Standard
VIOLETA MURATI
Pamja që ka sot Floriani nuk është ajo e kohës kur kaloi kufirin e Shqipërisë, për të shkuar drejt Italisë. E para gjë që perceptonte ishte liria dhe befasia perëndimore që gjeti. Të prezantohet i ndrojtur, me një rrezatim mendimi që rrallë e kanë të rinjtë në moshën e tij. Flet për Perëndimin, për njerëzit se si do t’ju shërbejë me një lloj misticizmi; i njeh mirë qytetërimet, çfarë bluajnë sot shoqëritë në jetën e përditshme – shkon më thellë si kërkues rrënojash, për të kuptuar pse teoritë shpesh përmbysen dhe rindërtohen. I është “nënshtruar” mësimeve akademike, por ka qenë rebelues ndaj tyre. Ndoshta në historinë e kësaj akademie për herë të parë është ndeshur një rezistent i pikturës: se arti nuk është për elitën, por për të gjithë njerëzimin. Mbi këtë shkak ndërton pikturën dhe për arsyet e tij – se gjeti dritën dhe shpërtheu mbi ekspresivitetin e Pikasos, se ka zbritur në Bizant dhe prej aty nis kërkimet për themele të reja në pikturë – Akademia e Arteve në Firence e ka vlerësuar këtë vit si një nga studentët më të mirë, me pikët maksimale 101.
Të riun Florian, revista “Città di Vita”, që e botojmë të plotë më poshtë, e vlerëson: “Një rrugë artistike e saponisur, por që tani e pjekur”. Një dedikim që nuk prezanton çdo student, por vetëm talente, duke e “detyruar” piktorin shqiptar të vazhdojë edhe pas studimeve kërkimet në Firence – në botën e tij antike.
Sapo ke mbaruar Akademinë e Arteve në Firence dhe akoma nuk e ke vendosur se ku do vazhdojë karriera juaj. Është e vështirë kjo për një student që përfundon jashtë studimet akademike, sidomos kur bëhet fjalë për artet, si piktura?
Ndoshta për mua është akoma shpejt, duke qenë se kam mungesë eksperience me tregun – përderisa çdo tentativë të shitjes së një pikture që pata bërë, i jam përgjigjur gjithmonë në mënyrë negative. Kam dashur që këto vizatime, piktura, t’i paraqisja në provimin e fundvitit, ose në përfundimin e shkollës, diplomës.
Gjithmonë jam mundur t’i shkëpus ose që të mos kem, tani për tani, lidhje me galeritë dhe tregun. Dhe për këtë arsye e konsideroj veten pa eksperiencë, të paktën në këtë moment, për sa i përket tregut. Por, kam mendimin, se tregu i artit është i komplikuar sepse nuk kemi të bëjmë me një treg siç mund të jenë supermarketet apo qendrat tregtare, ku mund të shkosh të blesh bluzë, bukë e gjëra të nevojshme si këto.
Më tepër piktura ka vlerë simbolike sesa kuantitative, materiale, fizike. Pra, vlerat simbolike ndryshojnë me kohë, ashtu siç ndodh me kohën, ulja dhe ngritja e çmimeve të tyre. Vetë tregu i artit pas krizës së avangardës së 1900 do ketë nevojë për një rishikim dhe për sa u përket ligjeve që duhet të tolerojnë artistin, galeristin dhe shumë faktorë të tjerë që përbëjnë tregun e artit. Me sa kam arritur të kuptoj edhe në Itali, tregu i artit paraqitet i komplikuar, paraqitet në vështirësi, sepse akoma nuk kanë arritur të vendosin ligje, ashtu siç është në muzikë. Sa i përket artit viziv akoma nuk ka arritur të konsolidohet një sistem i dobishëm për pikturën.
Thatë se jeni diplomuar për artet vizive dhe disiplinat e spektaklit. Si është pritur ky punim dhe çfarë keni pasur parasysh në kërkimet tuaja artistike?
