kolektiviza

koleksion arti

Archive for the ‘Marubi’ Category

Institucionet kulturore dhe bordet e tyre.

Posted by kolektiviza on Janar 10, 2008

Pushteti i drejtorit dhe flluskat e bordeve

Alma Mile
10-01-2008

Institucionet kombëtare të kulturës kanë borde apo këshilla artistikë që thuajse janë fiktivë. Të gjitha vendimet merren nga drejtuesit, ndërsabordi ka funksion vetëm këshillimor, mblidhet aq rrallë sa mbetet jashtë problemeve që duhet të mbulojë

Sa herë që ndryshohen ministrat e Kulturës, siç ka ndodhur rëndom viteve të fundit, drejtuesit aktualë të institucioneve të mëdha kulturore, ndiejnë frikën e ndryshimit. Kjo nuk është por është bërë normale që ministrat përgjithësisht të punojnë me “njerëzit e tyre”. Lëvizja e drejtorëve diskutohet aq shumë, saqë problemi i institucioneve vërtitet tek zgjedhja e drejtuesit që në fund të fundit ka rezultuar të jetë post politik. Për çdo vendim që merret në këto ngrehina të kulturës ai që përgjigjet është drejtori, Teatri Kombëtar, Galeria Kombëtare e Arteve apo Teatrit Kombëtar i Operës dhe Baletit e kanë nga një këshill artistik, apo bord artistik (emërtimi sipas dëshirës). Janë këto borde që duhet të miratojnë kalendarët dhe të përgjigjen për cilësinë artistike që ofrohet në skenën dhe tregun e kulturës.

Prania dhe eficienca e bordeve është kaq e vakët, për të mos thënë inekzistente, saqë këto struktura formohen, shkrihen, zgjidhen anëtarë të rinj dhe askush nuk e merr vesh se cilët janë, çfarë përfaqësojnë, me çfarë idesh kanë kontribuar, çfarë kanë ndryshuar dhe përse janë paguar. Në shumicën e herëve, kryetar i bordit është drejtori i institucionit, i cili i mbledh kur të ketë dëshirë, jo sipas frekuencës apo nevojës që parashikohet në rregulloret. “Edhe në mbledhjen e fundit që zhvilluam, në fillim të dhjetorit, i kërkuam drejtorit që të përcaktojmë një axhendë, se sa herë do të mblidhej bordi, pasi edhe mbledhjet që kemi bërë, e që nuk kanë qenë edhe aq të shpeshta, janë zhvilluar atëherë kur na kanë thirrur”, – thotë artistja Najada Hamza, një nga anëtaret e bordit artistik të Galerisë Kombëtare të Arteve. (Anëtarët e tjerë janë Gazmend Leka, Ferid Hudhri, Martin Mata, Përparim Kalo, Mimoza Vokshi dhe drejtori Genc Mulliqi në pozicionin e kryetarit). Sipas saj, bordet jo gjithnjë kanë funksionuar për shkak të ndryshimeve të ministrave, që kanë sjellë ndryshime titullarësh dhe bordesh që nga ana tjetër e kanë ndryshuar disa herë statusin nga vendimmarrës në këshillimor.

Sipas Ligjit “Për Artin Skenik”, bordet artistike janë thjesht këshillimorë dhe nuk marrin vendime. Ata marrin pjesë në hartimin e politikave, të kalendarit artistik, të bashkëpunimeve, të aktiviteteve jashtë vendit, apo atyre qeveritare, por nuk kanë të drejtë të marrin vendime, sidomos ekonomike, si në rastin e pagesës së artistëve, etj. Herën e fundit që është mbledhur, bordi i Galerisë ka miratuar kalendarin për vitin 2008, mbi bazën e propozimeve të drejtuesve të GKA-së, por nuk është diskutuar mbi zhvillimin ose jo të aktiviteteve të mëdha, si në rastin e Konkursit “Marubi”, i cili ka dy vjet që nuk bëhet me pretendimin e “shkrirjes së kufijve të artit bashkëkohor”. Ndërsa këtë vit mësohet që “Marubi” i rikthehet kalendarit. “Me thënë të drejtën nuk është kalendari ai që na shqetëson më shumë, por fati i Galerisë. Nëse do të bëhet ndonjëherë e vizitueshme kjo galeri, nëse do të shpëtohet fondi, i cili ruhet në kushte alarmante”, – vazhdon Hamza, prej dy vitesh anëtare e bordit. Një nga pengesat më të mëdha në punën e galerisë është sipas saj paqartësia mbi fatin e godinës së GKA-së dhe drejtimin që ajo do të marrë, nëse do të bëhet muze, apo do të vijojë edhe me ekspozitat e përhershme. Pra bordi vazhdon e merret me probleme të vdekura të galerisë dhe jo me aktualitetin, dmth me të ardhmen e saj.

Ngërçe si ky nuk i ka vetëm GKA. Teatri Kombëtar ka kaluar disa përvoja me ose pa bord (këshill artistik). Kur ish-drejtori Kiço Londo u vendos në krye të TK-së e shkriu tërësisht këshillin, duke i marrë vetë të gjitha përgjegjësitë. Pasardhësi jetëshkurtër në këtë post, Armand Bora, me miratimin e ministrit të MTKRS-së, zgjodhi bord të ri me 7 anëtarë, të cilin drejtori aktual Kristaq Skrami e shkriu si “joeficent” dhe e zëvendësoi me një tjetër prej 5 vetësh ( Mihal Luarasi, Ruzhdi Pulaha, Ylljet Aliçka, Genc Sharku dhe Kristaq Skrami). Një nga anëtarët është larguar, një tjetër është deputet dhe si zor se ndjek mbledhjet, një tjetër ka “konflikt interesi”, kështu që edhe këtu ky bord, nuk duket edhe aq funksional. Ndërsa në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit nuk funksionon këshilli artistik prej muajit maj. Këshilli i dikurshëm, në përbërje të të cilit kishte kompozitorë dhe emra të tjerë të kulturës, pritet të zëvendësohet nga një tjetër. Në të tri institucionet kombëtare duket se bordet janë jashtë loje, për të mos thënë fiktive.

I gjithë pushteti institucional, vizionar, ideor, është i përqendruar në një dorë të vetme drejtori që për paradoks as ky s’është tërësisht i pushtetshëm përderisa është në detyrë në varësi të pushtetit politik. Pasojat e gjithë kësaj bien në cilësinë artistike, në axhendat rastësore, në vendimet e papritura dhe të çuditshme, në kohezionin e kulturës dhe traditës etj.

Nuk ka asgjë të habitshme në këtë mes. Është e pamundur që një njeri i vetëm të mbajë mbi supe dhe të vendosë për fatet e një institucioni kombëtar. Përpos veprimtarisë së diskutueshme të bordeve, gjithnjë e më pak flitet për alternativa qeverisjeje në nivele nëndrejtorësh apo menaxherësh. Edhe në ato raste kur kemi ndonjë syresh, shfaqen konflikte të hapura me titullarët. Mjaft të përmendim rastin e Galerisë, ku drejtori dhe nëndrejtori jo rrallë herë janë përplasur për çështje të ndryshme, sepse “nuk flasin me gojë”. Kujtojmë konfliktin për “Onufrin”.

E pas këtyre “eleminimeve”, nuk është e rastit pse flitet aq shumë për drejtorët që janë baraz me fenë e institucioneve dhe të kulturës që prodhojnë.

Posted in Galeria Kombëtare e Arteve, Marubi, Ministria e Kultures Rinise dhe Sportit, institucionet | 2 Komentet »