë (ky artist kishte shumë miq) shtrëngonin lehtë buzët, duke mos e dashur këtë lamtumirë.
Më 5 shkurt bëhen pesë vjet prej ndarjes nga jeta e një prej artistëve më të rëndësishëm në artet pamore shqiptare para viteve ‘90-të. Një personazh, emri i të cilit nderohet nga gjithë brezi i artistëve, por që gjatë kohës që qe gjallë i duhej të luftonte me heshtjen. Një absurd i veçuar nën një sistem vlerash të përkufizuara qartë nga i ashtuquajturi “art i realizmit socialist”, ku personazhe si ai në një farë mënyre kishin grumbulluar rreth vetes privilegjin e disa sekreteve të pathëna në zbulim të artit”, shprehet për të një nga nxënësit e tij, piktori Vladimir Myrtezai. Një mori veprash që ai ka lënë pas janë sot si një mënyrë për të depërtuar jo vetëm në mendjen e Jukniut, por dhe filozofinë e artistit që punën e tij e bëri nën hallkat e një sistemi jo të lehtë totalitar. Ndoshta për këtë fakt pikturat e tij sot marrin një tjetër dimension, ose dritë, ajo dritë që sot duket aq e qartë, ndërsa dikur dallohej mes ngjyrash. Jukniu zgjodhi të ishte një vetmitar, pasi vetëm kështu mund të ushqente i vetëm marrëdhënien e tij me pikturën. Në intervistën e fundit që ai i dha Gazmend Krasniqit, ne mund të zbulojmë diçka më tepër mbi jetën e një piktori si ai nën komunizëm. Se si mund të rehabilitohej me pikturën në një sistem të tillë pas studimeve që bëri jashtë? Por sërish në fjalët e thëna mund të ruajë atë misterin që personazhe si ai e mbajnë përjetësisht për vete, dhe që vetëm nëpërmjet pikturës ti mund të përpiqesh ta zbulosh.
Jukniu lindi në Shkodër. Mësimet e para për artin i mori në Kursin e Shtëpisë së Kulturës, kurs që në atë kohë drejtohej nga rusja e bardhë Vitoria Kuzanova, specialiste për ikonografinë. Studimet e larta për pikturë ai do t‘i bënte në Poloni. “Kur shkova atje u binda. Akademia e Arteve në Krakov, ku shkova unë, qe themeluar më 1818. M‘u desh punë e madhe të korrigjoja shumë gjëra nga ato që kisha mësuar në Liceun e Tiranës: shkolla ku kisha mbërritur ishte shumë liberale. Çdo gjë që ndodhte në Francë mbërrinte në Krakov brenda një jave. Pa kaluar as pesë ditë nga ekspozimi në Paris, mbërriti aty i riprodhuar në revistë një portret i Picasso-s. Van Gogh shihej si histori, si formë artistike e kaluar. Shkolla nuk kishte kufizime: lulëzonin të gjitha rrymat e artit. Tek unë nisi lufta e brendshme: çfarë duhej të mësoja dhe çfarë më priste në Shqipëri. Një emision radiofonik u tall me fjalët e sekretarit të arteve figurative të Shqipërisë, i cili kishte thënë se në Shqipëri arti i realizmit socialist nuk kishte asnjë shkarje. Kur ky person erdhi për një konferencë ndërkombëtare në Poloni, i jam fshehur dhe shumë vjet më vonë, tashti në Shqipëri, ia kam mohuar faktin se dikur qeshë fshehur prej tij”, tregon Jukniu për kohën e studimeve në Poloni në intervistën e fundit.
Sigurisht që Polonia do të ndryshonte konceptin e tij për pikturën, do ta bënte të fortë përballë telajos, si dhe do ta takonte me gruan me të cilën ndau jetën në qytetin e Shkodrës. Ja si e përshkruante Danishi dashurinë për të: “Ajo ka qenë syri i parë që shikonte pikturat e mia dhe meqë njihte preokupimet e lexonte të njëjtët libra si unë, gjithmonë më thoshte diçka. Edukata, kultura dhe kërkesat e saj të larta si mjeke, më krijonin një atmosferë të tillë ku unë e ndjeja veten si jashtë shtetit. Mandej i kishim të njëjta edhe pëlqimet: lulet, kafshët, malet, detin. Qysh më 1994, kur ajo u nda nga jeta, nuk kam pikturuar më”.