Diplomën e përqendrova në figurën e Pikasos. Për mendimin tim është një nga gjashtë piktorët që kanë hedhur bazat e mënyrës së të shikuarit të artit. Pikaso është një nga artistët më të mëdhenj të ‘900-ës, që revolucionoi në mënyrë totale konceptimin e artit. Për këtë arsye e mora në konsideratë për të bërë kërkimet e mia artistike. Duke qenë se ndryshoj nga mënyra e të realizuarit të një vepre artistike nga Pikaso, më është bërë një pyetje nga profesorët e komisionit pse e kam zgjedhur këtë piktor, pasi unë, ndryshoj duke pasur një shije më tepër tradicionale, klasike, nga një zgjedhje tepër revolucionare me Pikason. Kësaj iu përgjigja se; Pikaso e konsideron artin një shenjë, gjë e cila më gjen dakord edhe mua. Piktura sado realiste, sado e ngjashme me natyrën, mbetet në fund të fundit një shenjë. Kjo është një e vërtetë të cilën Pikaso e sjell në tërë universin e tij konfuzional, në tërë botën e tij të pakuptueshme – kjo është një nga të vërtetat e Pikasos që e marr shumë në konsideratë.
Cilat janë tendencat tuaja artistike?
Përndryshe nga sa thashë më lart, tendenca ime artistike është që të rikthehem në disa vlera të artit antik, tradicional dhe ato t’i propozoj në këtë periudhë tepër të ngarkuar dhe të paorientueshme prej artit kontemporan.
Gjatë bisedës je i ngacmuar nga realiteti dhe shpesh çdo gjë e lidh me të kaluarën në ballafaqim me të sotmen. Çfarë ua bën juve të domosdoshme rikthimin, ose këtë “kundërvënie” me artin kontemporan?
Përderisa revolucioni artistik hodhi poshtë shumë dogma, që ishin në vetvete të dyshimta, duke asistuar në një shkatërrim të tillë total të shumë vlerave – tani mbetet pak gjë për të revolucionarizuar, për të shkatërruar. Ideja është se tani duhet të fillojmë rindërtimin, ashtu siç ndodh në shumë situata – fjala vjen situata e Irakut, që pas bombardimit lind nevoja e rindërtimit. Pas një revolucioni, hedhja poshtë e një strukture, lind nevoja e një rindërtimi.
Si e konceptoni rindërtimin e një shoqërie të shkatërruar?
Rindërtimin e konceptoj në një rikthim të disa vlerave që për mua janë të patundshme. Një nga qartësitë e njeriut, edhe pse është e rëndë, diçka e trishtueshme është vdekja dhe unë mundohem gjithmonë të filloj nga kjo pikë e zezë që gjithmonë na thërret – nga momenti që fillojmë jetën tonë e deri në maturitetin tonë. Ajo gjithmonë është një pikë fikse që na thërret brenda misterit të saj. Unë mundohem që t’i gjej një alternativë ose të vazhdoj idenë t’i kundërvihem në një farë kuptimi relativizmit që hedh poshtë në mënyrë kategorike çdo qartësi. Unë them që ka shumë gjëra të dyshimta që është mirë të hidhen poshtë, gjëra që janë të … patundshme siç është vdekja, e cila nuk mund të mohohet.
Në kohën moderne shpërfillet vdekja. Kjo ndjesi është ftohur, nuk ka më frikë nga ajo. Si e identifikoni vdekjen në punën tuaj?
Këto janë baste që njerëzit vënë me njëri-tjetrin, ka bindje dhe mendime të ndryshme dhe unë jam i vendosur në këtë drejtim që udhëtimi jonë është drejt asaj pike, që na thërret. Andej nga filloi, dhe kam përshtypjen se filloi lindja e artit të pikturës. Mendoj se kjo e ka një datë që nis në 1400-ën me Masaxhon në Firence – ku lindi hapësira e cila ndërtohet e tëra nga një pikë në horizont në perspektivë. Nga kjo pikë shpërthen gjithë hapësira tredimensionale. Unë mundohem që t’i kthehem asaj pike, mundohem ta vlerësoj atë pikë, e cila shpërtheu gjithë hapësirën dhe filloi të ndërtonte të gjitha teoritë e artit të mëpasshëm. Dhe, kjo pikë është ndoshta dhe ajo pika e vdekjes, e cila përfaqësohet, identifikohet me vdekjen.
