kolektiviza

koleksion arti

Archive for the ‘rezidence’ Category

Fani Zguro fiton Onufrin

Posted by kolektiviza on Janar 15, 2008

Juria: “Me rrugët e Zguros, njohëm Tiranën”

          

Alma Mile
15-01-2008 Shekulli

Fitues të dicionit të 14-të të “Onufrit” janë Zguro, Zeneli, Muzzolini dhe Pema

Fani Zguro, Driand Zeneli, Bruno Muzzolini dhe Heldi Pema janë “tradhtarët” e “Onufrit 2007″. Mbrëmë në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve, u shpallën në një ceremoni modeste fituesit e edicionit të 14-të të Konkursit Ndërkombëtar të Arteve Pamore. Zguro u shpall fitues me videoartin “Street by street”. “Puna që fitoi konkursin, ka një impakt të menjëhershëm. Ka pamje shumë të forta, pasi jep idenë e Tiranës së sotshme, parë me një forcë të madhe, por mbi të gjitha me shumë realizëm. Kam pak ditë në këtë qytet, që nuk e njihja më parë dhe dallova menjëherë ndryshimet e dukshme dhe kontradiktat që vihen re mes ndërtimeve të bëra në epoka të ndryshme. Është një moment ndryshimi, i një dëshire për t’u zhvilluar. Kjo punë paraqet pikërisht këtë moment. Sapo hyra në ekspozitë, puna që më goditi më shumë ishte pikërisht kjo, pasi njoha menjëherë qytetin”, – thotë kryetarja e jurisë, Maria Campitelli kuratore e pavarur, e njohur në ambientet artistike pamore italiane.

Fitues i çmimit të dytë është Driand Zeneli me videoinstalacionin “Kur të rritem do të bëhem artist”. “Është një punë interesante që përputhet me konceptin e konkursit, me tradhtinë, me mitin e Pigmalionit. Ai tregon historinë mbi tradhtinë ndaj artit nën regjim dhe vështirësitë për të qenë sot artist në kuptimin e vërtetë të fjalës. Të jesh sot artist në Shqipëri nuk është e lehtë”, – vazhdon Campitelli.

Fituesi i tretë është artisti italian Bruno Muzzolini me videoartin metaforik “Ngricë”. Krahas çmimeve tradicionale të sponsorizuara nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, u nda edhe një çmim special që parashikon rezidencën në Milano të artistit Heldi Pema për tre muaj. Përveç Maria Campitellit, juria përbëhet gjithashtu nga Albes Fusha, fotograf dhe pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura, Ormira Lulani, specialiste e arteve pamore në MTKRS, Christine Frisinghelli, Drejtore e Muzeut të Artit Bashkëkohor në Grac të Austrisë dhe drejtore e revistës artistike “Camera Art”, Austri, Matteo Fochessati, kryekurator dhe kritik arti i “Netëork”, Genova dhe Miami. “Niveli i përgjithshëm i ekspozitës është i mirë, me punë të ndryshme nga njëra-tjetra, një miks gjuhësor teknologjik. Kishte video, të cilat mbizotëronin dhe që fituan në mënyrë absolute, pikturë, instalacion, fotografi, pra të gjitha mënyrat e të shprehurit, që janë tipike të artit bashkëkohor. Më duket se artistët shqiptarë janë të ingranuar dhe janë brenda zhvillimeve të artit bashkëkohor. Ndoqa edhe punët e paraqitura në Bienalen e këtij viti në Venecia, të cilat patën një sukses shumë të madh, madje në një moment dukej se pavioni shqiptar do të ishte një nga fituesit”, – thotë kryetarja e jurisë. Read the rest of this entry »

Posted in Akademia e Arteve, ekspozita, onufri, rezidence | 12 Komentet »

Rezidenca O‘ A.I.R. i bashkangjitet Onufrit

Posted by kolektiviza on Dhjetor 16, 2007

Gazeta Shqip

Në rezidencë për të bërë art

Konkursi ndërkombëtar i arteve pamore “Onufri” do të ketë dhe një çmim të ri iniciuar nga drejtori i programit të rezidencave O‘ A.I.R. në Milano, Angelo Colombo

