kolektiviza

koleksion arti

Archive for the ‘Ministria e Kultures Rinise dhe Sportit’ Category

Pse humbin artistët në Tiranë – Leter Ministrit, Fani Zguro

Posted by kolektiviza on Prill 11, 2008

Pse humbin artistët në Tiranë

FANI ZGURO
Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve

Z. YLLI PANGO

I nderuar zoti Ministër!

Duke shprehur keqardhjen time, ku dhe për në raste të tilla banale duhet t’ju drejtohem personalisht juve, në mënyrë që skandalet, të cilat Galeria Kombëtare e Arteve i prodhon prej muajsh, të marrin zgjidhje. Unë quhem Fani Zguro, fitues i çmimit të parë në konkursin ndërkombëtar të arteve pamore “Onufri 2007”, kuruar nga Ervin Hatibi dhe Rubens Shima, organizuar nga Galeria Kombëtare e Arteve. Padyshim që pas gjithë peripecive që kanë ndodhur jo vetëm pas dhënies së çmimit, por edhe gjatë kurimit të aktivitetit nuk do doja kurrsesi që një tjetër artist të vihej në pozicionin tim. Read the rest of this entry »

Posted in Galeria Kombëtare e Arteve, Kritike, Ministria e Kultures Rinise dhe Sportit, artist, institucionet, onufri | 5 Komentet »

Zhdukja e kryeveprave të artit shqiptar

Posted by kolektiviza on Prill 6, 2008

Zhdukja e kryeveprave të artit shqiptar

BuzaShkruan : Ben Andoni

Zilja e telefonit në Galerinë Kombëtare (GKA) nuk pushonte. Kur më në fund eprori i GKA-së e mori receptorin gjërat ishin të prera. Duhen kaq piktura. Dhe, sa më shpejt të ishte e mundur. Përzgjedhja të ishte e mirë. Ishte pragvizita e Presidentit amerikan G.W.Bush dhe gjërat nuk diskutoheshin. Kuptohet se pakkush e ka dëgjuar drejtorin e GKA-së para këtij urdhri, që ai vetë më vonë do e shprehte si marrëveshje mirëkuptimi. Madje, ai kishte bërë punën e përshtatjes së tyre në interior, me fjalët e tij. ”Të paktën do të jenë në kushte optimale dhe falë kushteve të aklimatizimit, ato do të jenë mirë”, u tha atëherë gazetarëve.

Kjo nuk ishte hera e parë. Për hir të së vërtetës, veprat e GKA-së kanë dalë shpesh nga institucioni për t’i stolisur paretet e varfra të dikastereve shqiptare. Ndërsa vetë ministrat, që kanë bërë tenderë gjithfarëlloj, e kanë pasur të vështirë të pasurojnë fondet e zyrave të tyre. Kur ka ardhur dekiku… një telefon tek vartësit e shumëbindur të GKA… dhe gjërat kanë marrë fund me shkopin magjik. Read the rest of this entry »

Posted in Arti Publik, Galeria Kombëtare e Arteve, Kritike, Ministria e Kultures Rinise dhe Sportit, bashkëkohësia, institucionet | 3 Komentet »

Institucionet kulturore dhe bordet e tyre.

Posted by kolektiviza on Janar 10, 2008

Pushteti i drejtorit dhe flluskat e bordeve

Alma Mile
10-01-2008

Institucionet kombëtare të kulturës kanë borde apo këshilla artistikë që thuajse janë fiktivë. Të gjitha vendimet merren nga drejtuesit, ndërsabordi ka funksion vetëm këshillimor, mblidhet aq rrallë sa mbetet jashtë problemeve që duhet të mbulojë

Sa herë që ndryshohen ministrat e Kulturës, siç ka ndodhur rëndom viteve të fundit, drejtuesit aktualë të institucioneve të mëdha kulturore, ndiejnë frikën e ndryshimit. Kjo nuk është por është bërë normale që ministrat përgjithësisht të punojnë me “njerëzit e tyre”. Lëvizja e drejtorëve diskutohet aq shumë, saqë problemi i institucioneve vërtitet tek zgjedhja e drejtuesit që në fund të fundit ka rezultuar të jetë post politik. Për çdo vendim që merret në këto ngrehina të kulturës ai që përgjigjet është drejtori, Teatri Kombëtar, Galeria Kombëtare e Arteve apo Teatrit Kombëtar i Operës dhe Baletit e kanë nga një këshill artistik, apo bord artistik (emërtimi sipas dëshirës). Janë këto borde që duhet të miratojnë kalendarët dhe të përgjigjen për cilësinë artistike që ofrohet në skenën dhe tregun e kulturës.

Prania dhe eficienca e bordeve është kaq e vakët, për të mos thënë inekzistente, saqë këto struktura formohen, shkrihen, zgjidhen anëtarë të rinj dhe askush nuk e merr vesh se cilët janë, çfarë përfaqësojnë, me çfarë idesh kanë kontribuar, çfarë kanë ndryshuar dhe përse janë paguar. Në shumicën e herëve, kryetar i bordit është drejtori i institucionit, i cili i mbledh kur të ketë dëshirë, jo sipas frekuencës apo nevojës që parashikohet në rregulloret. “Edhe në mbledhjen e fundit që zhvilluam, në fillim të dhjetorit, i kërkuam drejtorit që të përcaktojmë një axhendë, se sa herë do të mblidhej bordi, pasi edhe mbledhjet që kemi bërë, e që nuk kanë qenë edhe aq të shpeshta, janë zhvilluar atëherë kur na kanë thirrur”, – thotë artistja Najada Hamza, një nga anëtaret e bordit artistik të Galerisë Kombëtare të Arteve. (Anëtarët e tjerë janë Gazmend Leka, Ferid Hudhri, Martin Mata, Përparim Kalo, Mimoza Vokshi dhe drejtori Genc Mulliqi në pozicionin e kryetarit). Sipas saj, bordet jo gjithnjë kanë funksionuar për shkak të ndryshimeve të ministrave, që kanë sjellë ndryshime titullarësh dhe bordesh që nga ana tjetër e kanë ndryshuar disa herë statusin nga vendimmarrës në këshillimor.