Të gjitha këto fenomene të jetës njerëzore kanë të bëjnë me sistemin e civilizimit, qytetërimeve – përplasjet aq të përfolura nga filozofët – a ndikojnë këto tek ju, pasi tani po hyni në treg për të përfaqësuar, pra siç e thatë edhe ju për t’u identifikuar? Cili është interesi juaj në pikturë?
Ideja ime s’është që të flas nëpërmjet pikturës, por nëpërmjet mesazhit që piktura ka në brendësinë e saj, të flas në mënyrë konkrete, të hapur, direkte me veten time dhe të tjerët. Ky është ai qëllimi kryesor i imi, që piktura të shërbejë si një mjet komunikimi me njeriun, pra edhe vdekja duke qenë se konsiderohet si një qartësi, ajo është si diçka e pamohueshme, është një nga këshillat që për shembull i shërben jetës për ta ruajtur atë, konsoliduar atë, dhe derisa të ketë mundësi të mbijetojë, edhe pse rruga drejt vdekjes është e pashmangshme, por përderisa je në jetë, duhet ta ruash atë.
Ke shkuar në Itali me shumë vështirësi, që kanë të bëjnë me mosnjohjen dhe paragjykimin, dhe më pas ti percepton botën franceze, gjermane etj. Për çfarë të shërbeu Italia në këtë kontekst? Si e lexon tani Perëndimin?
Fillimisht ka qenë problemi i integrimit, i thithjes së kulturave të ndryshme. Më vonë ishin raportet që u përmirësuan, të cilat lejuan të konsolidohej në vazhdimin e shkollës. Perëndimi është një botë e lirë. Aty, në bazë të ndershmërisë, në bazë edhe të konceptimit, njeriu gjen lirinë. Pra, unë në Perëndim aspiroj për lirinë dhe kjo është një nga motivet që të vazhdoj rrugën drejt tij. Fillimi ishte i vështirë, sepse unë kisha pikëpamjet e mia, që ishin pak a shumë të ngurta, të cilat nuk doja t’i vija në diskutim. Kjo vështirësi u kalua më vonë në përmirësimin e raporteve që ndodhën ndërmjet meje dhe personave që kisha afër.
Si është vlerësuar tendenca juaj artistike, a ju është dhënë rasti gjatë kësaj periudhe akademike të hapni ekspozitë?
Profesorët kanë pasur gjithmonë një konsideratë të mirë për sa i përket vizatimit tim, meqenëse karakterizohesha nga një frymë bizantine – sipas tyre, dhe duke qenë se atyre ju interesonte një kontiminacion i kulturave të tyre, me kultura të ndryshme – kjo natyrë e imja në pikturë ka qenë e mikpritur. Kështu mënyra e të konceptuarit të stilit tim ka qenë një nga faktorët kryesorë të vlerësimit të profesorëve, sigurisht që kanë parë edhe seriozitetin, punën e vazhdueshme që kam bërë.
Si rrjedhojë, ju jeni vlerësuar me medalje nga Akademia e Firences, nuk është pak të renditeni me pikët maksimale si ndër studentët më të mirë të këtij viti…
Po, në fakt paraqitjes së punës sime i kanë dhënë notat maksimale 110, kishte dhe shumë studentë të tjerë seriozë, por kënaqësia ime ishte të qenit një prej tyre. Ky është kufiri maksimal. Në këtë rast aspirata është që të arrish maksimalen, por gjithmonë duke pranuar edhe disfatën. Por, në momentin që arrin një fitore, gjithmonë pason me një kënaqësi të jashtëzakonshme, prandaj janë momente çliruese, që ndoshta dhe gjuha nuk i përshkruan. Nga një stres jashtëzakonisht i madh, me një çlirim pothuajse dehës.
Cila ka qenë baza e logjikës së vlerësimit për punët tuaja, çfarë i ka tërhequr akademikët e Firences?
Ata e vlerësojnë më tepër mbi bazë të kapacitetit të punës që ti paraqet, sepse vetë kjo akademi karakterizohet nga liria, nga të lënit të lirë të studentit, i cili mund të paraqitet me një rrymë artistike ose me një punim të tij origjinal. Ata sigurisht vlerësuan seriozitetin e punës dhe kam përshtypjen se gjejnë një admirim ndaj meje për sa i përket respektit që unë kam nga arti antik.