Katherine Liberovskaya, Ursula Scherrer dhe Phill Niblock do të lënë Milanon për t‘u kthyer në vendet e tyre. Në galerinë “O‘artoteca” ata prezantuan nga data 6 deri më 14 dhjetor punët e bëra gjatë rezidencës në programin O‘A.I.R. Për gati katër muaj ata jetuan me fondet e dhëna nga ky program, në apartamentin në një fshat afër Milanos, duke krijuar punët për këtë program. Por çfarë i provokoi Katherine kjo rezidencë. E magjepsur gjithnjë nga dritat, ajo prezantoi një video ku ishin instaluar zëra. Drita nuk mund të jetë e bukur vetëm si një refleks dielli, por edhe kur ajo reflektohet mbi një metal… Katherine tregonte nëpërmjet kësaj videoje se si mund të prodhohet një dritë nga gjendje të ndryshme dhe të ketë të njëjtat ndjesi. Ndërsa Ursula duket se është bërë sentimentale gjatë kësaj rezidence. Ajo ka marrë fjali të shkurtra nga emailet që ka nisur gjatë një viti, duke ndërtuar kështu një histori nëpërmjet dialogësh, të cilët nuk mbarojnë asnjëherë. Phill, krejt ndryshe nga dy artistet femra, është marrë me fotografitë e një muzikanti xhazi gjatë vitit 1960. Këta tre artistë janë pjesëmarrësit e fundit në rezidencën e njohur në Itali O‘A.I.R. Rezidencat artistike tashmë janë forma të njohura ku operon arti. O‘A.I.R. është një program i njohur për rezidencat e tij frytdhënëse me selinë në Milano. Drejtori i këtij programi, Angelo Colombo, këto ditë ndodhet në Tiranë, jo vetëm për t‘u njohur nga afër me jetën artistike në vendin fqinj, por për të prezantuar çmimin O‘A.I.R. Ky çmim do t‘i bashkëngjitet konkursit ndërkombëtar të arteve pamore “Onufri”, i cili hap siparin më 20 dhjetor. Kështu krahas çmimeve tradicionale që ndahen në këtë konkurs, këtë vit do të jetë dhe një çmim tjetër ai i O‘A.I.R.

Artistit ose artistes që do të vlerësohet me këtë çmim do t‘i ofrohet një rezidencë në programin e njohur O‘A.I.R. në Milano, për të ekspozuar po në të njëjtën galeri. Sipas njërit prej kuratorëve të “Onufrit”, Rubens Shimës, ky çmim është një mundësi e mirë që u jepet artistëve pjesëmarrës në këtë konkurs. Ashtu si lidhja me galerinë “Contemporano” në Venecia një vit më parë, ku një pjesë e punëve të “Onufrit” u ekspozuan në këtë galeri, gjë e cila do të bëhet edhe këtë vit, dhe ky çmim kërkon të jetë pjesë permanente e “Onufrit”. Kjo me qëllimin për t‘i bashkangjitur dhe programe të tjera rezidencash arti që të bëjnë të mundur integrimin e artistëve të rinj shqiptarë në skena të ndryshme të artit.

Kjo nismë e Colombo-s dhe Shimës synon të formojë një traditë të re në historikun e varfër të konkursit “Onufri” vitet e shkuara dhe me projekte konkrete bashkëpunimi. Colombo thotë se gjatë vitit 2008 ai do të përzgjedhë katër artistë shqiptarë dhe një kurator për të qenë pjesë e një rezidence në programin e tij.

Colombo thotë se e ka të vështirë të bëjë një koment për artin në Shqipëri, ashtu siç do ta kishte të vështirë të analizonte atë çfarë ndodh me artin sot. Gjithnjë ka forma të reja, dalje nga tradita, rikthim te kjo e fundit. Në fund të fundit, arti është një udhëtim për të provuar të gjitha ndjesitë.