Sipas Ligjit “Për Artin Skenik”, bordet artistike janë thjesht këshillimorë dhe nuk marrin vendime. Ata marrin pjesë në hartimin e politikave, të kalendarit artistik, të bashkëpunimeve, të aktiviteteve jashtë vendit, apo atyre qeveritare, por nuk kanë të drejtë të marrin vendime, sidomos ekonomike, si në rastin e pagesës së artistëve, etj. Herën e fundit që është mbledhur, bordi i Galerisë ka miratuar kalendarin për vitin 2008, mbi bazën e propozimeve të drejtuesve të GKA-së, por nuk është diskutuar mbi zhvillimin ose jo të aktiviteteve të mëdha, si në rastin e Konkursit “Marubi”, i cili ka dy vjet që nuk bëhet me pretendimin e “shkrirjes së kufijve të artit bashkëkohor”. Ndërsa këtë vit mësohet që “Marubi” i rikthehet kalendarit. “Me thënë të drejtën nuk është kalendari ai që na shqetëson më shumë, por fati i Galerisë. Nëse do të bëhet ndonjëherë e vizitueshme kjo galeri, nëse do të shpëtohet fondi, i cili ruhet në kushte alarmante”, – vazhdon Hamza, prej dy vitesh anëtare e bordit. Një nga pengesat më të mëdha në punën e galerisë është sipas saj paqartësia mbi fatin e godinës së GKA-së dhe drejtimin që ajo do të marrë, nëse do të bëhet muze, apo do të vijojë edhe me ekspozitat e përhershme. Pra bordi vazhdon e merret me probleme të vdekura të galerisë dhe jo me aktualitetin, dmth me të ardhmen e saj.

Ngërçe si ky nuk i ka vetëm GKA. Teatri Kombëtar ka kaluar disa përvoja me ose pa bord (këshill artistik). Kur ish-drejtori Kiço Londo u vendos në krye të TK-së e shkriu tërësisht këshillin, duke i marrë vetë të gjitha përgjegjësitë. Pasardhësi jetëshkurtër në këtë post, Armand Bora, me miratimin e ministrit të MTKRS-së, zgjodhi bord të ri me 7 anëtarë, të cilin drejtori aktual Kristaq Skrami e shkriu si “joeficent” dhe e zëvendësoi me një tjetër prej 5 vetësh ( Mihal Luarasi, Ruzhdi Pulaha, Ylljet Aliçka, Genc Sharku dhe Kristaq Skrami). Një nga anëtarët është larguar, një tjetër është deputet dhe si zor se ndjek mbledhjet, një tjetër ka “konflikt interesi”, kështu që edhe këtu ky bord, nuk duket edhe aq funksional. Ndërsa në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit nuk funksionon këshilli artistik prej muajit maj. Këshilli i dikurshëm, në përbërje të të cilit kishte kompozitorë dhe emra të tjerë të kulturës, pritet të zëvendësohet nga një tjetër. Në të tri institucionet kombëtare duket se bordet janë jashtë loje, për të mos thënë fiktive.

I gjithë pushteti institucional, vizionar, ideor, është i përqendruar në një dorë të vetme drejtori që për paradoks as ky s’është tërësisht i pushtetshëm përderisa është në detyrë në varësi të pushtetit politik. Pasojat e gjithë kësaj bien në cilësinë artistike, në axhendat rastësore, në vendimet e papritura dhe të çuditshme, në kohezionin e kulturës dhe traditës etj.

Nuk ka asgjë të habitshme në këtë mes. Është e pamundur që një njeri i vetëm të mbajë mbi supe dhe të vendosë për fatet e një institucioni kombëtar. Përpos veprimtarisë së diskutueshme të bordeve, gjithnjë e më pak flitet për alternativa qeverisjeje në nivele nëndrejtorësh apo menaxherësh. Edhe në ato raste kur kemi ndonjë syresh, shfaqen konflikte të hapura me titullarët. Mjaft të përmendim rastin e Galerisë, ku drejtori dhe nëndrejtori jo rrallë herë janë përplasur për çështje të ndryshme, sepse “nuk flasin me gojë”. Kujtojmë konfliktin për “Onufrin”.

E pas këtyre “eleminimeve”, nuk është e rastit pse flitet aq shumë për drejtorët që janë baraz me fenë e institucioneve dhe të kulturës që prodhojnë.

Posted in Galeria Kombëtare e Arteve, Marubi, Ministria e Kultures Rinise dhe Sportit, institucionet | 2 Komentet »

Zelli për spastrime të kujtesës

Posted by kolektiviza on Janar 9, 2008

Elsa Demo

09-01-2008 Shekulli

Gëzim Qëndro e quan gabim të pafalshëm heqjen e mozaikut. “Ndërtesë të realizmit socialist muzeun nuk e bën mozaiku, por i gjithë konceptimi i ndërtesës. Atëhere ç’mund të bëjmë? Ta prishim krejt? Vështirë se ka ndonjë që e merr seriozisht parasysh këtë alternativë” Artikullin origjinal e gjeni ketu.

Pak kohë para, 27 janarit, “Ditës së kujtesës” ndërkombëtare, një muze kombëtar në Tiranë del me një tezë kundër kujtesës. Lexuesi u njoh dje me idenë e drejtorit Beqir Meta për të hequr mozaikun mural në lule të ballit të Muzeut Historik Kombëtar me motivin se nuk i përshatet “thelbit të identitetit, të shpirtit shqiptar” dhe “brendisë së muzeut”. Pikërisht tani që atij përbindëshi i ngritur në qindra metra katrorë i është dhënë të gëlltisë miliona për restaurimin e zhguallit, ngrihen teza për thelbin e shpirtit shqiptar në fasadë të një muzeu kombëtar që në brendi është i mbushur me replika dhe bukë peshku si dëshmi të historisë së shqiptarëve.

Studiuesi i artit pamor, Gëzim Qëndro, merr pjesë në debatin që ka hapur zoti Beqir Meta. Duke shpresuar të kontribuojmë në forumin e ideve mbi bazë të të cilave drejtori në fjalë do të veprojë (!), ja dhe komentet e Qëndros i cili ka një përvojë deri diku të ngjashme të problemit që hap heqja ose jo e muzeut, problem i lidhur jo aq me aksionin konkret se sa me qëndrimin ndaj historisë, simboleve dhe trashëgimisë, qofshin këto të ngjyera në ideologji

Nuk është hera e parë që drejtues të ndryshëm të MHK i kanë ardhur rrotull heqjes se mozikut. Në fillim i hoqën yllin pesëcepësh si një ndjenje turpi a bezdije për atë kohë, por kësaj radhe duket se kërcënimi është real. A kemi të bëjmë me revanshe ndaj historisë zoti Qendro, nëse jo si do ta komentonit qëndrimin e mësipërm ndaj mozaikut mural?