Por çdo të ndodhte me të riun që kishte njohur një tjetër formë pikture, që kishte parë nga afër një kopje të pikturës së Picasso-s në momentin kur mbërriti në Shqipëri? Ndoshta këtu fillon jeta e vërtetë e Jukniut. Ajo jetë të cilën ai mundi ta zgjidhte mes tij dhe artit, duke u ruajtur me kujdes nga çdo gjë tjetër që do të ndante me të. Ai kujton se kur mbërriti në Shkodër, puna e parë që bëri ishte pjesëmarrja në një ekspozitë kombëtare. Punoi një portret të mbesës dhe një kostum popullor… Por një i ri me një frymë të tillë në pikturë duhet ta ruante veten nga emocionet që mund ta çonin atë dhe polaken e bukur drejt burgut. Për vite me radhë ai punon në Kombinatin e Tekstileve në Tiranë, ndërsa realizon dhe një sërë ilustrimesh në “Drita dhe Nëntori”. “Kam bërë ilustrime në ‘Drita‘ dhe ‘Nëntori‘ derisa më erdhën në vesh fjalët e Kryeministrit të asaj kohe, i cili kishte thënë me tone të ashpra: ‘Ç‘është ky djalë që na bën këto paçavure?!‘, kujtonte Danishi.
Një nga tablotë interesante të Jukniut është dhe ajo me punëtorët e H/C. Në kujtimet për këtë tablo, piktori kujton se kur më 1969 shkoi me studentët në praktikë, kantieri i kishte bërë shumë përshtypje. “Shumë. Vetë njeriu ishte shumë i vockël, por realizmi socialist e donte atë të madh. Qe viti i dytë i shkuarjes në hidrocentral kur e punova atë tablo”.
Por me gjithë pasionin e realizimit, ajo tablo nuk do të pritej mirë. “Ndërmjet shumë diskutuesve që kërkonin mosekspozimin e saj, qëlloi edhe dikush që tha fjalë të mira. Ky ishte një shofer. Më vonë tha fjalë të mira për të Muslim Mylliqi, piktor kosovar, gjë që mund të kushtonte shtrenjtë, sepse ai jetonte në një vend revizionist”.
Por jeta e Jukniut në atë sistem mund të zbërthehet nëpërmjet punëve të realizuara në atë kohë. Jukniu është vetëm një nga ata dhjetëra personazhe të ngjashëm me të në gjini të ndryshme arti, që iu deshën të bënin “dy jetë” në periudhën e komunizmit. Por ç‘ndodhi me piktorin pas viteve ‘90-të?
“Vitet ‘90-të nuk qenë diçka e papritur për mua: prej kohësh mendoja se si do të vinin ndryshimet, nga brenda apo nga jashtë. Në vitet ‘90-të fillova të rilidhesha me ato gjëra që i kisha bindje, që i kisha brenda vetes, pa pasur nevojë t‘i kërkoja gjërat larg. Nuk e ndjeja nevojën të bëhesha medoemos abstrakt. Në pikturat që punova në kohë ndihen motivet e trajtuara prej kohësh, si natyra të qeta, Gjirokastra, por të trajtuara ndryshe, zhveshur nga çdo censurë e autocensurë”.
Këto janë fjalët nëpërmjet të cilave mund të kuptojmë diçka më tepër për piktorin, para së cilit përulen sot të gjithë ata që zgjodhën pikturën për të jetuar.