Programi që ai drejton, jo vetëm u jep mundësi artistëve të bëhen pjesë e këtyre rezidencave, por lë hapësirë për të eksperimentuar. Është interesante gjithnjë të shohësh se ç‘mund të prodhojë imagjinata, apo qenia jote si artist, brenda një afati të caktuar kohor. Kjo pasi në art janë të njohura qëndrimet si piktura apo krijimi nuk mund të jetë një akt i diktuar.

Posted in rezidence | Leave a Comment »

Irgin Sena – Fituesi i Cmimit Ardhje

Posted by kolektiviza on Dhjetor 4, 2007

Instituti i Artit Bashkëkohor në Tiranë në bashkëpunim me Fondacionin për Shoqëri Civile shpall fituesin e rezidencës artistike 6-javore në Nju Jork. Mes 7 artistësh konkurrentë, fiton Irgin Sena

Irgin Sena është artisti i ri shqiptar që fitoi të drejtën e 6 javëve rezidencë në Nju Jork. Shtatë artistë të rinj u vunë në garë për çmimin e Artit Bashkëkohor “Ardhje 2007″, ideuar nga Instituti i Artit Bashkëkohor në Tiranë (TICA) në bashkëpunim me Fondacionin për Shoqëri Civile në Nju Jork. Punimet në pikturë, fotografi dhe videoart të konkurrentëve Theodoraq Napoloni, Yllka Gjollesha, Genti Gjikopulli, Leonard Qylafi, Era Tula, Fani Zguro dhe Irgin Sena u prezantuan mbrëmë në Galerinë e Akademisë së Arteve të Bukura ku u shpall edhe fituesi. Sipas njërit prej drejtuesve të TICA-s, Edi Muka, përzgjedhja erdhi si rezultat i një pune të gjatë. “Fillimisht hartuam një listë të gjatë emrash atistësh të rinj që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri. Pas një muaji kemi zhvilluar takime me ta, kemi vizituar studio me qëllim që të mos shikojmë një apo dy punë që në mënyrë të rastësishme janë ekspozuar diku, apo janë të suksesshme sepse ndodh, por për të krijuar një ide në vazhdimësi”,- thotë Muka. Në pamje të parë duket se punët e ekspozuara kanë lidhje mes tyre. Nuk bëhet fjalë për mediume e stile, por për një frymë të përbashkët reagimi. Në punët e tyre zë vend Tirana, kaosi i ndërtimeve, dhunimi i fasadave nga posterat elektoralë… Sipas Mukës, arritja në këtë përfundim nuk ka qenë një qëllim me vetvete, madje organizatorët nuk kanë kërkuar mbi bazën e një koncepti. “Ndodh që vetvetiu një pjesë e mirë e tyre reagojnë ndaj Tiranës, ndaj pushtetit. Janë të kujdesshëm të tregojnë shumë poezi në punë, të kenë aspekte të forta estetike, që janë bazë për ngritjen e artit pamor. Kështu që lidhjet janë të vetvetishme, por jo të qëllimshme nga ana jonë. Individualisht ata janë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri”, – vazhdon Muka, teksa shton se fakti që artistët, sidomos ata të rinj, nuk janë pasivë ndaj asaj çka ndodh rreth tyre është e rëndësishme për zhvillimin e arteve pamore. Sa i përket titullit “Ardhje”, ai thotë se bëhet fjalë për një metaforë, që lidhet me moshën e re të artistëve që konkuruan për këtë çmim, por edhe me procesin e krijimit artistik, që në vetvete përbën një lloj ardhjeje, që në momentin kur artisti fillon mendon, reagon deri tek prodhimi. Por më së shumti “Ardhja” lidhet me promovimin e artistëve të rinj, të atyre që po shfaqen në skenën e artit bashkëkohor shqiptar dhe që ka nevojë për mbështetje që të mund të shprehet dhe të zhvillojë projektet e tij. “Në këtë aspekt e gjithë struktura e çmimit synon mbështetjen e drejtpërdrejtë të tyre. Kur je në fillimet e karrierës, të shkosh në Nju Jork është një eksperiencë mjaft e mirë, një shans që nuk jepet lehtë në jetë, jo vetëm për artistët shqiptarë, por edhe ata të huaj”. Fituesi u shpall pas përzgjedhjes së jurisë e përbërë nga kuratorja Eleni Laperi, prof. Zef Paci dhe gazetarja Elsa Demo. Ngjarja gjeti mbështetjen edhe të Ambasadës Amerikane dhe Akademisë së Arteve të Bukura. Çmimi për Artin Bashkëkohor “Ardhje”, është një tjetër përpjekje e TICA-s për zgjerimin e strukturave që ofrojnë një mbështetje të vazhdueshme për artistët shqiptarë si dhe për rritjen e zhvillimit të dialogut dhe shkëmbimeve me artistë dhe profesionistë nga rajoni dhe bota. Sipas Mukës interesimi i artistëve për të marrë pjesë në veprimtaritë e institutit vjen në rritje dhe tashmë drejtuesve u del si detyrë të thithin të tjera fonde që bëjnë të mundur ofrimin e rezidencave dhe çmimeve për artistët.