Çfarë mendoni se do ta bëjë të sigurt të ardhmen tënde, ke menduar rreth kësaj, se ku do vendosesh, pozicionin në treg, menaxhimin e punëve etj.?
Tani jam në fillimet e mia, të periudhës post-akademike dhe jam akoma pa eksperiencë në këtë drejtim. Sigurisht besoj se do duhet kohë derisa të thellohem në këtë rrugë, por mund të them që nuk është shumë aspekti ekonomik, ose pothuajse është shumë i dobët ky aspekt – në lidhje me raportin që kam me pikturën.
Dëshiroj që të vendos një komunikim ndërmjet meje dhe një mase të gjerë të shikuesve. Madje, një kontradiktë e cila më ka parë si protagonist ndërmjet meje dhe profesorëve të mi ka qenë ajo se ata e konsideronin pikturën si një art për një elitë të zgjedhur, ndërsa unë, dëshira ime është që piktura ime, por edhe e të tjerëve, ashtu siç ka qenë edhe më përpara, t’i drejtohet njeriut në përgjithësi. Jo një njeriu të zgjedhur, apo dy njerëzve, por t’i drejtohet njeriut në përgjithësi. Pra një pikturë për njerëzimin.
Mund të na thoni si ndihet një student kur ka marrë nga ngurtësia akademike dhe ndeshet me lirinë? Çfarë është ky ndryshim për ju?
Them mureve mbrojtëse akademike, sepse është një mënyrë jetese që për aspektet burokratike je i mbrojtur nga shumë probleme financiare dhe nga ai i dokumenteve. Pra, kur institucionet shohin një person që studion, janë më të gatshëm për të ndihmuar – pra këtyre faktorëve si mure mbrojtëse. Por, ky ka këtë aspekt pozitiv, por dhe një aspekt pak si bllokues sepse je i detyruar të ecësh gjithmonë në një linjë pak a shumë të përafërt me kërkesat e profesorit. Në momentin që mbaron akademinë lirohesh nga këto linja të përafërta me profesorët, por fillon një jetë të re, një jetë që të sheh si një person i vetëm, jo të përfaqësuar nga të tjerët. Është një jetë që merr rreziqet dhe duhet t’i përballosh në mënyrë personale.
Ju vendoseni përfundimisht në Firence, do ktheheni në Shqipëri?
Dëshira ime do ishte që të vazhdoja kërkimet e mia në qytetin e Firences, sepse ky qytet konsiderohet nga unë si qytet ku ndodhen bazat e artit antik. Për këtë arsye, duke qenë se unë mundohem të filloj një rindërtim nga ky aspekt, besoj se aty është kantieri i përshtatshëm që mund të zhvillohen këto kërkime artistike.
Dëshira ime është të qëndroj në Firence për këto kërkime, por sa i takon fillimit të aktiviteteve artistike, Shqipëria është një nga planet e para, vendet kryesore që mund të hyj në dëshirat e mia. Pikërisht është kjo dëshirë për të bërë diçka të mirë për Shqipërinë, që më shtyn të kërkoj në prodhimtarinë time artistike.
Çfarë të sfidon nga bota perëndimore sa u takon kërkimeve artistike, si e shikon nivelin e pikturës sot?
Niveli i pikturës, edhe pse është i mirë dhe interesant karakterizohet sipas mendimit tim nga një defekt që ka pak publicitet. Nuk ka një eko nga mediat, shtypi, radioja apo televizionet. Kjo mungesë e komunikimit, reklamës, them se është arsyeja që ndoshta e shtyn që të vështirësohet prodhimtaria artistike, që të ketë një prodhim më të limituar. Pra, mendoj se kjo është një nga pikat që mundon pikturën sot për sot.
Një revistë italiane ka shkruar për ju, artikullin e së cilës po e botojmë më poshtë.
Një prift që shkruan për një shqiptar, çfarë do të thotë kjo për ju?
Ishte një dëshirë e një prifti, i cili është presidenti i një muzeu për ksilografi, quhet Pietro Parigi, që është dhe president i revistës “Citta di Vita”, i cili pasi mori pjesë në përfundimin e diplomës, dëshiroi që të më publikonte një artikull që ma dedikon dhe në botimin e dytë, publikoi kapitullin e parë të diplomës sime. Ky ishte një nder që më dha kënaqësi të jashtëzakonshme, duke qenë se janë revista të sferës intelektuale të Firences.