Mendoj se nisma për të pastruar ballinën dhe pjesët e tjera të jashtme të Muzeut Historik është për t’u lavdëruar. Kjo pasi imazhi i një institucioni është i lidhur ngushtë me dinjitetin e tij. Por nëse muret e jashtme të Muzeut Kombëtar është mirë të pastrohen sa herë që arrijmë të gjejmë fonde, ky zell pastrues mendoj se nuk duhet të përfundojë në spastrime të cilat detyrimisht ngrenë disa pyetje me karakter artistik dhe etik. Le t’i marrim me radhë. Read the rest of this entry »

Posted in Ministria e Kultures Rinise dhe Sportit, hapsira publike | 7 Komentet »

“një çorape e grisur e kthyer mbrapsht që prapë e grisur mbetet” – Fatos Baxhaku

Posted by kolektiviza on Nëntor 26, 2007

 Po sjell ketu nje artikull per kinemane dhe filmin shqiptar sepse prek ne disa ceshtje qe i perkasin dhe arteve pamore e kultures ne pergjithsi.

Para? Po. Më pak skemë, ju lutem

Elsa Demo 26-11-2007 Shekulli

Një punë me më shumë para, s’do të thotë punë më e mirë. Çfarë ka në kinemanë shqiptare për tu bërë më mirë në vitin 2008, vit që për Qendrën Kombëtare Kinematografike do të mbahet mend për buxhetin rekord gjatë funksionit në një dekadë: 1 miliard e 600 milionë lekë (të vjetra). Katër (nga 7) anëtarët e rinj të Këshillit Miratues të Projekteve pwr filmin me metrazh të gjatë dhe të shkurtër, marrin pjesë në këtë forum për problemet e kinematografisë shqiptare. Votën e tyre ata kanë për t’ua dhënë atyre ideve dhe asaj estetike që presin nga kineastët tanë. Për cilat ide dhe për çfarë estetike është fjala? Kiço Blushi, Fatos Baxhaku, Todi Bozo dhe Ylli Pepo, anëtarë të Këshillit që nga 19 nëntori, shfaqin gjithashtu edhe konceptet bazë sipas tyre, për sëmundjet e filmit shqiptar dhe për atë çka do donin të kishin projektet e filmave të ardhshëm.

Sëmundja e skemave

“Diktatura, bunkeri, prostituta.” Me tre fjalë, Fatos Baxhaku, dokumentaristi besnik i shtypit të shkruar dhe televizionit, përmbledh skemën ku është rrotulluar skenari i filmit shqiptar, në këto vite (në vitin 1996 Alba Film Studio, prodhoi filmin e fundit, “Kolonel Bunker” i Kujtim Çashkut, dhe menjëherë hyri formula e QKK), skenar që i mungon dora e dialogistit.

Si Baxhaku si Kiço Blushi, janë të mendimit se tema e antikomunizmi është përdorur më shumë dhe jo gjithnjë ka goditur në shenjë. “Kjo tema e antikomunizmit në filmat shqiptarë për të cilët thuhet se jashtë kanë pasur një lloj efekti, u trajtua njëlloj si dikur tema e antiimperializmit. Pra është e njëjta metodologji. Këta filma nuk bëhen për publikun shqiptar. Nuk dua të përmend asnjë emër për këtë tendencë sepse i kam kolegë”, komenton Blushi. Kurse metafora e Baxhakut lidhet me atë çorapen e grisur dhe është një metaforë që përfshin edhe arte të tjera në Shqipëri, si për shembull teatri. Pra, të bësh të kundërtën e asaj që dikur ka bërë kinemja sipas ligjeve të realizmit socialist: një çorape e grisur e kthyer mbrapsht që prapë e grisur mbetet. Megjithatë gazetari shpreson shumë se filmi alternativ që po mbështetet së fundi nga Qendra Kombëtare Kinematografike, ka për ta grisur fare çorapen e vjetër, pavarësisht se “mentaliteti është shumë i vështirë për tu pastruar”. Shpreson po aq se regjisorë si Xhuvani, Minarolli, Budina, dhe të tjerë që “janë zhveshur nga frustrimet estetike, kanë fituar një përvojë që s’duhet t’i trembë aspak për të guxuar për më shumë, siç është rasti i Fatmir Koçit që realizoi “Vitin e mbrapshtë” që është një sfidë e madhe”.

Skematizmi sipas Ylli Pepos që do të mbahet mend për realizimin e të parës telenovelë shqiptare, “Njerëz dhe fate”, e ka burimin tek “prirja e regjisorëve për të mos e nxjerrë realitetin, për të mos hyrë në të vërtetat dhe në temat e vetë shqiptarëve.”

Shqiptar apo qytetar i botës? Jo shumë e qartë kjo kërkesë që i ndan disa në ata që duan një kinema me “erë Shqipërie” dhe të tjerë që do donin të gjenin brenda një teme universale edhe pak “patriotizëm qytetar”. Baxhaku është i qartë në këtë pikë që askush nga anëtarat e këtij këshilli, nuk do të kishte të drejtë të bënte një planifikim tematik të projekteve, pra të ndiqej një “strategji” në emër të imazhit të vendit. Absolutisht që do të ishte e rrezikshme. “Dakord jam të ketë filmi erë shqiptare, por pa dalë tek pathosi i tepërt që ne kemi.”