Intervista

Potencialet e objekteve të parëndësishme

Një……………………… ri reflekton për turmat

Me një reflektim mbi raportin e turmës me liderët dhe një tjetër mbi reaksionet që shkaktojnë në jetën e njeriut faktorët e jashtëm, Irgin Sena fitoi çmimin “Ardhje 2007″, që i ofron 6 javë rezidencë në Nju Jork. I diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, Sena ka thelluar studimet më tej në Nju Jork dhe në Karlsruhe të Gjermanisë. Ka marrë pjesë në një sërë ngjarjesh artistike brenda dhe jashtë Shqipërisë. në konkursin në fjalë ai u paraqit me dy videoarte, “Prekja elektrike” dhe “Pa titull”.

Në njërën prej punëve fokusohesh tek lëvizja e një shpejtësimatësi, ç’ju ngacmoi tek ky objekt?

Një pikëpyetje mbi varësinë tonë ndaj situatave. Tregon si gjendja, reagimet, mendimet varen nga kushtet e jashtme. Nga ana estetike është ideja e marrjes së një objekti shumë të vogël, i cili është i njohur, por i parëndësishëm në vetvete për ne, kompozimi i tij në ato dimensione, në raport me gjithë kuadrin, varësia e objektit artistik pikërisht prej lëvizjes së tij. Ky objekt kthehet në vetvete në diçka unike, pra nuk është thjesht një shpejtësimatës. Kjo video lidhet edhe me punë të tjerat e mia, në të cilat marr ndonjë objekt apo situatë jo shumë të rëndësishme, që nuk përbën ndonjë temë apo ngjarje të madhe, por që në vetvete ka disa potenciale që shërben për të shprehur diçka tjetër.

Ndërsa videoja tjetër është një reflektim mbi “turmën”…

Është një hulumtim mbi marrëdhëniet e turmës dhe liderëve, njerëzve të famshëm, “starëve”. Këto marrëdhënie vihen në dukje, jo përmes atyre mjeteve që ne njohim, siç është komunikimi verbal, apo zëri, por përmes një efekti tjetër, që është drita. Duke qenë se jam më i interesuar për turmat jam fokusuar mbi ta, ndërsa pjesa e “famshme” nuk është e dukshme, por prezenca e tyre ndihet përmes dritës dhe si kjo e fundit krijon një situatë jo reale. Në fillim shfaqen disa linja jeshile që njerëz të ndryshëm e kanë perceptuar në forma të ndryshme, herë si pyll, herë si bar, por në fund shfaqen njerëz. Është i njëjti subjekt që krijon imazhe të ndryshme, pikërisht nga efekti i dritës.

Fillimet e tua janë si piktor, ndërsa këtu paraqiteni me dy video, është kjo “shkëputje” e përkohshme nga peneli?

Duke punuar kam ndjerë nevojën e imazheve të lëvizshme. Kështu ishte fillimi im me videon dhe fillova të punoj me të. Nuk kam ndonjë mendim apriori mbi mediumin, pasi në fund të fundit ajo që ka rëndësi është ajo çka do të shprehësh me anë të tij. Kështu që e lë opsionin e hapur për çdo lloj mediumi, edhe pse kohët e vona kam përdorur videon. Arti ka fituar një lloj pavarësie, ku artisti ka në dorë një shumëllojshmëri mjetesh dhe estetikash, të cilat i përdor si ai do.