Një surprizë e këndshme nga Shqipëria për Akademinë e Firences
1. Një ditë e paharrueshme. 2 Opera “Madoninna del Grappa” 3. Një rrugë artistike e saponisur, por që tani e pjekur.
S’besoj që në jetën time, tashmë shumë të shtyrë në moshë, do të mund të harroj të martën e 3 marsit 2009, kur pata privilegjin dhe kënaqësinë që të merrja pjesë në diskutimin e tezës së laureas, të Florian Vikës pranë Akademisë së Arteve të Bukura të Firences. Salla ishte mbushur plot. Komisioni drejtohej nga Giuseppe Andreani dhe përbëhej nga profesorët Domenico Viggiano, Roberto Giovannelli dhe Pietro Beni. Nota finale: 110 me lavdërim, me gëzimin e madh të gjithë publikut.
Në këtë pikë, ndonjë nga lexuesit e mi mund të më pyesë: “Po ti ç’lidhje ke me gjithë këtë?”. Përgjigjem që gjërat shumë të thjeshta në aparencë, në disa raste janë më të komplikuara nga ç’mendohet, dhe kërkohet një kuantitet i pabesueshëm kohe dhe mundi për t’u realizuar. Pikërisht si në këtë rast, e më pas – tashmë e dini – është gjithmonë zakon i imi ta bazoj punën në njohjen e personit, në miqësinë e drejtpërdrejtë, në sinqeritetin absolut të prepozitave.
Gjithçka filloi nga stima ime për don Piero Paciscopi-n dhe nga miqësia e madhe lindur mes nesh. Don Piero ishte deri pak kohë më parë në udhëheqjen e atij institucioni, quajtur Madonnina del Grappa, themeluar nga don Facibeni, me qëllimin që të strehonte përtej dhe përmbi çdo burokracie atë që është i huaj dhe që ndodhet në nevojën për të kërkuar një strehë poshtë së cilës të flejë. Më tepër se një herë kemi nxjerrë nga dëshpërimi të rinj aq të meritueshëm që, të strehuar tek Madonnina, arritën të laureoheshin dhe kanë nderuar institucionin me punën e tyre.
Një herë don Piero më kërkoi që ta zëvendësoja në Cercina, lokalitet nën juridikisonin e të dashurit Kardinal Silvano Piovanelli. E mirë, pasi kisha lexuar Ungjillin e asaj dite – që sillte listën e Apostujve besimtarë të Krishtit – më erdhi spontane të them që në atë liste mungonte një emër: ai i don Pieros. Në edicionet e saj “Città di Vita” ka publikuar në 2006 volumin “Riflessioni tra cielo e terra … e non finisce qui”, me qëllimin e deklaruar që të dërgonte fitimin e shitjeve në favor të “Krishterëve të varfër” që shërbeheshin nga Opera. Ishte pikërisht don Piero ai që dërgoi tek unë të riun Florian me një nga veprat e tij, e cila më pëlqeu aq shumë sa vendosa ta adresoj tek profesor Domenico Viggiano, miqësi imja e vjetër.
Pas disa muajsh, u gjendëm përballë një teze laure që habiti profesorët e komisionit dhe publikun e veçantë që ka duartrokitur një kohë të gjatë si pronësinë e gjuhës, ashtu edhe origjinalitetin e krijimeve artistike të Florianit (vepra sa të largëta nga ato “eksperimente formale”, që shumë drejtësisht hezitojnë t’i quajnë art), fryt i një kërkimi dhe një refleksioni personal tepër të thellë, pavarësisht nga mosha e re e autorit.
Në artikullin e tij që publikojmë në këtë fashikull, Florian Vika na flet mbi Pikason si ekspresion i së resë artistike më absolute shpërthyer në shekullin XX.
Por – dhe e them pa ekzagjerim – jam plotësisht i bindur që Floriani me tezën e laurës së tij dhe me shpikjen e tij artistike, bashkuar me një pronësi perfekte të teknikave ekspresive, është në gjendje të afirmohet dhe të imponohet mbi të gjithë ne!
M. G. Rosito
Prill 2009
Firence / “Città di Vita”