Producenti 73-vjeçar Todi Bozo, një nga ata që ia la lëkurën prodhimit të filmit në ish- Kinostudio qysh në vitin 1958 (pas nëntëdhjetës deri më sot ka qenë producent për katër filma), thotë që një nga misionet e kinemasë shërben “për t’i ngritur moralin kombit të vet.” Sipas tij, një producent i mirë kur zgjedh një skenar duhet të shohë disa faktorë. Një nga pikat më të rëndësishme që duhet të përmbushë skenari është ajo që kërkon koha dhe spektatori. “Shqipëria është një fshat i vogël ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin. Kështu, që filmi ynë të çajë jashtë, duhet së pari që Shqipëria të dalë vetë si vend jashtë. Imazhi ynë është i keq. Propaganda ka bërë të vetën. Nëse opinioni publik që është njëherësh edhe spektator, na ka njohur me këtë imazh, si mundet ta përmirësojë atë vetëm kinemaja.” Prandaj Bozo përmendi më sipër misionin e artit filmik edhe për ngritjen e moralit, sepse “Shqipëria s’është vetëm një vend kontrabandistësh”. Tematikën lineare në art ai e ilustron me tregtinë. “Shet njëri nallane dhe o, burra pas tij, të tjerë”.

Nga ana tjetër, për elementët e rëndësishëm të filmit siç janë skenari dhe teknika, të katër anëtarët pranojnë se është i dukshëmnjë lloj zhvillimi i gjuhës filmike, por që mbetet shumë përt’u bërë akoma në drejtim të dinamikës së dramaturgjisë dhe të figurës.

“Kujdes! Kjo nuk është censurë”, sqaron Blushi i gatshëm që të gjitha sa kanë të bëjnë me problemet mirëfilli artistike të projekteve, të diskutohen që në mbledhjen e parë të Këshillit Miratues të QKK, që do të jetë në javën e parë të dhjetorit.

Paralelisht mblidhen dhe Këshillat për Filmin Dokumentar dhe Animacionin që kanë të tjera probleme për të diskutuar. Por u ndalëm tek filmi artistik meqë gëlltit gjysmën e buxhetit dhe është sipërmarrje shumë më e madhe.

Paraja dhe tregu

Me buxhetin 1 miliard e 600 milionë lekë QKK ka mundësi të prodhojë ndoshta edhe një film më tepër të metrazhit të gjatë dhe të fiksojë themelet e brishta të metrazhit të shkurtër që QKK deri tani e ka financuar në mënyrë sporadike. Kineastët, me përvojë dhe të rinj, e quajnë gjininë më të vështirë. Se në ç’nivel është ky film, patëm rastin ta shohim nga ballafaqimi në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër në Tiranë. Ka pasur një vit kur pjesëmarrja jonë rrezikohej me asnjë film. Në 2007 situata është krejt ndryshe.

Për një film të gjatë QKK jep mesatarisht 300 mijë euro. Është jashtë mendjes realizimi me një buxhet si ky pa hyrë në bashkëprodhim me të huajt, partnerë “aspak korrektë dhe jo seriozë në 98% të rasteve”, do të thoshte prerë Bozo.

“Një buxhet më i lartë do të shtynte më tej prodhimin kinematografik jo vetëm si sasi po edhe si cilësi. Deri tani kineastët tanë kanë krijuar një opinion të ri për kinemanë.” Por kaq s’mjafton për Ylli Pepon, sepse e keqja sipas tij është se gati asnjë film i këtyre viteve nuk ka mbetur në mendjen e njerëzve. Pseja pak a shumë u shpjegua nga argumentet më sipër, që kanë të bëjnë mirëfilli me intuitën dhe talentin për të bërë art dhe sigurisht edhe me traditën. Pepo kap një aspekt tjetër që është finalja e gjithë hallkanve: promocioni, marketingu dhe kinematë. “Në buxhetet për filmat nuk mendohet për promocionin, sepse paratë nuk mjaftojnë asnjëherë. Filmat shqiptarë në Millenium rrinë 3 ditë dhe qëllon që s’kemi parë as punët e kolegëve. Atëherë si guxojmë të kërkojmë publik dhe ta edukojmë me dëshirën për të shkuar në kinema?”

Pra, filmi shqiptar e ka më vështirë të çajë të dy tregjet e mundshme. Të brendshmin dhe të jashtmin. Nuk është fjala për tregun e të ardhurave nga shitja e filmit, por për tregun e shfaqjes, e shikueshmërisë. Po diskutojmë në kushtet kur shteti shqiptar s’ka asnjë kinema të vetën. Aktualisht Tirana ka vetëm dy kinema private. Të tjerat janë, ose më mirë ishin: “Agimi”, “Dajti”, janë mbyllur, “17 Nëntorit” dhe “Ali Demit” u doli pronari, janë bërë pallate, “Republika” u rindërtua, u prish, thuhet se aty do jetë prapë një kinema.

“Nëse është shkatërruar ndonjë gjë në Shqipëri, kjo është infrastruktura dhe ky dëm është më i madh se sa dëmi i urbanistikës. Por çfarë t’i bësh infrastrukturës shoqërore, çfarë t’i bësh kësaj injorance që po mbin në Shqipëri, çfarë t’i bësh këtij publiku që edhe kinema t’i hapësh nuk shkon më. Po bëhen gati njëzet vjet dhe një brez i tërë që po lind që nuk është ushqyer me ushqimin bio-kulturor të vendit dhe ky është një problem shumë i madh”. Ky përfundim i Blushit është një akuzë edhe për ato personalitete që patën mundësinë të bëjnë diçka për kulturën dhe nuk e bënë. Është një akuzë dhe për politikanët e sotëm, për ministra kulture të cilët “absolutisht, për mendimin tim, të gjithë kanë dështuar.”

Posted in Ministria e Kultures Rinise dhe Sportit, bashkëkohësia, film, kinema | Leave a Comment »

Dhe na bie ndërmend për ligje

Posted by kolektiviza on Nëntor 6, 2007

Alma Mile / Elsa Demo

06-11-2007 Shekulli

 

Shkelja e statutit të “Onufrit” është bërë rregull. Kuratorët vetëemërohen ose emërohen arbitrarisht, Ministria e Kulturës tregohet prepotente, ndërsa drejtuesit e Galerisë nuk dinë si ta mbrojnë të drejtën e vendimmarrjes