Ç’mendon për pjesëmarrjen e vetë artistit në situatën artistike që krijohet?

Shpesh herë ndodh, sepse gjërat janë të lidhura me një kontekst të caktuar, ku edhe autori bën pjesë. Besoj që nuk është vetëm objekti artistik që artisti prodhon, por i gjithë konteksti që shfaqet dhe ku operohet.

Për çfarë do të shfrytëzoje rezidencën 6- javore në Nju Jork që sapo fitove?

Që pas viteve ‘50 Nju Jorku vazhdon të jetë qendra e rëndësishme e lëvizjeve bashkëkohore dhe ngjarjeve të mëdha. Kjo e bën të dëshiruar për të gjithë artistët, për të parë se si gjërat ecin, funksionojnë. Absolutisht është diçka shumë e mirë.

Çfarë mendon për atmosferën në artin bashkëkohor shqiptar?

Faktikisht ka disa të rinj që realizojnë punë shumë të mira. Kjo është një situatë shpresëdhënëse, sepse pavarësisht kushteve (të gjithë e dimë se sa i favorizuar është arti dhe sidomos ai bashkëkohor) ka akoma disa që punojnë dhe rezultatet janë të mira. Kjo të shtyn të kesh shpresë, sepse nuk është thjesht çështje të punuari, por të qenurit aktual.

Mendon se ka një tendencë drejt një arti të “angazhuar”, që reagon ndaj ngjarjeve politike, apo shoqërore?

Është qasja më normale e një artisti, pasi jeton në një kontekst social politik të caktuar. Normalisht një njeri me ndjeshmëri nuk mund t’i anashkalojë, pavarësisht se format e të gjykuarit e të analizuarit të këtyre fenomeneve janë nga të ndryshmet.

Posted in artist, rezidence | 20 Komentet »

Cmimi per artin bashkohor “Ardhje”

Posted by kolektiviza on Nëntor 20, 2007

 

Nën 35 vjeç për të marrë “Ardhje”

Gazeta Shqip 11-20-07

Instituti i Artit Bashkëkohor do të japë një çmim për artin bashkëkohor në vend

Instituti i Artit Bashkëkohor në Tiranë do të japë një çmim për artin bashkëkohor në vend. Duke parë mundësitë jo shumë të mëdha të vlerësimeve të këtij arti, përveç atyre pak konkurseve vjetore që organizohen nga Galeria Kombëtare e Arteve, TICA ofron çmimin “Ardhje” si një çmim që do të fokusojë vëmendjen pikërisht tek arti i ri në vend. Ky çmim është ideuar në bashkëpunim me Fondacionin për Shoqëri Civile në New York dhe me mbështetjen e Akademisë së Arteve të Bukura dhe ambasadës amerikane në Tiranë.

“Kjo ngjarje është konceptuar për të ndihmuar dokumentimin, vlerësimin dhe mbështetjen për artistët bashkëkohorë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga TICA.

Çmimi do të funksionojë mbi bazën e një kërkimi të shtrirë në skenën artistike shqiptare, në mënyrë që pjesëmarrësit të jenë fryt i një përzgjedhjeje të gjerë por cilësore. “Në këtë frymë, çmimi për artin bashkëkohor ARDHJE do të shërbejë si një hartë që do të ndjekë zhvillimet e situatës artistike shqiptare, duke ofruar të vetmen metodë arkivimi të zhvillimeve artistike në Shqipëri, si dhe duke luajtur rolin e një ure komunikimi mes artistëve dhe publikut përmes nxitjes së diskutimit mbi zhvillimet e reja në artin bashkëkohor shqiptar”, thuhet në njoftim. Artistët e ftuar në çdo edicion të këtij çmimi do të përfaqësojnë një shumëllojshmëri gjuhësh të artit bashkëkohor, si video, fotografi, pikturë, instalacione, skulpturë, performancë, tekst etj.