Të tjerat, ato sekrete të vogla, mund t‘i gjejmë në tablotë që Jukniu la pas. Mund të na i tregojë buzëqeshja e lehtë e një gruaje që qëndron e zhveshur, ulur në një çarçaf të bardhë në një shtrat, apo vështrimi i përqendruar diku i partizanit, pas së cilit shihet Shkodra ku ai ndau jetën… Një cikël interesant në krijimtarinë e tij janë dhe pikturat që piktori Sali Shijaku i quan intime. Një piktor nuk mund të jetë i tillë nëse nuk depërton thellë brenda njeriut. Dhe Jukniu e bëri këtë në një kohë kur kjo gjë ishte e ndaluar, duke depërtuar në trupin e atyre grave që sot na ngjajnë aq të trishtuara dhe që ai jo rastësisht i tregoi të tilla…
Një shkrim nuk mjafton për të folur për Jukniun, apo ashtu siç thotë dhe piktori Vladimir Myrtezai, mik i tij, rrëfimet për të mund të bënin një libër… Veprat e tij do të jenë gjurmë të bukura në historinë e artit shqiptar, dhe pse të bëra nën realizmin socialist.
Sali Shijaku
Ai i fshihte veprat intime në studion time. Danish Jukniu ishte dhe mbetet një nga piktorët më të shquar të gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë për artin tonë. Në të gjithë krijimtarinë e tij ai sillte gjithmonë diçka të veçantë në artin tonë figurativ. Ai sillte pak dritë në artin e realizmit socialist të asaj kohe. Ai kishte shumë vepra intime, të cilat i pati sjellë në studion time për t‘i fshehur. Por më vonë, kur kohët ndryshuan dhe nuk përbënin më rrezik, ato vepra intime ai erdhi dhe i tërhoqi. Për mua ka ikur avangarda e asaj kohe, por që me siguri ishte frymëzuesi edhe i avangardës së sotme, sepse janë vetë studentët e tij që përbëjnë avangardën e artit bashkëkohor.
Intervista/ Vladimir Myrtezai, një nga nxënësit dhe miqtë e tij, tregon takimin e fundit me të
Për njeriun që dinte të kishte sekrete
Takimi i parë me të ka qenë jo dhe aq ekzotik. I tërhequr nga veprat që kishte parë nga ai, si një artist i ri që kërkon të zbulojë çdo detaj që ka prodhuar një vepër, Vladimir Myrtezai kërkonte të depërtonte te një njeri që kishte ditur të ishte i padepërtueshëm. Por ndjesitë e vërteta brenda tyre do ta gjenin vetë rrugën e miqësisë, e cila është nga më të vyerat në kujtimet e Myrtezait. Ndërsa takimi i fundit, si çdo gjë e fundit në jetët tona, ishte i zymtë, i mbushur me një dhembshuri që nuk ekziston asnjë forcë në botë që të kthejë ikjet.
Vladimir Myrtezai, një nga nxënësit dhe miqtë e Danish Jukniut, tregon diçka më tepër rreth imazhit të këtij artisti, dhe vendin që duhet të zënë pikturat e tij në artin tonë…
Kush ishte për ju Danish Jukniu?
Ju falënderoj për kujtesën publike që i bëni mikut tim të rrallë, Danish Jukni, pasi shpesh me vete ndjehem fajtor që nuk gjej hapësirën e mundshme për t‘u marrë me dokumentimin e jetës së tij, sepse unë kam qenë pranë tij për një kohë të gjatë.
Në përkufizimin më emblematik të mundshëm: Një fashë drite e ndriçuar me mister në një periudhë absolutisht të mbyllur, ku të gjithë personazhet rrethciklonin pasionin e tyre me një betim solemn në kërkim të vetvetes. Një absurd i veçuar nën një sistem vlerash të përkufizuara qartë nga i ashtuquajturi “art i realizmit socialist”, ku personazhe si ai në një farë mënyre kishin grumbulluar rreth vetes privilegjin e disa sekreteve të pathëna në zbulim të artit. Sot duket si halucinant ky pohim i imi, por po aq halucinant qe dhe të jetuarit në atë epokë, që parë nga sot lehtësisht do mund të ndihesh dhe i lodhur nga liria e dhuruar. Do të duhej një libër për ta shkoqitur atë eksperiencë që rëndom shquhet me indiferencë sot nga më të rinjtë. Dua të pohoj që për ta shijuar me gjithë peshën e të qenit i lirë, me patjetër do të duhej hequr ajo eksperiencë fatale e 50 viteve të mëparshme.