Plot një javë pas prezantimit të dy kuratorëve dhe konceptit kuratorial sipas të cilit do të zhvillohet Konkursi Ndërkombëtar “Onufri 2007”, drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Genc Mulliqi, shprehet kundër dy të zgjedhurve Rubens Shima dhe Ervin Hatibi, a më saktë mënyrës se si këta erdhën deri këtu. Kush i emëroi? Dje, në konferencën për shtyp që paraqiste ekspozitën fotografike të Lala Meredit Vulës, Mulliqi “gjeti rastin” për të thënë para medias se në “Onufrin” e sivjetshëm kemi të bëjmë me “shkelje të statutit të institucionit”. Sipas tij është hera e dytë që nëndrejtori i Galerisë Kombëtare, Shima bëhet kurator i “Onufrit” dhe “është personalizuar aktiviteti”. “Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dërgoi një urdhër për emërimin e këtyre dy kuratorëve, gjë që është e pasaktë. Zakonisht MTKRS urdhëron shpalljen e konkursit dhe është galeria me këshillin artistik, që diskuton emrat e mundshëm. Dhe në të vërtetë prej kohësh ne po punonim për një gjë të tillë dhe ishim në negociata me artistë, kur na vjen një urdhër nga MTKRS për emërimin e këtyre dy kuratorëve”, – tha Mulliqi, duke shtuar se një gjë e tillë shkel traditën e aktivitetit. Ai thotë se megjithëse nuk është dakord me këtë përzgjedhje, aktiviteti është i MTKRS-së dhe galeria nuk ka shumë në dorë për të ndryshuar situatën. “E quaj të parregullt dhe shpresoj të ndreqet”, – vazhdon drejtori i GKA-së, kur as vetë ai nuk e di se si mund të ndreqet një rast i tillë dhe është i vetëdijshëm që ministri i Kulturës është ai që ve vulën përfundimtare.

Reagimi i Mulliqit është në vazhdën e përplasjeve të pashpallura mes drejtuesve të Galerisë Kombëtare. Prej një viti GKA, duket se drejtohet nga dy stafe të ndryshme, një drejtuar nga drejtori dhe një nga nëndrejtori. Këto “struktura paralele”, në një intervistë për “Shekullin” dhënë kohë më parë, Mulliqi i “justifikonte” me tranzicionin që ka përfshirë edhe shumë institucione të tjera, jo vetëm ato të kulturës!

Deklarata e Mulliqit edhe pse me ca të vërteta brenda, s’mund të merret veçse me rezerva dhe ka nevojë të analizohet. Pyetjet dhe argumentet që duhen shtruar për këtë problem “që duhet ndrequr” në thelb janë dy: çfarë përfaqëson zoti Mulliqi për Galerinë Kombëtare të Arteve? Dhe, çfarë ka ndodhur në edicionet e mëparshme të aktivitetit numër 1 të artit bashkëkohor që organizon GKA me mbështetje të MTKRS? Mulliqi është drejtor i institucionit kombëtar të artit vizual, kështu që deklarata e tij jo vetëm del nga një gojë kofini pas të vjelit, po tregon edhe që ky titullar është i dorëzuar para vendimeve arbitrare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve sa nuk ka forcë as t’i kundërshtojë në kohën dhe vendin e duhur e jo më t’i ndreqë. Ai zgjodhi rrugën më të thjeshtë dhe revolucionare të “protestës” para shtypit, kur si autoritet me të drejta ekzekutive mund t’i ish drejtuar në rrugë zyrtare ministrit të Kulturës, Ylli Pango, të drejtë që atij ia njeh statuti i “Onufrit” mënyra e organizimit të të cilit është çështje krejt e brendshme e galerisë. Edhe ministri aktual i kulturës nga ana e vet, njëlloi si paraardhësi i tij, po tregon se nuk e njeh pavarësinë e institucioneve kombëtare. Pse është vendim arbitrar këtë e thotë qartë edhe drejtori i Galerisë. Dhe pikërisht këtu duhet bërë një parantezë. Në vitin 2003 skulptori Genc Mulliqi ishte kurator i edicionit VI të “Onufrit”. Mbase i duhet kujtuar se edhe ai u zgjodh ta kryejë detyrën jo falë ndonjë platforme apo konkursi, jo sipas rregullave dhe statutit të “Onufrit” po sipas dëshirës së ish- drejtorit të asaj kohe, një nga paraardhësit vendin e të cilit Mulliqi ka zënë sot. Në kundërshtimin e djeshëm e të vonuar të drejtorit që po e sheh veten “të dorëzuar” përballë vartësit të vet (nëndrejtorit Shima) ka një pasaktësi: nuk është fjala për “shkelje të statutit të institucionit”, por për rregullat e vetë statusit të “Onufrit” të përcaktuara që në vitin 1993 kur u themelua (i pagëzuar me emrin e ikonografit të famshëm nga piktori Maks Velo) dhe të rishikuara më pas, në vitin ‘98 kur ministri i atëhershëm i kulturës Edi Rama, vendosi ta bëjë “konkurs ndërkombëtar të arteve vizuale e eksperimentale”.

Gjesti i drejtorit Mulliqi që dukej si shqetësim për mbarëvajtjen e “Onufrit” dhe punëve të Galerisë, nuke justifikon statusin publik dhe institucional që ai gëzon dhe aq më pak të krijojë alibira që në të vërtetë vënë në dukje rrënimin e GKA. Përndryshe duhej të kish qenë ai i pari që të kundërshtonte hapur në nëntor 2005 kur Shima, vartësi i tij ose drejtori de fakto i galerisë vetëshpallej kurator. Madje kur i janë kërkuar argumente për këtë shkelje të statutit të “Onufrit”, Mulliqi shprehte habi për faktin se paskësh pasur dhe një rregullore sipas të cilës ngrihej ngjarja ndërkombëtare e vitit për artet vizuale në Shqipëri.

Shkurt kjo histori ka përballë dy institucione, Ministri-Galeri që nuk njohin kufijtë e njëri-tjetrit. Ka afro katër vite që vazhdojnë këto lloj shkeljesh. Nuk ka mjaftuar emërimi politik i drejtuesve të GKA që edhe atëherë kur kanë qenë njerëz të besuar të ministrave apo të ndonjë kryeministri, kanë rënë viktima të politikës vet, saqë dhe për çështje kaq të thjeshta kanë dalë në sipërfaqe interesa banale që s’kanë pikë lidhje me artin dhe po i bëhen pengesë me një kosto për të ardhmen.