Përfaqësuesit e këtij çmimi do të fokusohen në të gjithë hapësirën artistike që ekziston në vend, duke bërë edhe vizita në studio artistësh. Në mbarim të këtij kërkimi, stafi i TICA do të përzgjedhë një numër prej jo më pak se 5 dhe jo më shumë se 7 artistësh, me të cilët do të organizohet ekspozita e ç mimit ARDHJE, pranë galerisë së Akademisë së Arteve të Bukura. Artisti fitues fiton të drejtën e një rezidence artistike për 6 javë në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të gjithë artistët që do të prenotojnë për këtë çmim duhet të jenë nën 35 vjeç .

——————————————————————————————–

Rezidenca sponcorizohet nga Foundation for Civil Society per programin e rezidencave tek International Studio and Curatorial Program. ISCP eshte nje qender rezidencash ne NY per artiste, kuratore nga bota. Gjate rezidences artistet vizitohen nga kritiket e ftuar te qendres qe jane te njohur ne fushen e artit. Kesaj fundjave, gjate hapjes se studiove per publikun, filloi rezidencen e tij tek ISCP artisti i ri nga Kosova Fatmir Mustafa-Carlo. Te tjere artiste Kosovare qe kan marr pjese ne kte program kane qene Fitore Isuf-Koja, Kader Muzaqi, Kadri Mancuska, dhe Jakup Ferri. Ky vit ka per te filluar pjesmarrjen e artisteve nga Shqiperia ne bashkpunim me TICA. Shpresoj qe me te vertete te jet nje konkurs i drejte dhe te mos marrin pjese te njejtat emra por Edi Muka te dal i cik jasht Tiranes dhe te perfshij dhe artiste jasht qendres qe meritojne vemendjen tone.

Sa keq e vetmja menyre e promovimit, njohjes dhe nxitjes se artistve te rinj ne vend vjen kur zbret ne Rinas nje fondacion i tille si FCS dhe ben te mundur nga ana finaciare sponcorizimin e rezidencave jasht vendit. TICA shfrytezon rastin shpall nje konkur/cmim dhe keshtu ploteson kuoten e aktiviteteve ne vend. TICA, nese me te vertete do te ngjall skenen lokale te artit bashkohor, duhet te bej dhe aktivitete dhe cmime qe nuk kan nga mbrapa nje cmim. Do isha e interesuar te dija nese ideja per “Ardhje” (po kjo c’kuptim ka) u erdhi para se te lidheshin me FCS apo pas faktit? CEC Artslink nje tjeter fondacion ne NY qe ben te mundur rezidenca ne NY per artistet e Europes Lindore nuk ka bashkpunues ne Shqiperi qe te bej te mundur rezidencat e artisteve Shqiptare ne Amerike. Rezidenca te tilla jane mundesi shume te mira per artistet ne Shqiperi, por ato nuk duhen bere qellim me vete dhe te jene te vetmet menyra angazhimi dhe shkembimi per artistet ne vend. Vlersimi, dokumentimi i artit ne vend nuk vjen domosdoshmerisht duke e eksportuar jashte. Do isha shume e interesuar se si “Ardhje” do funksionoj “si një hartë që do të ndjekë zhvillimet e situatës artistike shqiptare, duke ofruar të vetmen metodë arkivimi të zhvillimeve artistike në Shqipëri, si dhe duke luajtur rolin e një ure komunikimi mes artistëve dhe publikut përmes nxitjes së diskutimit mbi zhvillimet e reja në artin bashkëkohor shqiptar” Jam e sigurte qe Edi Muka dhe Gezim Qendro nuk kane se si me te vertete ta besojne kte qe thone. Se si nje ekspozite dhe cmim bashke ben kte pune un nuk jam ne gjendje ta konceptoj. Tjeter pune eshte nese gjate vizitave neper studio dhe takimit me artistet kto te dy do te luajne dhe rolin e nje hulumtuesi, dokumentuesi dhe historiani te artit. Por kjo nuk duhet te jete e vetmja metode e arkivimit, te dashur.

Posted in Akademia e Arteve, TICA, ekspozita, rezidence | 22 Komentet »