Si e kujtoni takimin e parë dhe të fundit me të?
Takimi i parë me të ka qenë jo dhe aq ekzotik dhe për t‘u shënuar si një rrethanë e vizatuar me ngjyra. Jam ndjerë përballë një njeriu të sofistikuar e me mjaft rezervë për t‘u afruar. Si disa specie të veçanta që luksin e afrimit me ta e kishin të kodifikuar! Por miqësinë e tij e afrova me mund, pas provave të pandërprera që miqtë i afrojnë njëri-tjetrit, pasi dhe unë s‘e kisha aq të lehtë për t‘u afruar me njerëz në atë periudhë pa më afruar dhe ai disa prova të cilat rrodhën gjatë rrugës, ku humbën kuptimin e të qenit provë, por u shndërruan në pjesë dialogu miqsh për zemër.
Dhe takimi i fundit qe i papërcaktuar, i zymtë, me kllapi përshtypjesh e mbresash, ku në të shumtën njeriu kryen detyrën e tij ndaj njeriut për ta zbritur butë e me dhembshuri njeriun e dashur drejt fundit të tij. Ai, qe një vetmitar i madh, gjë që sipas meje e blatoi vetë me zgjedhjen e tij këtë vetmi. Nuk qe një fund i papritur, por një fund i gjatë e pambarim derisa u shua me ngadalë e me dinjitet. Njeri që e ormisi veten me dhimbje nga me të papërshkruarat dhe që sërish nuk dorëzohej, pasi si trup kish kohë që kish vdekur, por me mend qe esëll dhe po aq prezent sa të gjithë frymorët e ndriçuar të kohës së tij.
Cila qe filozofia e tij?
Në thelb i hapur me një kureshtje të palodhur, me një kulturë të madhe për fenomenet, historinë, popujt dhe kulturat e ndryshme. Një vëmendje të madhe për natyrën, artikulime të ndryshme e kritike për artin.
Në esencë të gjithë ata që kaluan mbylljen e madhe të sistemit që lamë pas, mbijetuan! Dhe vetë format e mbijetesës qenë dhe dritaret e vetme që vënë në kontekst historik morën vlerë të veçantë për faktin se këta njerëz ditën të afrojnë qëndresën e tyre.
Ku duhet të qëndrojë sot piktura e tij?
Në modelet e rralla të qëndresës intelektuale të kohës që jetoi dhe me patjetër në pazëllin historik të artit, në majat e epokës që kaloi, me padyshimin më të vogël.
Kjo racë njerëzish e ka riciklimin të vonë, por nën sepetet e nënndërgjegjes së species ajo krijon nënshtresën e ruajtur me kujdes nga të gjithë ata që luftuan ta zbulojnë qenien dhe jo vetëm tharmin e artit të tij, por dhe vetë modelin e humbur që duhen kohë të tilla absurde për ta rizbuluar.
Muntaz Dhrami
Ai është një emër i nderuar në artin shqiptar për veprën e tij, e cila dallohet për një qartësi të madhe filozofike dhe vlera të rralla estetike. Piktura e tij është një ndër themelet e artit bashkëkohor shqiptar, sepse ai solli në të një vlerë të konsiderueshme estetike, ai trajtoi me mjeshtëri kompozimin, portretin, natyrën e qetë. Ato janë në fondin më të artë të Galerisë së Arteve. Por vepra e Danish Jukniut është në themelin e edukimit të një brezi të ri artistësh. Ai iku në një moshë relativisht të re, iku pas një vuajtjeje dhe lëngate të gjatë, dhe kjo humbje e tij sikur na rëndon më tepër. Por jam i bindur se vepra e tij do të jetë në kujtesën e njerëzve, sepse vepra e tij është ngritur në emocionet e popullit.