Posted in Galeria Kombëtare e Arteve, Kritike, Ministria e Kultures Rinise dhe Sportit | 1 Comment »

Bienalja nuk do behet, Marubi po ashtu … c’fare mbetet?

Posted by kolektiviza on Gusht 31, 2007

Varavingot e Marubit
Elsa Demo 29-08-2007

 Ka dy vjet, që Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë “Marubi” nuk bëhet. Vetiu ky nuk është më lajm por një problem. Dhe si çdo problem ka argumentet pro dhe kundër. Argumentet kundër, pse ky aktivitet nuk bëhet, shtrohen nga institucioni organizator i cili në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e kanë njohur me status që në vitin 1998. “Ne kemi folur para ca kohësh për këtë temë” thotë drejtori i galerisë, sikur po e shqetësojnë për një dosje të mbyllur hetimore, kur pyetet pse “Marubi” ka dalë kaq lehtë jashtë axhendës vjetore të Galerisë Kombëtare. “Në aktivitetet që ne bëjmë ekspozohet aq shumë fotografi sa s’është mungesë aq e madhe mosbërja e Marubit”. Ky ishte shpjegimi i drejtorit Genc Mulliqi, duke hyrë për në zyrë. Duke qenë se në këtë një përgjegjësi për aktivitetin e dytë të madh të arteve, përveç Onufrit e ka Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, atëherë pyesim në ministri pse ky funksionim me aftësi të kufizuara për aktivitet bazë të artitbashkëkohor. “Epo më mirë se Genci dhe Rubensi nuk e dimë ne këtë punë”.

“Ngaqë vitet e fundit “Marubi” ka pasur rënie dhe ngaqë ne ekspozojmë shumë fotografi, pa folur për ekspozitat e dy francezëve apo siç ishte ekspozita e World Press Photo. Pra fotografi ekspozohet më shumë se çdo gjë tjetër” tha prapë njëri nga djemtë, drejtori i ri, skulptor në zanat, Genc Mulliqi, për të cilin Ministria na tha se do jepte një përgjigje. Por në fakt Ministria mund të jepte një shpjegim për përgjegjësinë që i jep institucioni i varërisë, Galeria, e cila me zërin e Mulliqit thotë se “shkurtimi i fondeve lidhet direkt me fatin e ekspozitës”. A thua “Marubi” është një projekt që u erdhi në derë, po u dhanë fondet nga MTKRS bëhet, po s’u dhanë nuk bëhet. “Aq me tepër kur buxhetin për këtë vit Galeria e ka pasur shumë më pak se viti i kaluar”, shton drejtori Mulliqi. Sa më pak? “Shumë pak, për të mos thënë dy herë më pak se në dy vjet më parë” e mbyll drejtori i Galerisë.

Po t’i bëjmë një lexim “Planit të aktiviteteve të GKA për periudhën Qershor-Dhjetor 2007”, gjejmë:

Ekspozitë e shoqatës së qeramistëve; Ekspozita e “Art Zervas Production” – Greke që nuk është bërë, ekspozitë e piktorit Lekë Tasi; piktorja italiane Teresa Marasca e cila nuk dihet pse duhej të vinte dhe s’erdhi; muaji i kulturës Shqipëri- Kosovë që mendohet të nisë në shtator dhe që sipas deklaratave të ministrit Pango, do përbënte një strategji më vete, jo një po disamujore; ekspozitat vetiake të fotografit kosovar Fahredin Spahija dhe e piktorit Qamil Grezda – Grezda në fakt nuk është aspak një emër i paekspozuar në GKA, por ndiqet kjo “politikë” për shkak të patriotizmit, meqë origjina e Grezdës (që nuk jeton më) është Kosova. Plani i punës së GKA flet për një ekspozitë fotografike të piktorëve rumunë, një vetjake të piktores ruse Tatjana Varvzhina dhe një ekspozitë me 29 libra “I nuovi Mecenati” nën kujdesin e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë. Ka të ngjarë që dhe për ekspozitat e artistëve të huaj gjatë shtatorit, sebep të jenë bërë ambasadat. Në tetor dhe nëntor vjen Udo Dziersk ose Artistë gjermanë, një ekspozitë e artit kontemporan të pikturës me vendet e Evropës Juglindore dhe përsëri një ekspozitë në bashkëpunim me një ambasadë. Deri satë dalë fryma nga vrapi tek dhjetori për të bërë “Onufrin”. Cili nga këto aktivitete është prodhim i Galerisë Kombëtare të Arteve, sepse deri tani shohim vetëm zëra shoqatash, ambasadash dhe miqsh kosovarë?

Si shpenzohet buxheti dy herë më i vogël i Galerisë kur në pjesën më të madhe të vitit Galeria nuk ka asnjë aktivitet të sajin, pasi kryen rol sedentar, të vitrinës apo të sofrës që shtron ç’ti sjellin nga jashtë? Pse kaq inferiore ndaj çdo thirrjeje për hapje dyersh e muresh që i bëjnë diplomatët kalimtarë dhe amatorët e artit, pse galeria nuk ka një axhendë të vetën, me aktivitetet e përvitshme bazë dhe me projekte të vetat me të cilat t’i imponohet Ministrisë dhe donatorëve? Dhe prej këndej del pyetja po aq aktuale për të gjitha institucionet e kulturës që janë në pikën e vdekjes: pse nuk përdorin burime homologe, akademish, muzesh, teatrosh, skenash, por përdorin burim me lidhje të shkurtër, atë politik për të mbushur axhendat?

Sepse kanë krijuar gjithë varësinë e mundshme nga politika, aq sa një ditë duhet ta besojmë me zor se kryeministri i vendit është sqimatar i pikturës dhe i filan piktori dhe këtij gjyhnaqari që shfaqet para kamerave me udhëheqësin, t’u mbushë mendjen të tjerëve se ja kështu e duan këta varavingo të kulturës që tundin çelësat e galerive, operave, teatrove, deri në ardhjen e ministrit të ardhshëm që do t’u tregojë “dhëmbët e armikut”.

E gjitha kjo lidhet me “Marubin” sepse drejtuesit e institucionit në fjalë e kuptojnë mekanizmin e ngrehinës shtetërore jo vetëm si një përulje ndaj pushtetit sakaq edhe si një vend që mund të drejtohet mbi bazë të shijeve personale: Po s’më pëlqeu “Marubi”, s’e bëj. Por si artistë që janë këta drejtues duhet ta dinë fare mirë se as përballë veprës së artit nuk hyn në punë vlerësimi në bazë të pëlqimit apo mospëlqimit.

Kështu janë ndaluar në vend shtatë vjet histori të fotografisë për motive banale, që s’kanë të bëjnë as me financat e pakta dhe as me rënien e cilësisë së aktivitetit të organziuar gjithnjë në kushtet e varfërisë. Në verën e 2004-ës konkursi do të bëhej me 4-5 milionë të vjetra, ndërsa çmimi i madh i “Marub”-it, në rastet kur është paguar, është vlerësuar gjithnjë me 500 mijë lekë.

“Nëse do të shkurtonim një aktivitet për të përballuar të tjerët, do shkurtonim, Marubin”, thotë drejtori i Galerisë për konkursin që mban emrin e fotografëve të parë shqiptarë. Dhe më tej shton sikur “Marubi” të ketë vdekur: “Marubi” ishte një gjë pozitive, e rëndësishme për mua. Nga fakti që s’po bëhet më, mund të ketë humbur shansin ai gjysmëamatori, sepse ai profesionisti është aktiv dhe i gjen hapësirat diku tjetër. Për mua ishte një ekspozitë që mblidhte shumë foto. Marubi i fundit për shembull, ishte një dështim.”

Për herë të parë, një ish- kurator i “Marubit”, fotografi Albes Fusha futi në këtë ekspoze moderne me artistë shqiptarë dhe të huaj, një ekspozitë satelite. Patëm rastin të shihnim pas më shumë se gjysmë shekulli Sotirin e Korçës.

Por nuk është për t’u habitur që me mentalitetin e drejtuesve aktualë nuk mbahen dot në këmbë as traditat e reja shtatëvjeçare si “Marubi” dhe as traditat më të hershme për të cilat kjo ekspozitë u krijoi një shans rizgjimi.

Albes Fusha: Gojët e liga kanë punuar për eliminim

Fotografi i njohur Albes Fusha, disa herë pjesëmarrës dhe fitues në kohët e arta të konkursit ndërkombëtar të fotografisë “Marubit” është kundër idesë së mosbërjes së “Marubit”, ngaqë ekspozohet boll fotografi. “Fotografia përfshin më tepër se një koncept fotografik. Është e vërtetë që fjala bie, edhe në “Onufri” ekspozohet fotografi, por ka fotografë që anojnë nga forma dhe koncepti i kuratorëve nuk u mjafton, nuk janë komodë dhe nuk e gjejnë veten në konkurse të këtij lloji. Gjithmonë kanë qenë këto zëra kundër “Marubit”, dhe koha ka treguar si për t’iu dhënë plus gojëve të liga që s’ka nivele kjo ekspozitë. Dihet që çdo ekspozitë ka uljet dhe ngritjet e veta, kjo s’do të thotë që ta mbyllësh atë. “Marubi” është aktiviteti më i madh i fotografisë. Dhe sa për atë kleçkën e vogël që disa quhen fotografë dhe disa fotografë artistë, ajo s’duhet të bëhet shkas që të eleminohet ky Konkurs Ndërkombëtar.”

Posted in Aktivitete, Galeria Kombëtare e Arteve, Kritike, Ministria e Kultures Rinise dhe Sportit, ekspozita | 2 Komentet »

Teater xhami

Posted by kolektiviza on Qershor 20, 2007

Eshte fare e lehte per nje minister te dal dhe te shpall qe “Kolonat” tashme do te shendrrohen dhe shfrytezohen per te ndertuar nje teater te ri dhe alternativ prej xhami. Parate i ka dhene greku. Pjesa e veshtire eshte konceptimi i funksionit te ketij teatri te ri dhe projektimi i tij. Nje ndertese prej xhami besoj se do duket bukur dhe terheqese por kam frike se i gjithe fondi do te shpenzohet per ndertimin e struktures fizike sesa per strukturen administrative/drejtuese apo per projekted dhe programin qe duhet te zene prioritet ne propozimin e Ministrise. Un do te sugjeroja qe hapsira te ishte me e lire dhe hapur ndaj te gjitha arteve performuese. Teatri patjeter do te mbetej nje nga kryesoret dhe trungu i tere formave te tjera te performances. Sot per sot, nuk ka nje hapsire te teatrit alternativ dhe formave te reja te performances, dhe ky teater prej xhami do mund fare mire ta plotesonte kte boshllek. Duke qene se eshte perballe Akademise se Arteve, kjo hapsire duhet te funksionoj si laborator dhe qender aktiviteti per studentet e Akademise.

Imagjinata se si mund te duket dhe lejon per te pare nga jashte (apo nga brenda) kjo ndertese prej xhami me lejon te enderroj se kjo hapsire mund te funksionoj shume mire si nje veper apo hapsire e artit publik. Transparenca ben te mundur nje bashkpunim e komunikim me publikun e jashtem duke e ftuar ne mos dhe imponuar qe te verej dhe te reagoj ndaj asaj c’fare sheh.

Po dje u shpall dhe zgjerimi i “Fondit të të rinjve” edhe në fushën e Arteve Pamore i cili do të jepet në dy faza: për organizimin në fund të vitit të një konkursi, nga ku do të dalin edhe artistët e rinj më të mirë. Më tej këta të rinj do të mbështeten financiarisht gjatë vitit 2008, falë fondit të akorduar për projektin.”

Konkurset dhe konkurenca kane vendin e tyre ne skenen e artit dhe do thoja jane nje pjese e rendesishme. Por jam skeptike ndaj cmimeve dhe konkurseve te organizuara dhe akorduara direkt nga Ministria. Eshte vertetuar qe ne strukturen e saj nuk ka ekspertet apo vlersuesit e duhur per te nderrmarre dicka te tille. Praktika e nje Ministrie nuk duhet te jete qe te suportoj nga nje dy artist ne vit me fonde por te financioj dhe te bej te mundur projekte (pune) qe mund te perfshijne me shume se nje artist dhe qe kane per qellim angazhimin dhe aktivizimin e artisteve te rinj qe enden neper Tirane pasi kane mbaruar shkollen dhe presin rastin kur te hapet ndonje ekspozite ne vend apo te vij tu bej vizite ndonje kurator i huaj. Kjo do te conte drejt nje strukture vete-ushqyese dhe vet-qendrueshme te artit ne vend. Pasi kjo te jete arritur ne nje menyre apo nje tjeter atehere i mbetet Ministrise qe te suportoj artiste te ndryshem. Suksesi apo afirmimi i disa artisteve brenda apo jashte vendit nuk kane permirsuar dhe nuk do mund te permirsojne gjendjen e artit ne pergjithesi. Kjo vjen vetem nga suporti dhe infrakstruktura e mundshme per artistet si kolektive dhe jo vetem si individe. Read the rest of this entry »

Posted in Aktivitete, Ministria e Kultures Rinise dhe Sportit | 1 Comment »

Kur ngaterrohen detyrat …

Posted by kolektiviza on Qershor 7, 2007

Artikulli i Elsa Demos “Visuale pa Eksperte” trajton paqartesine ne rolin dhe funksionet perkatese te Ministrise e Kultures dhe Galerise Kombetare dhe konfliktet qe vijn si pasoje e ketij konfuzimi dhe politikave te ndryshme.

Me shume te drejte, Elsa shfajson median ne mungesen e kritikes: “Kur vjen puna për të protestuar për mungesën e çdo lloj kritike dhe vlerësimi objektiv mbi artet, gishti futet në njërën plagë që duket, tek ajo e medias. Po asnjëherë nuk është marrë parasysh se para se ta kërkojmë kritikë tek media në zhvillim, kemi harruar estetët, studiuesit, ekspertët që gëzojnë këtë status, madje paguhen për këtë punë, në institucionet e shtetit, akademike dhe jo akademike. Disa bërthama vazhdojnë të jenë varur nga pemët e djeshme, të tjera janë ngritur e janë rrëzuar dhe prapë janë me pakicë, pranë “atelierëve” të artit. Janë plaga që s’duket.” Mungesa e kritikes (qofte estetike apo institucionale) eshte nje plage e gjalle ne kulturen e sotshme shqiptare. Ka plot qe ankohen e shfryhen, por nuk ka nje kritike te shendoshe. Ka dhe nga ata qe shprehen per ceshtje te tilla, por kjo ndodh gjithmone ne media dhe shpesh ne formen e intervistave apo per audiencat e huaja. Ne mungese te platformave dhe forumeve perkatese per te nderrmarre kritike ndaj institucioneve dhe praktikave ne vend, gazetat plotesojne sa faqet e tyre e sa permbushin mungesen e kesaj hapsire. Kjo praktike ne vetvete eshte problematike, por faji dhe me e rendesishme – pergjegjsia nuk bie teresisht mbi median. Eshte pergjegjsi e aktoreve te kultures (artiste, studiues, akademike, kuratore, etj) qe te denoncohen kundrejt ketyre problemeve (jo vetem kur iu shkelin ne kallo) dhe te kerkojne zgjidhje e alternativa sa prej fuqive ne fuqi, e sa prej bashkpunimit apatik me, e vetpranimit te status quo.

Po te kalojme tek kalloja e shkelur. Ministria e Kultures ka shpallur konkurse per dhjetra monumente te ndryshme qe do te shperndahen neper hapsirat publike e qendrave muzeale te qyteteve te Shqiperise. Hapsirat publike ne Shqiperi po shkojne drejte zhdukjes dhe eshte imperative qe rikembja dhe shpallja e ketyre hapsirave te vij nepermjet artit dhe projekteve urbane. Sigurisht monumentet dhe tribunat per heronjte dhe figurat kombetare kane rendesine e vete dhe duhet te jene prezente ne hapsirat publike; ama kto lloj monumentesh nuk duhet te jene e vetmja gje prezente. Ne nje kohe qe parqet (qe sot jane shnderruar ne lagje) kishin ne qender bustet e heronjve te punes socialiste, sot nuk eshte e denje qe ato pak skulptura te shperndara neper qytete te jene vetem te heronjve historike. Duke qene se kto komisione vijne nga Ministria dhe jane vendime politike dhe sa per te permbushur programin Nese e marrim per te qene qe historine e njohim dhe mund fare lehte ta mesojme ne shkolle apo ne muzete historike, kulturen dhe qytetrimin modern duhet ta shprehim dhe ta gjejme ne hapsirat publike. Le te pranojme se hapsirat publike duhet te mbikqyren nga figurat historike-publike; por kto konkurse dhe komisionime nuk duhet te vijn nga Ministria e Kultures. Kto duhet te jene vendime te bashkive te qyteteve. Kjo do te fuqizonte dhe do tu jepte bashkive neper rrethe nje rol me aktiv ne kulture dhe hapsires publike. Po ja te pranojme qe i takon pikerishte Ministrise qe te nderrmarre konkurset perkatese per monumentet ne fjale. Por duhet nderkohe te pranojm qe kjo detyre nuk duhet ti faturohet Galerise Kombetare. Roli dhe funksioni i Galerise eshte elusiv dhe i komplikuar, sic eshte, pa i shtuar dhe detyrimin e organizimit, dhe ekspozimit te ketyre konkurseve qe ne fund te fundit nuk mund te konsiderohen si art. Fatkeqsishte cilesia artistike e shume prej ketyre monumenteve e busteve le shume per te deshiruar sepse perzgjedhja behet nga jo-ekspertet e Ministrise. Keto komisione duhet te perbehen nga akademike te skulptures dhe arteve pamore. Keshtu do kishim projekte te mire seleksionuara dhe nderkohe do te “punesonim” ekspertet dhe akademiket qe jane lene pas dore nga Ministria. Keshtu e tere skena e artit dhe kultures do te perbehej nga aktore te pergatitur, te ndergjegjshem dhe qe dine ti perjigjen njeri tjetrit.

Artikulli Elses trajton, ndoshta per here te pare kete aspekt te konfliktit midis dy Ministrise dhe Galerise, si dhe shume probleme te tjera qe rendojne artin dhe institutet perkatese. Duhet te rishikohen dhe rikrijohen detyrat dhe pergjegjsite qe i takojne secilit prej insituteve dhe aktoreve te artit.

Posted in Galeria Kombëtare e Arteve, Kritike, Ministria e Kultures Rinise dhe Sportit | 1 Comment »